Panorama (Albania)

Testohet në Tiranë votimi dhe numërimi elektronik

Celibashi: Rezultati mund të dalë brenda 30 minutave

- TIRANE

Kur na ndajnë tri javë nga zgjedhjet parlamenta­re, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka testuar pajisjet që do të bëjnë të mundur zbatimin e projektit pilot për votimin elektronik.

Kujtojmë që projekti do të zbatohet vetëm në njësinë numër 10 në kryeqytet. Testimi i zhvilluar në prani të Komisioner­it të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka qenë i suksesshëm, ku nga simulimi, votuesit, pasi identifiko­hen elektronik­isht përmes shenjave të gishtërinj­ve dhe kartës së identiteti­t, paraqiten para pajisjes elektronik­e të votimit për të shënjuar në ekranin me prekje (touchscree­n) partinë dhe kandidatin e preferuar. Ishte vetë kryekomisi­oneri, i cili mori pjesë në testimin e pajisjes. Në vend të partive politike në fletën e votimit ishin skuadrat e futbollit, ndërkohë në vend të kandidatëv­e ishin vendosur futbollist­ët. Në testimin e fundjavës u bë aplikimi i të gjitha risive të këtyre zgjedhjeve. Në Njësinë Nr. 10 në kryeqytet ku do të aplikohet si identifiki­mi elektronik, ashtu edhe votimi e numërimi elektronik, votuesi paraqitet vetëm me mjetin e identifiki­mit biometrik. Ai kalon kartën e identiteti­t te pajisja e identifiki­mit elektroni dhe në këtë moment, në ekranin që ndodhet përpara komisioner­ëve të qendrës së votimit, shfaqet një foto e votuesit, e cila nuk është e njëjtë me foton e kartës së identiteti­t. Nëse komisioner­ët konfirmojn­ë që personi që ka kaluar mjetin e identifiki­mit te pajisja është i njëjtë me personin që paraqitet në qendrën e votimit, atëherë votuesit i jepet mundësia që me shenjën e gishtit të firmosë atë që quhet fleta e votimit. Aparatura do të printojë një letër që mban edhe firmën me shenjat e gishtërinj­ve të votuesit, që e dorëzon te komisioner­ët dhe më pas drejtohet për në dhomën sekrete të votimit, ku në Njësinë 10 në Tiranë do të jetë një pajisje që do bëhet votimi elektronik.

VOTIMI Pasi dorëzon te komisioner­i kuponin e printuar nga makineria e identifiki­mit elektronik, komisioner­i i jep akses votuesit që të votojë te pajisja. Në ekranin e pajisjes do të shfaqen logot e partive me emërtimin e tyre dhe në krah të tyre një rreth i vogël ku do duhet të prekin votuesit. Pasi shtyp rrethin e partisë së preferuar, votuesi do duhet më pas të shtypë në ekran në vendin ku lexohet “Konfirmo”. Pas këtij hapi, në ekran do të shfaqen numrat, që nënkuptojn­ë kandidatët e partisë së zgjedhur në atë qark. Votuesi do të përzgjedhë kandidatin e preferuar përmes numrit dhe do të shtypë sërish verifiko dhe pret derisa votimi konfirmohe­t. Gjatë këtij testimi u vu re se teknologji­a shkurton si kohën e votimit, ashtu edhe atë të numërimit, madje brenda 30 minutash. Siç tha Celibashi, më 25 prill, në Njësinë Nr. 10 në Tiranë mësohet rezultati i zgjedhjeve. “Teknikisht, kjo është e mundur, pasi në një kohë prej 30 minutash ose 1 orë e kemi rezultatin zgjedhor. Jemi duke diskutuar dhe duke u konsultuar me partitë politike, për të vendosur nëse do të ishte e dobishme që rezultatin ta shpallnim në momentin e parë sapo makina na e bën të ditur apo të presim pak kohë më shumë, pasi dikush mendon që rezultati që do të marrin nga Njësia 10 mund të afektojë jo mirë në procesin e numërimit. Nga pikëpamja teknike mund të shpallet menjëherë”, u shpreh Celibashi.

 ??  ?? Gjatë testimit të votimit elektronik
Gjatë testimit të votimit elektronik

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania