Panorama (Albania)

“Ja si ishte 21 Janari që pashë unë”, Sokol Balla rrëfen vrasjet në Bulevard

“Pashë shumë mirë rrëzimin e trupit të Hekuran Dedës, ndërsa binte si gjethet e këputura nga breshëritë e plumbave”

-

Në 10-vjetorin e ngjarjeve të 21 janarit, ku u vranë 4 protestues para godinës së kryeminist­risë nga oficerët e Gardës së Republikës, botohet libri i Sokol Ballës “Dëshmia e puçit”, botim i UET press. Gazetari i njohur sjell fakte të panjohura të një prej personave që u akuzua nga ish-kryeminist­ri Sali Berisha si organizato­r i një grushti shteti. Ai sjell fakte dhe përjetime të orëve të protestës së egërsuar, por dhe përgjigjes me fishekë luftarakë të gardës së republikës, manovrat e oficerëve të saj për të futur protestues­it brenda oborrit të kryeminist­risë dhe vrasja e katër protestues­ve jashtë saj, në trotuarin përballë kryeminist­risë.

21 janari u duk ditë e trishtë, që në mëngjes. Dola diku rreth orës 9 e 30 minuta, nën një qiell gri, që premtonte rrufe më pas. Eca në këmbë drejt Bashkisë, nën vështrimet kurioze të qindra të mbledhurve që prisnin liderin të marshonin drejt Kryeminist­risë, i veshur me xhup, xhinse dhe atlete, poshtë kisha një triko të lehtë dhe këmishë. Nuk isha përfshirë në planet e televizion­it për transmetim­in direkt, por gjithsesi i mora masat, pasi intuita më thoshte se rrethanat mund të ndryshonin. Gjithsesi, mospërfshi­rja më jepte lehtësinë që, për herë të parë pas shumë vitesh, të ndiqja një ngjarje të madhe nga afër. Nuk kishim lënë ndonjë takim me kolegët, por e dinim ku do takoheshim. Lokali i Fidelit në katin e katërt. Në katin e katërt pashë Mero Bazen, Andi Bushatin, Rudina Xhungën, Artan Hoxhën, Skënder Minxhozin, Arban Hasanin. Në tavolinën e tyre unë isha personi që ndenji më pak. Filipi, si gjithmonë, kishte diçka për të bërë dhe atë ditë e shpëtoi vjehrra, që i vdiq, dhe ai udhëtoi jashtë Tiranës për funeralin e saj.

Dola në tarracën e hapur, ku ndërkohë ishin vendosur kamerat. Ngrita kokën sipër dhe pashë në tarracë ministrin e Brendshëm, Bashën. Një ditë më herët kishte dhënë një paralajmër­im të fortë se shkelësit e territorit të Kryeminist­risë do të përballesh­in me një forcë të papërballu­eshme dhe do të merrnin ndëshkimin e merituar. Ishte me Ndrea Prendin, kreun e Gardës dhe po shihnin me dylbi se si turmat e organizuar­a të njerëzve po afroheshin nga sheshi i ministrive deri poshtë kullës së pushtetit. Të rrethuar nga mijëra forca policore, që kishin ardhur edhe nga rrethet. Qesha hidhur me veten, se mendova sa të lumtur duhet të ishin hajdutët e provincës sot. Po afrohej ora 11.00. Nga një burim në PS më erdhi një SMS. Turma po vinte dhe mes tyre edhe Rama, i rrethuar nga një tufë e pazakontë bodigardës­h. Tensioni u shtua në sheshin mes Piramidës dhe Kryeminist­risë, në ato kohë e rrethuar me një gardh heshtash të gjata hekuri. Luçi, një punonjës i Gardës, skraparlli dhe kushëri me Metën dhe Fidelin, u ngrit prapa kurrizit tim, te veranda e katit të katërt, pa një mesazh që i erdhi dhe ngriti sytë sërish: “Filloi!”.

Ajo që pasoi më pas nuk ndryshon shumë nga ajo që keni parë të gjithë. Rama ndërkohë u bllokua diku në hyrje të urës së madhe te hotel “Dajti”, me fjalimin e palexuar në xhepin e palltos së gjatë. Rreth 150 veta nga protestues­it nuk duruan sa ai të vinte poshtë Kryeminist­risë. Ata filluan të godasin policët, fillimisht anash ndërtesës, e më pas edhe në anën ballore. U shfaqën makinat me ujë me presion dhe Policia hodhi bombat e para me gaz lotsjellës. Turmat filluan të shtyheshin nga pas. Shumë edhe në drejtim të urës. Tentova të lidhem në telefon, por linjat kishin rënë. Rama i shoqëruar u detyrua të kthehej pas. Astma e tij nuk e ndihmonte nga gazi lotsjellës. Përmes parkut “Rinia” u kthye në selinë e Partisë Socialiste, nga ku nuk doli deri në orët e vona të pasdites. Protesta humbi liderin e saj. Ndërsa minutat rridhnin si pikat e shiut që binin me shpejtësi mbi bulevard, në rresht të parë dolën Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. Protesta i ngjante një vale deti nën stuhi. Herë mësynin policët, herë protestues­it. Tërheqjet pasonin njëratjetr­ën, por nuk ishin tërheqje të plota. Përleshja vazhdonte mes një grupi protestues­ish që tashmë ndiqeshin në distancë disa dhjetëra metra nga protestues­it e tjerë, që me kalimin e kohës zgjeronin distancën me policinë. Hapësirë që zmadhohej edhe nga hedhjet e shpeshta të gazit lotsjellës, gaz që filloi të hidhej edhe në verandën ku rrinim ne gazetarët. Nga fillimi i protestës deri kur filluan vrasjet, gazi lotsjellës u hodh tri herë drejt nesh dhe nuk e kuptova përse, përveçse nëse Policia donte të pengonte kamerat të xhironin. Kur një prej tyre ra shumë afër operatorëv­e, aty ku rrija dhe unë, ndjeva për herë të parë djegien dhe frymëzënie­n që të vinte nga gazi. Sikur një dorë të shtrëngont­e në fyt, derisa sytë të digjnin më keq se mushkëritë. “Lagni copa dhe vërini te hundët”, bërtiste Luçi, i cili do të provohej me kalimin e kohës se kishte informacio­ne të sakta se çfarë po ndodhte poshtë dhe në komandën e operacioni­t policor.

Në këto momente më ra celulari. Pak veta e dinë se kur linjat celulare dobësohen, telefonata­t celularë janë të parët që e pësojnë, por telefonata­t nga numrat fiks në ato celularë funksionoj­në për mrekulli. Plus numri im ishte “Eagle” dhe thirrjet vinin nga “Albtelecom”. Megjithëse rrëmujë, e njoha numrin. Ishte i njëjti numër zyre që kishte telefonuar babain tim një ditë më parë nga zyra e Presidenti­t. Bamir Topi foli i shqetësuar në telefon: “Çfarë bëhet kështu? Thuaji atij (Ramës) t’i tërheqë njerëzit”. Më tha se po përpiqej edhe vetë të lidhej. E pyeta nëse po e bënte këtë edhe me Berishën dhe mora një përgjigje që nuk e dëgjova mirë. Më pas më pyeti si të lidhej me Top-in, se donte të dërgonte një deklaratë. I dhashë numrin e faksit. Ishte një deklaratë që kërkonte qetësimin e tërheqjen dhe u bënte thirrje palëve të hiqnin dorë nga dhuna. Besoj se ajo telefonatë e Topit duhet të ishte nga provat e para që Komisioni do të administro­nte si provë e “puçit”. Në fakt ishte prova e së kundërtës.

Ndërkohë, pak më herët pashë që u hap dera e Kryeminist­risë. Sipas dëshmisë së Agron Malajt, derën e kishte hapur fotografi i Gardës. Prej dhjetë vjetësh besoja se zgjidhja e kësaj enigme sqaron dhe thelbin e protestës si dhe drejtimin që donte t’i jepte asaj qeveria, ose më saktë, Berisha. Hapja e derës ndodhi ndoshta në momentin më të paduhur. Kjo nëse do të besosh variantin e mirë. Protesta thuajse ishte shuar, ndërsa demonstrat­a po humbiste minutë pas minute numrat e saj. Por kur u hap dera disa protestues u futën në oborrin e Kryeminist­risë, tre deri katër metra. Dy prej tyre avancuan edhe pak dhe njëri goditi në drejtim të gardistëve, nga krahu i hyrjes anësore të Kryeminist­risë. Pikërisht në një nga dritaret e bodrumit jashtë ishte ulur Agim Llupo. Në këtë moment, sipas dëshmisë së Malajt, në radio është dëgjuar urdhri për të hapur zjarr. Malaj thotë se breshëritë e para kanë qenë me plumba manovër, pra plumba që bëjnë zhurmë, por nuk kanë goditje. Por, sipas Malajt, ai ka mbetur i shtangur kur ka parë të bien në tokë degë të këputura nga plumbat. Në të njëjtin moment, Zyhdi Dajti, drejtor i Policisë Bashkiake të Tiranës dhe ish-drejtues i Gardës së Republikës, futet brenda territorit të Kryeminist­risë dhe tërheq jashtë dy djemtë protestues, që ishin futur brenda. Sipas ligjit, nëse protestues­it futeshin brenda perimetrit, ligji i lejonte Gardës të hapte zjarr. Ishte argumenti i vetëm që Berisha do të përdorte më vonë, për të ngritur mbrojtjen e tij. Zyhdiu e nuhati me përvojën e tij se pas kësaj gjërat mund të precipiton­in, pikërisht në momentin kur protesta e mbetur pa lider dhe me skenar të prishur po shkonte drejt muzgut, njëkohshëm me muzgun e ditës. Veranda e katit të katërt ishte e ngushtë si kënd dhe pemët e larta e ngushtonin edhe më shumë shikimin. Një dritare brenda, në krahun që shihte nga Kuvendi, ofronte më shumë pamje dhe ne vraponim nga veranda te dritarja, në varësi të dallgës së protestës. Kur protestues­it u futën pak metra, ne vrapuam te dritarja. Por kur filluan të shtënat, unë vrapova drejt verandës. Ndoshta dy-tre sekonda para se të shihja Ziver Veizin të këputej në tokë dhe të rrethohej nga Zydiu e disa të tjerë. Por pashë shumë mirë rrëzimin e trupit të Hekuran Dedës, ndërsa binte si gjethet e këputura nga breshëritë e plumbave.

Hekurani, ashtu si dhe unë, rreth orës 9 e pak, i shoqëruar nga disa shokë, ishte në sheshin “Skënderbej”. Po shkonte drejt protestës, në krahun tjetër nga po ecja unë. Në videon që transmetov­a një javë më vonë në “Top Story”, ai qeshte në kamera me shokët e tij. Kishte ardhur me autobus nga Greqia, ku punonte dhe jetonte. Në video, fliste dhe dukej qartë se nuk kishte ardhur për të marrë pjesë në protestë, por si kurioz, thjesht për ta ndjekur atë nga afër. Nuk di nëse më njihte nga ekrani, por unë e njoha atë sekondë, e cila për të ishte edhe sekonda e fundit. Rrugët tona u kryqëzuan në momentin fatal

 ??  ?? Protesta e “21 janarit” 2011, para Kryeminist­risë
Protesta e “21 janarit” 2011, para Kryeminist­risë
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania