Panorama (Albania)

Kryeopozit­ari i arrestuar rus hyn në grevë urie

-

Lideri i burgosur i opozitës ruse, Aleksei Navalny, të mërkurën është futur në grevë urie. Në një postim në “Instagram”, i cili u publikua nga avokatët e tij, Navalny tha se kërkon trajtim mjekësor për dhimbjet e rënda në shpinë dhe për mpirjet e këmbëve. Navalny, 44 vjeç, aktualisht ndodhet në “Koloninë Korrektues­e Nr. 2”, një burg rreth 100 kilometra larg Moskës. Burgu njihet si një prej burgjeve më të ashpra në Rusi. Navalny është arrestuar në një aeroport të Moskës në muajin janar, menjëherë pasi është kthyer nga Berlini, ku është kuruar dhe shëruar nga helmimi me agjent nervor. Ai u helmua në muajin gusht në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorë­t perëndimor­ë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë “Novichok”. Navalny ka thënë se atentati kundër tij është urdhëruar nga Presidenti rus, Vladimir Putin, i cili i ka hedhur poshtë këto pretendime. Në fillim të shkurtit një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navalny gjatë kohës që ka qenë në Gjermani ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësim­it të fondeve. Gjykata ka urdhëruar që Navalny të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg. Gjendja shëndetëso­re e tij është deklaruar javën e kaluar nga aleatët e tij. Navalny ka thënë se vuan nga dhimbje të forta në shpinë dhe se autoritete­t e burgut nuk janë duke bërë asgjë për të zgjidhur problemin. Në fillim të këtij muaji Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Europian kanë sanksionua­r disa zyrtarë rusë për “përfshirje në helmimin e Navalny”. Rasti i tij ka shkaktuar edhe një valë protestash në Rusi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania