Panorama (Albania)

Tirana thyen tersin e barazimeve, Partizani triumfon në pistë bore

-

Tirana dhe Partizani fituan respektivi­sht ndaj Kastriotit dhe Skënderbeu­t në ndeshjet e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë Superiore. Kryeqyteta­sit rikthehen te fitorja pas pesë barazimesh, duke përmbysur krutanët, ndërsa "të kuqtë" triumfuan në "Strofën e ujqërve" të mbuluar në dëborë. Në sfidën tjetër të së shtunës, Apolonia surprizoi Laçin duke fituar minimalish­t në Fier. TIRANA-KASTRIOTI Tirana gjen fitoren pas 5 barazimesh radhazi dhe në derbi shkon me moralin e duhur. Kampionët në fuqi, në ndeshjen e vlefshme për javën e 14-të të Kategorisë Superiore, kanë mundur me përmbysje Kastriotin me rezultatin 2-1, duke u ngjitur në vend të katërt, vetëm 3 pikë më pak sesa Teuta e Partizani. Krutanët shënuan të parët me anë të De Silvës, mirëpo kryeqyteta­sit me Muçin dhe Bathën u rikthyen te 3 pikët pas më shumë se një muaji (e fundit më 13 dhjetor 2020, Tirana-Apolonia 3-0).

APOLONIA-LAÇI Apolonia ka korrur një fitore të merituar ndaj Laçit dhe vendimtar ka qenë goli i shënuar nga Mario Gjata në minutën e 20-të. Skuadra fierake ka treguar forcë dhe karakter, vazhdimësi të ecurisë pozitive të javëve të fundit dhe shpresë për t'u shkëputur nga zona e rrezikut. Fitore morali, më se e merituar, ndaj një ekipi pretendent dhe tashmë fierakët nuk janë më të fundit. Nën drejtimin e Kamaratës, skuadra ka ndryshuar dhe duket se ka gjetur shinat e duhura për të dalë nga "zona e ftohtë". SKËNDERBEU-PARTIZANI

Në strofullin e "ujqërve" ishte skuadra e Partizanit që bëri ligjin. Dy gola të shpejtë u japin "demave" fitoren e rëndësishm­e, në një ndeshje që nuk kishte nevojë për taktikë loje, por vetëm për shpirt gare dhe sakrifice. Kishte dhe një episod në sekondat e fundit, ku bora nuk ishte "aleat" i Skënderbeu­t pasi një top i devijuar shkoi në shtyllë dhe jashtë. Është Mensah që mund të çonte shifrat në 2-2, por Partizani ishte me fat. Nga ana tjetër, Skënderbeu erdhi në këtë ndeshje me shumë ndryshime. Pavarësish­t kushteve ku do të luhej dhe mospërshta­tjes me ekipin, Ahmataj ndryshon tre nga katër lojtarët e prapavijës, duke hedhur në fushë tri afrimet e reja. Sadriut dhe Bajramit i besohet qendra e mbrojtjes ndërsa Zguro luan në të djathtë të prapavijës. Pikërisht këto ndryshime u duken se sollën problemet e para në radhët e Skënderbeu­t. Vetëm në tri minuta lojë, korçarët ndëshkohen dy herë, duke i dhënë Partizanit garancinë për fitore në një teren të tillë ku përmbysja është mjaft e vështirë.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania