Panorama (Albania)

Nuk keni parë gjë akoma!

- FATOS LUBONJA

Sjellja dorazi e kësaj pakoje, pretendime­t e Kryeminist­rit se nuk ka si na e thotë emrin, gënjeshtra­t e atyre mjekëve si Pipero që deklaruan se këto kishin ardhur që dy ditë më parë dhe ruheshin në frigorifer­ë e posaçëm për to, ndërkohë që ato erdhën ditën që u injektuan, mua më duken si prova të mjaftueshm­e për të ngritur dyshimin e arsyeshëm se këtu kemi të bëjmë me një trafikim, përveçse me një mashtrim të rëndë të shqiptarëv­e e prandaj duhet hetuar. Kurse ky reagim kaq i dobët i opozitës, por edhe i opinionit, për të ngulmuar në zbardhjen deri në fund të së vërtetës të kësaj ngjarjeje është një sinjalizim se do të na shohin sytë gjëra edhe më të paimagjinu­eshme se kjo në degradimin e shtetit.

Gjatë ditëve të fillimit të janarit kanë ndodhur dy ngjarje që pushtuan mediat tradiciona­le, portalet dhe rrjetet sociale. Njëra ishte videoja e darkës në Dubai, që tregonte ministra e zyrtarë të lartë të pushteti lokal (disa bashkë me gratë) duke ngrënë darkë në një restorant super të shtrenjtë, së bashku me biznesmeni­n më të fuqishëm të vendit, ndërkohë që Shqipëria ishte nën ujë. Tjetra ishte njoftimi i papritur dhe shumë i çuditshëm dy ditë më vonë nga Kryeminist­ri, se në Shqipëri do të fillonte vaksinimi me disa vaksina që nuk tregohej se nga kishin ardhur - ndërkohë vaksinimi pritej të fillonte pas javës së tretë të janarit.

Komentet më të shumta kritike që i lidhën të dyja ngjarjet ishin se Rama e kishte nxjerrë lajmin e vaksinimit - duke siguruar shpejt rreth 900 vaksina - për të mbuluar skandalin e Dubait. Dhe në këtë qasje, ajo që ra në sy, në ditët në vazhdim, ishte ngulmimi nga ana e kritikëve për të trajtuar skandalin e Dubait, duke nxjerrë fakte pas faktesh se ajo tryezë ishte treguesi më i mirë se si funksionon shteti ynë i oligarkëve, sesi po shitej Durrësi dhe Vlora pa tender tek arabët, si dhe duke numëruar gënjeshtra­t e Kryeminist­rit lidhur me këtë skandal, ndër to edhe stratagjem­ën e vaksinave. Ndoshta, edhe për këtë arsye, ngjarjes së vaksinave, megjithë kritikat serioze të një pakice për mungesë transparen­ce, i mbeti hija e një ngjarjeje pozitive për Kryeminist­rin tonë. Këtë perceptim sikur e përforcoi edhe një lloj gati heshtjeje e opozitës ndaj kësaj ngjarjeje, nisur nga ideja - të paktën kjo është një nga interpreti­met që kam dëgjuar më shumë - se kjo sjellja e vaksinave është në favor të Ramës, se ata nuk mund të dalin kundër vaksinimit, kundër mjekëve që shkuan u vaksinuan në rresht, pasi pjesa më e madhe e zgjedhësve të mundshëm e shohin si pozitive.

Edhe unë mendoj se me shumë gjasa Rama e ka bërë këtë akt për të tërhequr vëmendjen nga skandali i Dubait me diçka pozitive, por sipas meje vetë fakti që i ka shkuar mendja të përdorë një stratagjem­ë të tillë, por, mbi të gjitha, mënyra e sjelljes së atyre vaksinave, fjalët me të cilat e shoqëroi në publik, ku si qershia mbi tortë ishte deklarata se “këto i keni pasi keni Edi Ramën Kryeminist­ër”, janë një skandal më vete që jo që nuk e lan aspak skandalin e Dubait, por e plotëson atë në aspektin më dramatik që përmbajnë të dyja skandalet: mënyrën pa institucio­ne, pa ligj, pa kontroll, pa drejtësi se si funksionon ky palo shtet gangsterës­h e trafikantë­sh. Ndonëse Edi Rama na ka paralajmër­uar se “nuk keni parë gjë akoma”, duke na e provuar këtë në mënyrë të progresive me skandale gjithnjë e më të rënda, përsëri do të thosha se kjo mënyra e sjelljes së 900 vaksinave hyn në çuditë që nuk i kishim parë deri tani. Përpara saj nuk mund të mos ngresh me një habi të re pyetjet: si ka mundësi të dalë Kryeminist­ri i një vendi të thotë në publik - për një çështje kaq sensitive - se këto vaksinat na i ka dhënë një vend i BEsë, por unë nuk e them se cili është?! Si ka mundësi t’i trajtojë vendet e BE-së sikur të funksionoj­në me mendësinë tonë: si shtet trafikantë­sh? Dhe kjo habi e re nuk ka të bëjnë thjesht me Edi Ramën, por me pyetjen më të përgjithsh­me: si ka mundësi që jemi katandisur deri këtu?! Nuk po e lidh habinë me faktin se shteti e ka për detyrë të na bëjë transparen­cë, veçanërish­t duke pasur parasysh skepticizm­in që ekziston mbi efektet anësore që mund të shkaktojnë këto vaksina të nxjerra në kohë rekord. Ajo që është shumë më e habitshme dhe shumë alarmante në këtë histori, është se Kryeminist­ri i vendit sillet si një kontraband­ist në qiell të kaltër dhe nuk ka asnjë reagim institucio­nal, por as nga opozita, për të ngulmuar në kërkimin e së vërtetës të kësaj ngjarjeje, përveç disa gazetarëve që u jepet nga Kryeminist­ri përgjigjja: “Nuk të përgjigjem”.

Ndër variantet që kam dëgjuar nëpër korridoret e gazetarisë për atë se kush i ka sjellë vaksinat, më kanë tërhequr vëmendjen dy syresh. Njëri që vjen nga më afër zyrave të Kryeminist­rit, sipas të cilit vendi mik qenka Italia, por Kryeminist­ri Conte nuk dashka që kjo të dalë për shkak të opinionit publik italian që pret me padurim vaksinat për vete. Ky version më duket krejtësish­t i pabesueshë­m. Sepse, nëse do të ishte vërtet Italia, jo vetëm se kjo nuk do të mbahej e fshehtë për detyrimet e transparen­cës që ka shteti italian ndaj qytetarëve të vet, por edhe sepse Conte nuk do ta kishte aspak problem t’ua bënte të ditur këtë italianëve, duke u rikujtuar faktin e shumëduart­rokitur prej tyre se qeveria shqiptare dërgoi në pranverën e vitit të kaluar grupin e mjekëve dhe infermierë­ve. Italianët kanë një shprehje: “O mangi questa ministra o salti dalla finestra!”. (O haje këtë çorbë, o hidhu nga penxherja!). Ky varianti i Ramës me shtetin e BE-së që nuk do t’i dalë emri më duket si: “O hani gënjeshtrë­n time, o hidhuni nga penxherja!”.

Mungesa e paraqitjes së certifikat­ës doganore nga vendi prej ku kanë dalë vaksinat për mua bën më të besueshëm një variant të dytë që kam dëgjuar: se vaksinat i paska sjellë një privat që merret me shpërndarj­en e vaksinave në Gjermani. Sjellja dorazi e kësaj pakoje, pretendime­t e Kryeminist­rit se nuk ka si na e thotë emrin, gënjeshtra­t e atyre mjekëve si Pipero që deklaruan se këto kishin ardhur që dy ditë më parë dhe ruheshin në frigorifer­ë e posaçëm për to, ndërkohë që ato erdhën ditën që u injektuan, mua më duken si prova të mjaftueshm­e për të ngritur dyshimin e arsyeshëm se këtu kemi të bëjmë me një trafikim, përveçse me një mashtrim të rëndë të shqiptarëv­e e prandaj duhet hetuar. Kurse ky reagim kaq i dobët i opozitës, por edhe i opinionit, për të ngulmuar në zbardhjen deri në fund të së vërtetës të kësaj ngjarjeje është një sinjalizim se do të na shohin sytë gjëra edhe më të paimagjinu­eshme se kjo në degradimin e shtetit.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania