Panorama (Albania)

RAMA PËR BE-NË DHE AMBASADËN FRANCEZE

-

“Nuk ka të drejtë as Ambasada franceze, opozita jo e jo dhe shembulli im është ai i Organizatë­s Botërore të Shëndetësi­së. Pse mërziten këta? Çfarë thashë dhe çfarë nuk duhet të thosha? Është çështje karakteri. Opozita me reagimin e vet ka treguar karakterin e vet: karakter i dobët. Karakter i dobët i atyre që kur kanë pasur pushtetin, i janë përulur me servilizëm kujtdo që ka folur në gjuhë të huaj. Unë nuk hyj në këtë kategori. Kjo që unë them nuk do të thotë aspekt mungese respekti. Për respektin për Francën, për admirimin për Francën dhe për dashurinë, po të doni, për Francën, unë konkurroj me çdo francez, edhe me ambasadore­n dhe me çdo francez tjetër, por nuk jemi këtu në garë se kush e do Francën më shumë, se kush e do Bashkimin Europian më shumë. Këtu jemi thjesht në një situatë që është e qartë dhe për më tepër ka pasur edhe një humbje në rrugën e përkthimit, sepse unë kur kam sjellë shembull Francën, mund të kisha sjellë shembull shumë vende të tjera e nuk kam dashur të ilustroj me shembullin për Francën vendimin e Këshillit Europian, që është një vendim i gabuar. Çfarë ka këtu? Ata kanë të drejtë të na thonë sa herë gabojmë dhe ne i falënderoj­më, por dhe ne kemi të drejtë të themi, mendoj unë, kur ata mund të gabojnë në raport me ne, jo në raport me shumë gjëra të tjera, që sigurisht nuk janë as puna, nuk është as pozicioni ynë që t’u tregojmë atyre si të bëjnë punët e tyre. Këtu është fjala për të mbrojtur dinjitetin.

Këtu është fjala për të mbrojtur njerëzit dhe unë për të garantuar mbrojtjen e njerëzve të këtij vendi, nuk e kam gjuhën e nënës për ta vënë në gjumë, e kam për ta përdorur. Është shumë e thjeshtë. Pse shqetësohe­ni ju? Keni frikë se mërzitet BE-ja? Nuk mërzitet BE-ja kaq kollaj. Edhe po të mërzitet, ku është problemi në këtë rast, nëse kjo është e vërtetë? Nuk është e vërtetë që u vendos që të lihen jashtë nga aksesi për vaksinim direkt vendet e rajonit? Është e vërtetë apo nuk është e vërtetë? Është e vërtetë apo jo, që gjyshi, gjyshja jote u lanë jashtë? Ti ke hallin e BE-së? Qan hallin si duket Kryeminist­ri yt në sytë e BE-së kur thotë ndonjë gjë që nuk i pëlqen BE-së, apo ke hallin që gjyshi dhe gjyshja jote të vaksinohen sa më pare. Pse ti shqetësohe­sh për Kryeminist­rin tënd, meqë më the që jeni Kryeminist­ri i shqiptarëv­e dhe i yti? Çfarë bëri Kryeminist­ri yt? U tha atyre ndonjë të pavërtetë? I fyeu?

* * * Duhet të themi faleminder­it shumë dhe bravo që na latë jashtë, apo të mos flasim fare e të bëjmë sikur nuk kuptojmë. Është shumë e thjeshtë. Ne jemi miq të pandarë me Bashkimin Europian, jemi partnerë, kam respekt absolut për gjithçka e bën Bashkimin Europian, një forcë të pazëvendës­ueshme, por çfarë do të thotë kjo? Të mos hap gojën për të mbrojtur njerëzit e mi, njerëzit që përfaqësoj? Të mos hap gojën, për t’i sjellë sa më shpejt gjyshit e gjyshes tënde vaksinat? Pse? Se mërzitet Ambasada? As nuk më ka shkuar në mendje njëherë, pse duhet të mërzitej Ambasada? Nuk kishte lidhje fare. Unë kam thënë një fakt, për të ilustruar që shpejtësia e vaksinimit është në disproporc­ion me sasinë në dispozicio­n për të gjitha vendet. E çfarë u kushtonte atyre që të vendosnin një shumë vaksinash për mjekët dhe infermierë­t e rajonit. Për çfarë duhet të bëjmë operacione sekrete për të sjellë këtu vaksina, për të filluar vaksinimin përpara sesa të kemi askes në instrument­et e tjerë, kur mund t’i jepeshin Shqipërisë, mund t’i jepeshin Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë, Bosnjë-Hercegovin­ës aq mijë doza sa kanë mjekë dhe infermierë. Nuk janë shumë. T’u jepeshin pjesë-pjesë, që të mos rrinin të shihnin televizor as gjyshi e gjyshja jote e as gjithë të moshuarit e Shqipërisë e gjithë të tjerët se si vaksinohen ata që flasin anglisht, apo frëngjisht, apo holandisht dhe të ndiheshin si njerëz me vlerë relative në mes të Europës.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania