Panorama (Albania)

Kushtetues­ja i ndalon Policisë së Shtetit të përgjojë qytetarët

“Ligji vendos kufizim të së drejtës kushtetues­e të jetës private. Përgjimi, vetëm me lejen e Prokuroris­ë dhe Gjykatës”

-

Gjykata Kushtetues­e pezulloi dje zbatimin e nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, duke i ndaluar asaj të përgjojë qytetarët pa lejen e Prokuroris­ë dhe Gjykatës.

Në njoftimin për vendimin e saj, Kushtetues­ja thotë se ky ligj së bashku me pikë 29/1 të nenit 6, vendos kufizim të së drejtës kushtetues­e të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues sipas nenit 17 të Kushtetutë­s. Sipas saj, ligji prek njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik. Kushtetues­ja sqaron se ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit për përgjimet e qytetarëve. Shfuqizimi i këtij neni nga kushtetues­ja erdhi pas padisë dhe kërkesës që bëri Avokati i Popullit dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit. Sipas tyre, ligji ishte antikushte­tues pasi shkelte liritë dhe të drejtat e qytetarëve. Në seancën e zhvilluar në datë 1 korrik përfaqësue­sit e Kuvendit në Gjykatën Kushtetues­e argumentua­n se ndryshimet u miratuan në funksion të parandalim­it të veprave penale, por trupa gjykuese nuk e ka marrë aspak në konsiderat­ë këtë pretendim të Kuvendit. Miratimi i këtij ligji në Kuvendin e Shqipërisë u shoqërua me debate të forta dhe akuza. Opozita akuzoi qeverinë se po tenton të përgjojë qytetarët në shkelje të të drejtave të tyre dhe parimeve kushtetues­e. Ajo kërkoi që atëherë që deputetët të mos votonin një ndryshim të tillë në ligj, pasi kjo prekte në mënyrë të drejtpërdr­ejtë jetën e tyre private. Rrëzimi i nenit që u ndryshua në ligjin për Policinë e Shtetit për përgjigjet nga gjykata Kushtetues­e duket se i ka dhënë të drejtë pretendime­ve mbi nenin e shumë diskutuar në ligjin “Për Policinë e Shtetit”. Kujtojmë që edhe Presidenti i Republikës Ilir Meta i ktheu mbrapsht Kuvendit ndryshimet në ligjin ‘Për Policinë e Shtetit’ si në kundërshti­m me Kushtetutë­n, cenonte liritë dhe të drejtat e qytetarëve, si dhe krijonte mundësi abuzimi ndaj qytetarëve. Madje edhe në Komisionin e Sigurisë në atë kohë pati debate për rolin që do të ketë neni i ri në këtë ligj. Por, ish-ministri i Brendshëm në atë kohë, Sandër Lleshaj, u shpreh se Policia shqiptare ka më pak atribute në krahasim me vendet e tjera të BE-së dhe ndryshimi i ligjit do t’i jepte një atribut më shumë”. Vendimi i djeshëm i Kushtetues­es nënkupton se Policia nuk mund të kryejë përgjime të qytetarëve, në rrugë, ambiente publike mjetet e transporti­t publik, bisedat telefonike pa marrë më parë lejen e Prokuroris­ë ose Gjykatës.

NJOFTIMI I GJYKATËS Gjykata Kushtetues­e e Republikës së Shqipërisë në seancën plenare publike të datës 01.07.2021 mori në shqyrtim çështjen me kërkues Avokatin e Popullit dhe Komitetin Shqiptar të Helsinkit, me objekt:

- Shfuqizimi i nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, si i papajtuesh­ëm me Kushtetutë­n e Republikës së Shqipërisë dhe Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

- Pezullimi i zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimt­ar të Gjykatës Kushtetues­e.

Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetues­e vlerësoi se:

- Neni 131, i lidhur me nenin 6, pika 29/1, i ligjit nr. 108/ 2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, vendos kufizim të së drejtës kushtetues­e të jetës private, duke mos respektuar kriterin kushtetues “vetëm me ligj”, sipas nenit 17 të Kushtetutë­s, pasi ligji nuk rregullon në mënyrë shteruese dhe të qartë “masat e veçanta”, që zbaton Policia e Shtetit, duke prekur njëherazi edhe parimin e sigurisë juridike në drejtim të saktësisë së ligjit dhe koherencës së rendit juridik. Për këto arsye Gjykata Kushtetues­e, VENDOSI: Pranimin e kërkesave. 2. Shfuqizimi­n e nenit 6, pika 29/1 dhe të nenit 131 të ligjit nr. 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar.

3. Pezullimin e zbatimit të nenit 131 të ligjit nr. 108/ 2014 “Për Policinë e Shtetit”, të ndryshuar, deri në hyrjen në fuqi të vendimit përfundimt­ar të Gjykatës Kushtetues­e. Vendimi përfundimt­ar i arsyetuar do të shpallet brenda afateve të parashikua­ra nga ligji nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimi­n dhe funksionim­in e Gjykatës Kushtetues­e të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania