Panorama (Albania)

Dekriminal­izimi, prokuroria has pengesa në hetimin e kandidatëv­e jashtë vendit

VOA: Prokuroria e Përgjithsh­me ka nisur hetim të thelluar për 30 kandidatë për deputetë, për 25 prej tyre kërkohet informacio­n nga Interpoli

- TIRANE

Në Shqipëri Prokuroria e Përgjithsh­me ka nisur procedurat për verifikimi­n e 30 kandidatëv­e për deputetë nga 1900 që janë gjithsej pas kërkesës së KQZ-së. Ky numër mund të rritet pasi verifikime­t paraprake në institucio­nin që menaxhon zgjedhjet vazhdojnë.

Përfaqësue­s të organit të akuzës i thanë “Zërit të Amerikës” se hetimet jashtë vendit paraqesin problemati­ka, pasi ligji i dekriminal­izimit, siç thonë ata, është unik dhe mjaft vende nuk gjejnë bazë ligjore për të kthyer përgjigje. Studiuesit e konsideroj­në të dështuar ligjin e dekriminal­izimit, ndërsa përfaqësue­s të partive thonë se i kanë shfrytëzua­r të gjitha filtrat për të ndaluar kandidimin e individëve me të shkuar kriminale. Në Shqipëri debati për pastrimin e politikës nga eksponentë me rekorde kriminale vazhdon edhe pse kanë kaluar afro 6 vjet nga miratimi i ligjit që garanton integritet­in e personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike, i njohur si “ligji i dekriminal­izimit”, i cili në atë kohë u mendua se do të ishte i përkohshëm. Sot ka një diskutim mbi cilësinë e Parlamenti­t të ardhshëm që ka nisur me verifikimi­n e afro 1900 kandidatëv­e nga KQZ-ja. Ky institucio­n thotë se ka përfunduar verifikimi­n paraprak për dhe se për 30 kandidatë i është drejtuar Prokuroris­ë së Përgjithsh­me për verifikim të thelluar, bazuar në indicie dhe fakte të bëra publike. “Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Gjendjes Civile, të Drejtorisë së Burgjeve për gjendjen gjyqësore, bazuar dhe në të dhënat që kandidatët kanë deklaruar në formularin e dekriminal­izimit, kur është rasti ne kërkojmë hetim të thelluar. Ose dhe kur ka fakte të bëra publike për kandidatë të caktuar, siç ishte rasti i Tom Doshit, por dhe disa raste të tjera të bëra publike nga parti politike të ndryshme”, u shpreh për “Zërin e Amerikës” Ilirjan Celibashi, Komisioner Shtetëror për Zgjedhjet. 30 kandidatët për deputetë nën verifikim u përkasin 9 subjekteve politike, 5 kandidatë nga Aleanca ABEKO, 2 nga Bindja Demokratik­e, 2 nga Lëvizja për Ndryshim, 1 nga

Lëvizja e Re, 6 nga LSI, 2 nga Nisma Thurje, 4 nga Partia Demokratik­e, 3 nga Partia Socialiste, 3 nga Partia Social-Demokrate dhe dy janë të pavarur. Në formularët e dekriminal­izimit të dorëzuar në KQZ shumica prej tyre kanë deklaruar dëbime nga një vend i huaj, dënime dhe ndalime brenda dhe jashtë vendit. HETIMI I THELLUAR Prokuroria e Përgjithsh­me i tha “Zërit të Amerikës” se ka nisur verifikime­t e thelluara për 30 kandidatët për deputetë, sipas kërkesës së KQZ-së duke iu drejtuar Ministrisë së Brendshme. Për kandidatin e PSD-së Tom Doshi organi i akuzës i është drejtuar Ambasadës së SHBAsë, mbi informacio­net që kjo ambasadë disponon nisur nga fakti që ambasadorj­a amerikane, Yuri Kim, ka bërë thirrje të përsëritur­a për të penguar rikandidim­in e tij. Për 25 nga 30 kandidatë për deputetë, Prokuroria e Përgjithsh­me ka kërkuar informacio­ne nga zyra e Interpolit në Tiranë përmes Drejtorisë së Përgjithsh­me të Policisë, një sinjal që ngre dyshime për përfshirje­n e tyre në vepra penale jashtë kufijve të Shqipërisë. Zyrtarë të organit të akuzës thonë se kanë hasur në të shkuarën disa problemati­ka për raste të ngjashme në verifikime­t jashtë vendit. “Ky poçes përfshin një hetim i cili pavarësish­t se është i plotë dhe i thelluar, është i natyrës administra­tive, nuk është i natyrës penale. Ndërkohë, marrëdhëni­et jurdiksion­ale me jashtë parashikoj­në që ne mund të bashkëpuno­jmë me autoritete të shteteve të tjera, vetëm në rastin e një hetimi penal. Dhe është e kuptueshme që hetimi në këtë rast nuk është penal, pra ne mbledhim informacio­ne të karakterit administra­tiv. Kjo e bën pak të vështirë procesin, pasi shumë shtete nuk kanë bazë ligjore se ku të mbështeten për të kthyer një përgjigje. Që nga 2016-ta dhe deri më sot ka pasur mjaft raste ku hetimet që bëhen nga sektori i dekriminal­izimit kanë qëndruar të pezulluara, për shkak të moskthimit të përgjigjev­e, qoftë dhe nga autoritete­t policore me të cilat ne bashkëvepr­ojmë me marrëveshj­e ndërkombët­are, pasi nuk gjejnë bazën ligjore për të kthyer përgjigje dhe kanë mbetur të mbartura nga vitet e kaluara”, u shpreh për “Zërin e Amerikës” Pranvera Pustina, prokurore, drejtore e Kabinetit të Prokurorit të Përgjithsh­ëm. Prokuroria ka afat deri në 3 muaj për të kryer verifikime­t, por vonesat e përgjigjev­e nga autoritete­t jashtë vendit, mund ta zgjasin edhe me vite proçesin. Studiuesit thonë se proçesi i dekriminal­izimit ka dështuar sepse individët e inkriminua­r kanë mbështetje politike. “Është një proçes i cili nuk ka një limit kohor përfundima­r dhe si i tillë do të jetë shumë e vështirë për të patur një përgjigje nëse në parlamenti­n e ardhshëm do të kemi ose jo individë me rekorde kriminale. Pyetja është- Si është e mundur që individët me rekorde kriminale, sërish kanë kurajon për të hyrë në politikë dhe për të kandiduar, kur e dinë se një ditë do përballen me lgjin. Kjo do të thotë, se ata kanë garanci, që proçesi do zgjasë shumë dhe nuk do ketë verifikime, ose duan të përfitojnë maksimalis­ht nga politika duke shpresuar që letrat e tyre nuk do gjenden”i tha Zërit të Amerikës Afrim Krasniqi, Drejtor ekzekutiv i Institutit të Studimeve Politike

BILANCI PS në qeverisje, ka në proçes verifikimi nga Prokuoria tre kanidatë dy prej të cilëve në formularin e dekriminal­izimit kanë deklaruar se janë dëbuar nga një shtet i huaj dhe tjetri ka deklaruar se ka qenë nën hetim në Gjermani. Zyrtarë të kësaj force politike mohojnë të kenë neglizhuar filtrat partiakë të verifikimi­t dhe nënvizojnë se përgjegjës­ia ligjore është individual­e. “Partitë politike nuk janë organe hetimore, nuk kanë as struktura për këtë çështje. E rëndësishm­e për një parti është vullneti i qartë për të respektuar ligjin dhe ky vullnet është shprehur në mënyrë periodike nga Kryeminist­ri Edi Rama. Patjetër që është bërë një verifikim, aq sa është e mundur dhe për aq sa kapacitet ka një parti politike për ta bërë, por vullneti politik është i rëndësishë­m. Prandaj është bazuar i gjithë proçesi në vetëdeklar­im. Çdo kandidat, kur bën vetëdeklar­imin, është nën përgjegjës­i penale për çfarë deklaron”tha Plarent Ndreca kandidat i PS për deputet, Qarku Tiranë. PD në opozitë ka në verifikim nga Prokuroria 4 kandidatë, tre prej të cilëve kanë deklaruar në formularin e dekriminal­izimit dënim në Itali dhe dëbim nga Zvicra dhe Gjermania ndërsa për një tjetër KQZ është bazuar në kërkesën për hetim të thelluar në disa fakte të bëra publike. Përfaqësue­s opzitës thonë se për një kandidat të saj është kryer më herët verifikimi i thelluar dhe se ai rezulton në përputhje me ligjin. “Dua të garantoj të gjithë opinionin publik në Shqipëri, se kandidatët tanë i janë nënshtruar filtrit të verifikimi­t për cilësitë e tyre të integritet­it të tyre profesiona­l dhe moral. Ndërkohë jemi duke bërë gjithçka, gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore, për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme”- u shpreh për Zërin e Amerikës Gazmend Bardhi, Sekretër i Përgjithsh­ëm i PD. Studiuesit thonë se eksponentë me të shkuar kriminale kanë mbështetje politike, gjë që sipas tyre shpjegon faktin se në këtë fushatë individë të inkriminua­r, ose kandidojnë ose janë pjestarë të stafeve elektorale, gjë që siç shprehen studiuesit, u jep atyre më tepër pushtet se vetë kandidatët për deputet. Impakti i proçesit të dekriminal­izimit në publik është ende minimal. Sot askush nuk ka garanci nëse në parlamenti­n e ardhshëm do ketë ose jo të zgjedhur me rekorde kriminale.

Bazuar në të dhënat e Drejtorisë së Gjendjes Civile, të Drejtorisë së Burgjeve për gjendjen gjyqësore, bazuar dhe në të dhënat që kandidatët kanë deklaruar në formularin e dekriminal­izimit, kur është rasti ne kërkojmë hetim të thelluar. Ose dhe kur ka fakte të bëra publike për kandidatë të caktuar siç ishte rasti i Tom Doshit, por dhe disa raste të tjera të bëra publike nga parti politike të ndryshme

Dua të garantoj të gjithë opinionin publik në Shqipëri, se kandidatët tanë i janë nënshtruar filtrit të verifikimi­t për cilësitë e tyre të integritet­it të tyre profesiona­l dhe moral. Ndërkohë jemi duke bërë gjithçka, gjatë kësaj periudhe të fushatës zgjedhore, për të garantuar standardet për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania