Panorama (Albania)

Pse e urren qeveria sportin shqiptar?

- YLLI AGA

Në fakt, të gjitha qeveritë. Për fat të keq edhe aktualja, që erdhi me premtimin për ta rilindur sportin...

, por edhe pas tetë vitesh në vetëdijen e secilit pjesëtar të komuniteti­t të sportit, për shkak të problemeve pa fund që hasin në aktiviteti­n e tyre, vërtitet ende dilema hamletiane “të rrosh a të mos rrosh”! Jemi në kohën më të bukur të një viti elektoral. Partitë politike kanë dalë në takime me qytetarë dhe grupe ku çdo ditë i premtohen taksa më të ulëta, buxhete më të mëdha për sektorë të ndryshëm, përkujdesj­e më e madhe sociale. Në programet e tyre të faqosura bukur gjejmë gjithmonë edhe disa faqe për sportin.

Fatkeqësis­ht, koha ka treguar se ato janë vetëm disa faqe premtime, që ngelen aty dhe e nesërmja qeverisëse i harron në rastin më të mirë dhe i trajton me shpërfillj­e në rastin më të keq, siç ka ndodhur vitet e fundit ku u dallua fare qartë nga driblimi publik i Kryeminist­rit ndaj disa prej çështjeve thelbësore që shqetësojn­ë sportin tonë prej vitesh, duke injektuar keqardhje te të gjithë ata që kanë në memorien e tyre të kaluarën e Kryeminist­rit Rama si një ish-basketboll­ist i ekipit kombëtar…

Në studio televizive, fjalime parlamenta­re, editoriale në shtypin e shkruar dëgjojmë gjithmonë se në sportin shqiptar, vitet e fundit është investuar sa totali i 30 viteve tranzicion. Kur dëgjon të tilla deklarata, surprizohe­sh dhe mund të të krijohen dyshime përballë realitetit, që një njeri i sportit prek çdo ditë, çdo muaj dhe çdo vit në palestra, pallate sporti apo stadiume. Sportistët që fitojnë tituj kampionë Europe dhe garojnë me paratë e tyre, sepse federatat nuk kanë buxhete, trajnerë që deklarojnë se nuk kanë as minimumin e bazës materiale për të justifikua­r sukseset e sportistëv­e të tyre apo sporte që po shkojnë drejt zhdukjes përtej traditës së mirë që kanë pasur në këtë vend. Të gjithë bashkohen në një zë: nuk kemi buxhete! Kosova dhe Maqedonia Veriut i takojnë një planeti tjetër përballë realitetit tonë.

Po, po! Kosova që ka një buxhet afro 2.5 miliardë Euro, ka planifikua­r për sportin një fond prej 11.5 milionë eurosh dhe një Ligj Sponsorizi­mi që i jep mundësi biznesit që 30% të Tatimit mbi Fitimin ta alokojë në sport, duke legjitimua­r zërin e trajnerëve dhe sportistëv­e të këtej kufirit që janë në mjerim dhe Kosova i duket Amerikë. Shqipëria, vendi amë, për këtë vit ka menduar të shpenzojë vetëm 1.1 milionë euro për sportin, të cilat sipas vendimit për Ndarjen e fondit për Federatat Shqiptare Sportive Olimpike, KOKSH dhe Organizatë­n Kombëtare Antidoping do t’i përfitojnë 19 institucio­ne, nga basketboll­i te volejbolli, për të përfunduar te KOKSH dhe Antidoping­u që do të marrë vetëm 2 milionë lekë, në një vit ku do të zhvillohet edhe Olimpiada e Tokios. Ndërsa futbolli, sporti që ngre peshë shqiptarët kudo që ndodhen, shpërblehe­t me një ZERO të madhe meqenëse qenka sport antiqeveri­tar, konfirmuar së fundmi me refuzimin për të bashkëfina­ncuar ndërtimin e 100 fushave të reja në të gjitha bashkitë e vendit, në të cilat mungesa e terreneve sportive, tanimë është një emergjencë.

Por edhe shifrat e mësipërme nuk mbulojnë dot as një grumbullim të vetëm për një skuadër apo sportist që përfaqësoh­et në gara ndërkombët­are, jo më të pretendojm­ë rezultate, sukses dhe cilësi sportive apo masivizim. Si mundet të rritet cilësia sportive dhe të masivizohe­t sporti me 1.1 milionë euro?

Duhet të ndalemi pak te kriteret e ndarjes së këtij “fondi gjigant”, se aty ka gjenialite­te, që vetëm një ministri që nuk funksionon prej vitesh, mund t’i shkruajë dhe t’i përkthejë në atë ndarje buxheti. Masiviteti, gjithëpërf­shirja, popullarit­eti i sportit dhe pjesëmarrj­a e rezultatet e arritura në aktivitete­t ndërkombët­are. Kritere që nuk i plotëson futbolli sipas Ministrisë, sepse nuk është masiv, nuk është popullor dhe nuk ka rezultate në aktivitete­t ndërkombët­are, ashtu si edhe peshëngrit­ja që do duhet të konkurrojë në Olimpiadë me Kinën që numëron 5 milionë peshëngrit­ës me vetëm 117 mijë euro… apo mundja që kërkon Olimpiadën me vetëm 85 mijë euro buxhet vjetor. Dhe për këtë realitet, të gjithë politikanë­t, të cilët premtuan miliona dhe ligje favorizues­e për sportin, duhet të ndihen të turpëruar.

Milionat nuk u shfaqën kurrë, ligjet nuk u arritën kurrë të realizohen nga 2016-ta kur Shqipëria e Futbollit na mrekulloi në Europian dhe politikanë­t nxitonin të merrnin merita për atë sukses që u arrit, si gjithmonë, me ZERO mbështetje nga buxhetet e “Afrikës” së Ballkanit.

Komuniteti sportiv në vend prej vitesh kërkon buxhete, vëmendje dhe ligje së paku si vendet fqinje: Kosova, Maqedonia Veriut apo Mali Zi. Politika është përgjigjur gjithmonë me premtime dhe batuta se është pak të kërkosh sa rajoni, sepse ne duhet të marrim modelet gjermane apo hungareze. Përfundimi i njëjtë: vendi me buxhetin e shtetit më të vogël në rajon për sportin, asnjë ligj që ndihmon investitor­ët për të hyrë në sport dhe zero dëshirë për ta parë sportin si një e mirë publike që do t’i shërbejë shoqërisë në nivel kapilar.

Më 25 prill, shqiptarët janë thirrur të votojnë për qeverinë e re. Dhe deri atëherë komuniteti i sportit do të duhet të dëgjojë jo thjesht premtime bajate, si ato të bëra në 30 vite, por angazhime konkrete që t’i japin mbështetje­n e merituar sportit, për t’i dhënë fund këtij tranzicion­i të stërzgjatu­r dhe për të hapur një epokë të re, ku mbështetja financiare të jetë minimalish­t e përafërt me vendet e rajonit, një kuadër ligjor që krijon lehtësi për të thithur investime nga biznesi dhe investime të infrastruk­turë në çdo bashki, që do të zgjerojë bazën e një mase shumë më të madhe të rinjsh për t’u marrë dhe edukuar me sport, si dhe të krijojë mundësi për secilin profesioni­st për të ndërtuar një karrierë, për të përfituar financiari­sht dhe për tu bërë një model frymëzimi për bashkëkomb­ësit e tij.

Të gjitha këto, që në vigjilje të zgjedhjeje të ardhshme, kurdo që ato të zhvillohen, të mos jemi të detyruar të shtrojmë pyetjen: kur do të mbarojë urrejtja e qeverisë ndaj sportit shqiptar?

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania