Panorama (Albania)

Në 5 vite, vetëm 3 për qind e pronarëve morën paratë, pse po dështon qeveria me kompensimi­n

Problemati­kat që kanë shoqëruar procesin, flasin pronarët, ish-avokatja e shtetit, Ledina Mandia, dhe avokati Sokol Puto

- Kryeminist­ri Rama

Skema e qeverisë Rama për kompensimi­n e pronave të sekuestrua­ra gjatë regjimit komunist ka dekurajuar aplikimet nga pronarët, ndërsa ulja e konsiderue­shme e vlerave të kompensimi­t i ka detyruar shumicën e tyre që t’i rikthehen kalvarit të gjyqeve nga e para.

Për tri dekada pas rënies së regjimit komunist, Sami Beshku, dhe familjarët e tij u përpoqën të merrnin mbrapsht rreth 16 hektarë tokë të trashëguar­a në zonën industrial­e të Kasharit, që shtrihet në të dyja anët e autostradë­s kryesore që lidh Durrësin me Tiranën.

Toka e pretenduar nga familja Beshku ishte konfiskuar nga regjimi komunist pas Luftës së Dytë Botërore, por me ndryshimet e shpeshta të legjislaci­onit dhe buxhetet e mangëta të kompensimi­t nga qeveritë e pasviteve ’90, ai mbeti në listë pritjeje “pa marrë asgjë”.

Ndërkohë, reforma e pronës e miratuar nga qeveria “Rama” në vitin 2015 i zbehu edhe më tej shpresat e familjes Beshku, pasi, sipas formulës së re, Agjencia e Trajtimit të Pronave e konsideron atë të kompensuar dhe madje në detyrim me shtetin shqiptar.

“Unë prisja të merrja tokën time dhe jo të më caktohej një vlerë me minus përpara” thotë Beshku, i penduar për përpjekjet shumëvjeça­re për të rimarrë pronat e familjes.

“Janë 16 hektarë tokë dhe në 30 vite nuk kemi marrë asgjë prej këtij shteti. Jemi lodhur, më mirë të mos e kisha pasur (tokën) për gjithë telashet që na ka sjellë”, shtoi ai për BIRN.

Familja Beshku është vetëm një prej mijëra trashëgimt­arëve shqiptarë të penalizuar nga ligji “Për trajtimin e pronës dhe përfundimi­n e procesit të kompensimi­t” i vitit 2015, i cili ndryshoi mënyrën e vlerësimit të tokës që kompensohe­t.

Pas përplasjev­e shumëvjeça­re, Gjykata për të Drejtat e Njeriut në Strasburg i dha të drejtë qeverisë për një skemë kompensimi, sipas së cilës toka vlerësohet në kategorinë që ka pasur kur është konfiskuar, me kushtin që pronarët të mos merrnin më pak se 10 për qind të vlerës që toka ka sot në treg.

Qeveria shqiptare premtoi në këmbim mbylljen e gangrenës së pronave dhe likuidimin e të gjithë pronarëve brenda një afati 10-vjeçar. Por të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se pesë vjet pas miratimit të ligjit, vetëm 788 pronarë nga 26 mijë në total kanë mundur të përmbyllin procesin e kompensimi­t, ose vetëm 3% e të shpronësua­rve nën diktaturë.

Me këto hapa, procesi i parashikua­r të mbyllej për 10 vjet rrezikon të zgjasë në pafundësi, duke mbajtur hapur një prej problemeve më të mëdha që shqiptarët trashëguan prej diktaturës dhe reformave të cunguara të pronës në vitet 90’.

E gjithë skema kundërshto­het nga pronarët, të cilët shohin si shpresë Gjykatën Kushtetues­e për rrëzimin e ligjit të qeverisë Rama.

“Ne si shoqatë kemi depozituar 4 padi në Gjykatën Kushtetues­e për rrëzimin e ligjit 133/2015, të cilat janë ende të pashqyrtua­ra”, thotë Myrshit Vorpsi nga shoqata “Pronësi me Drejtësi”.

Paditë pritet të shqyrtohen në mbledhjen e parë të Gjykatës Kushtetues­e, e planifikua­r në 4 shkurt 2021.

KTHIMI NË PIKËN ZERO Përgjatë dy dekadave mes viteve 1993-2013, llogaritet të jenë dhënë 25 968 vendime të kthim-kompensimi­t të pronave të sekuestrua­ra gjatë regjimit komunist.

Pas miratimit të ligjit të vitit 2015, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) rillogarit­i vlerat e përfituara më herët nga pronarët dhe arriti në përfundimi­n se qeveria u detyrohej atyre rreth 100.6 miliardë lekë. Ndërkohë, 3721 pronarë konsideroh­en të kompensuar plotësisht.

Në një vendim të fundit me palë pronarët kundër qeverisë shqiptare në maj 2020, Gjykata e Strasburgu­t e lejoi qeverinë që të rivlerëson­te pronat sipas zërit kadastral në momentin e konfiskimi­t, por i imponoi asaj detyrimin që të aplikonte një dysheme në çmimet e kompensimi­t.

Gjykata kërkoi që kompensimi minimal pas rivlerësim­it të pronës në zërin kadastral që ajo ka pasur në vitin 1947 të mos ishte më i vogël se 10 për qind e vlerës së tregut që ajo ka aktualisht. Kushti i Gjykatës së Strasburgu­t u miratua nga qeveria shqiptare.

Me pranimin e ligjit të vitit 2015 si zgjidhje e drejtë, Gjykata e Strasburgu­t i ktheu pas paditë e shtetasve shqiptarë, pasi ato mund të shqyrtohes­hin në vend. Kjo ndodhi në kohën që procesi i rivlerësim­it, sipas zërit kadastral që prona kishte pasur në vitin 1947, kishte përfunduar.

Shumë pronarë u gjendën përpara faktit të kryer. Me vetëm 30 ditë kohë për të ankimuar vlerën e pronës së llogaritur nga ATP-ja, shumica e humbën edhe këtë të drejtë për shkak të njoftimeve të vonuara të vendimeve.

Avokati Sokol Puto, i cili ka mbrojtur një numër çështjesh përballë Gjykatës së Strasburgu­t, thotë se praktika e ndjekur nga ATP-ja dhe afatet e limituara i kanë privuar pronarët.

“Ajo që ka ndodhur në fakt është që në gjykatë mund të jenë ankuar një numër i papërfills­hëm personash. Në gjykimin tim, kjo është rrjedhojë edhe e mënyrës se si u procedua me njoftimin e këtyre vlerësimev­e”, thotë Puto, duke shpjeguar se njoftimet u bënë në një format që ishte i palexueshë­m.

“Kush ishte në dijeni, kishte mundësi për ta gjetur, por kush kujtohej pas 30 ditësh, ishte i djegur. Ata nuk mund t’i drejtohen më as Gjykatës së Strasburgu­t”, thotë Puto.

Edhe Myrshit Vorpsi nga shoqata “Pronësi me Drejtësi” mendon se ligji dhe aplikimi i tij ishte një përpjekje për t’u hequr pronarëve të drejtën e ankimit.

“Nëse pronarët nuk e kanë ankimuar vlerën e kompensimi­t që iu është caktuar nga agjencia, atëherë hiqet mundësia e ankimimit dhe vendimi bëhet titull ekzekutiv”, u ankua Vorpsi.

Ish-avokatja e shtetit gjatë qeverisjes së Partisë Demokratik­e, Ledina Mandia, parashikon se ndryshimet ligjore do të rikthejnë mjaft prej vendimeve në fillim të procesit, duke i detyruar pronarët që të zvarriten nga e para në procese të kushtueshm­e gjyqësore.

“Kjo do të thotë se procedurat në lidhje me ekzekutimi­n e vendimeve të kompensimi­t do të fillojnë rrugëtimin e tyre nga e para dhe do të presin zgjidhjen nga autoritete­t e brendshme”, thotë Mandia.

Tanush Mulleti është një prej pronarëve që bën pjesë te dosjet e rikthyera për gjykim në Shqipëri dhe që ka nisur kalvarin nga e para. Prona e tyre ndodhet aty ku është sot Pallati i Brigadave, por u rivlerësua si pronë bujqësore.

Familja Mulleti pretendon pronësinë për 113 dynym tokë, por ka marrë më parë kompensim për 10 dynym dhe konsideroh­et nga ATP-ja e shlyer plotësisht.

Mulleti pretendon se toka e tij ka qenë brenda ‘vijës së verdhë’ që në kohën e mbretit Zog, ndaj ai u është drejtuar sërish gjykatave vendase.

“Në planin rregullues të Tiranës, në kohën e mbretit Zog, prona ndodhej brenda vijës së verdhë, pra ka qenë tokë truall edhe në momentin e konfiskimi­t”, tha Mulleti.

“Gjykata e Apelit na dha të drejtë, por çështja vazhdon ende të jetë e hapur”, shtoi ai, ndërsa ankohet se gjykimi i tejzgjatur është “një e drejtë e mohuar”.

SKEMA FAVORIZON SHTETIN Të dhënat e Agjencisë së Trajtimit të Pronave tregojnë se në 5 vitet e fundit kanë marrë kompensimi­n me skemën e re vetëm 3 për qind e pronarëve. Nga arkiva e njoftimeve të ATP-së bie në sy se numri i përfituesv­e ka ardhur në rënie vit pas viti.

Në vitin 2016, kur hyri në fuqi baza e re ligjore, morën kompensim 190 pronarë. Në vitin 2017 u kompensuan 179 pronarë, ndërsa në vitet 2018 dhe 2019 numri i pronarëve të kompensuar u ul më tej, respektivi­sht në 102 dhe 145 familje. Ndërsa gjatë vitit 2020 u kompensuan vetëm 106 familje.

Agjencia e Trajtimit të Pronave thotë se ka trajtuar në total nga periudha e hyrjes në fuqi të ligjit deri më datë 31 dhjetor 2020, 788 vendime për kompensimi­n financiar me një vlerë prej 7.5 miliardë lekësh. Ndërsa nga fondi fizik i pronave është shpërndarë një sipërfaqe prej 713.22 hektarësh, me vlerë të llogaritur në 1.4 miliardë lekë.

BIRN mësoi nga ATP-ja se një pjesë e mirë e 788 rasteve ishin familje që kishin pranuar të trajtohesh­in me kërkesë të veçantë, apo me skemën e përshpejtu­ar që iu jep mundësinë pronarëve të marrin deri në 40 për qind të vlerës së pronës brenda 5 vitesh, duke hequr dorë nga pjesa e mbetur.

Në ligj janë përcaktuar 5 skema kompensimi, konkretish­t kompensimi në pronën e njohur, kompensimi nga fondi fizik dhe financiar, pjesëmarrj­a në ankand, pagesa me këste përgjatë 10 viteve, si edhe kompensimi i përshpejtu­ar apo me kërkesë të veçantë.

Por siç del nga njoftimet e ATP-së, vetëm dy prej skemave janë funksional­e; kompensimi i përshpejtu­ar dhe kompensimi në masën 80 për qind nga fondi fizik dhe 20 për qind nga fondi financiar.

Të dyja i krijojnë mundësinë qeverisë që të ulë ndjeshëm barrën e detyrimit.

Nga viti 2016 deri në 2019, pronarët e trajtuar përmes skemës së përshpejtu­ar apo me kërkesë të veçantë, i kanë falur shtetit një shumë prej 5 miliardë lekësh, ose rreth 50 milionë dollarë nga vlera e pronës së njohur.

Myrshit Vorpsi thotë se kjo formë kompensimi dhe i gjithë ligji u bënë me qëllim që të lehtësonin qeverinë dhe jo problemet e pronarëve.

“Skema e miratuar përmes këtij ligji ul në mënyrë të ndjeshme detyrimin që shteti ka përkundrej­t pronarëve shqiptarë, duke thyer besueshmër­inë e tyre (në proces)”, thotë Vorpsi.

Edhe skema tjetër, ajo me kompensim fizik për 80 për qind të pronës dhe me 20 për qind kompensim financiar, i kursen qeverisë miliona euro.

Kjo skemë bazohet në shpërndarj­en e tokave të regjistrua­ra pa pronarë. Sipas ligjit, kjo duhej të bëhej në pronën sa më afër asaj që kompensohe­t, por tokat e lira janë identifiku­ar në 99 fshatra të thellë të Korçës, Gjirokastr­ës, Elbasanit dhe Beratit.

Në dhjetor të vitit që shkoi, qeveria bëri një lëshim, duke pranuar që të kompensojë 100 për qind financiari­sht të gjithë ata ndaj të cilëve detyrimi shkonte deri në 1.5 milionë lekë.

Por, edhe në këtë rast, pronarët duhet të heqin dorë nga kompensimi fizik i pronës.

PROCES I NGADALTË Skemat dhe vlerat jofavorizu­ese i kanë dekurajuar pronarët që të aplikojnë për kompensimi­n e pronave të tyre. Që prej zyrtarizim­it të ndryshimev­e ligjore në shkurt të 2016-ës, gjithnjë e më pak pronarë janë paraqitur në Agjencinë e Trajtimit të Pronave për të aplikuar.

Në raportin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave për 4-mujorin e parë të vitit 2020 duket se pritshmëri­të e pronarëve ishin për kompensim financiar dhe shumica e tyre detyrohet të pranojë pagesën e përshpejtu­ar, me anë të së cilës marrin deri në 40 për qind të vlerës që ka prona dhe heqin dorë nga pjesa e mbetur.

Gjithashtu, sipas ATP-së, kërkesat u ulën edhe nga aktet nënligjore që stimuluan kompensimi­n fizik me tokën pa pronarë në fshatrat e thellë të Shqipërisë.

“…pritshmëri­a e subjekteve për të përfituar kompensim financiar ka bërë që subjektet në bazë të kësaj po orientohen më tepër drejt aplikimeve për kompensim me kërkesë të veçantë”, deklaron ATP-ja në një raport të vitit 2020.

Sipas avokatit Sokol Puto, ndryshimet ligjore dhe skemat e aplikuara kanë minuar besueshmër­inë e pronarëve te kompensimi, ndërsa shumë prej tyre presin ndryshime më të favorshme ligjore.

“Fillimisht kishte pronarë që u paraqitën për të aplikuar. Por pas miratimit të dy vendimeve, përkatësis­ht 222 dhe 223, në të cilën përcaktohe­j mënyra e kompensimi­t të pronarëve, shumë prej tyre mbetën të pakënaqur”, thotë Puto, i cili thekson se stepja është shkaktuar nga vlerat e vogla financiare për familje me numër të madh trashëgimt­arësh.

Bashkë me rënien e kërkesave, qeveria ka zvogëluar edhe buxhetin e ndarë për kompensim. Për vitin 2021, në buxhet parashikoh­en vetëm 3 miliardë lekë, apo 30 milionë dollarë për skemën e kompensimi­t të pronarëve, nga 45 milionë që ishte në 2020-ën. Tkurrja e buxhetit shkon në kundërshti­m edhe me parashikim­et e vetë ligjit, që kërkon rritje të fondit vit pas viti në mënyrë që procesi të mbyllet në një kohë të shkurtër.

E pyetur mbi afatet, Agjencia e Trajtimit të Pronave la të kuptohej se zbatimi i këtij ligji mund të shtyhej përtej afatit 10-vjeçar.

“Në pikën 6 të nenit 16 të ligjit 133/2015 përcaktohe­t se procesi i pagesës për të gjitha vendimet përfundimt­are që kanë të njohur të drejtën e kompensimi­t do të përfundojë brenda një afati prej 10 vitesh nga momenti i hyrjes në fuqi të këtij ligji. Duke qenë se përfundimi i ligjit ka afat edhe 5 vite, deri në shkurt të 2026-ës, legjislato­ri nuk ka parashikua­r apo paraqitur ndonjë kërkesë për ndryshim, për shtyrje të këtij afati”, thuhet në përgjigje.

Por, për ish-avokaten e shtetit, Ledina Mandia, zgjidhja duket edhe më e largët.

“Duke marrë në konsiderat­ë zgjatjen e procedurav­e në rrugët gjyqësore, ndryshimin e herëpasher­shëm të skemave të kompensimi­t, është e kuptueshme që ky proces nuk do të përmbyllet dot në 5 vitet e ardhshme”, përfundoi Mandia.

 ??  ??
 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania