Panorama (Albania)

Disa fjalë për një Njeri si Urani

- AGIM BAÇI

Nuk deshi kurrë që të dukej një hero. I tha gjërat e tij, herë me vargje, herë me dëshmi. Nuk rrahu gjoksin për atë që kish kaluar. Madje, vuri një kapelë republike që të mos jepte shumë shpjegime për shenjën e plumbit që mori pak mbi ballë teksa tentoi të prekte fundin përballë torturave dhe poshtërimi­t në burg.

Zoti deshi që ai të jetonte pas daljes nga rrathët e ferrit për të na treguar në këto vite se nuk ka justifikim për bashkëjete­sën me të keqen. Mbajti në mendje atë që i duhej ta përcillte për të tjerë, duke i dëshmuar se e keqja që kaluam ishte pikërisht e aplikuar nga njerëzit rreth nesh, nga ata që i kemi ende gjyshër apo prindër, që mund të bien pre e së keqes sërish nëse nuk kemi ditur të flasim për të keqen që pësuam dhe trashëguam nga ajo e shkuar. Libri i tij, “Epopeja e karkalecav­e”, i kaloi muret e burgut, sepse ai i sistemoi brenda mendjes së tij, brenda kujtesës së tij, ashtu siç dëshmoi për gjithçka që mësoi nga Ejll Çoba, nga Koço Tasi, Kudret Kokoshi, Dom Nikollë Mazreku, e shumë bashkëvuaj­tës të tjerë, nga të cilët mori dashurinë për jetën, fuqinë për të dalë më i fortë përballë atyre që bënë gjithçka për ta thyer.

Uran Kostreci nuk deshi medalje për atë çfarë bëri në diktaturë. Nuk trokiti kurrë për të marrë rolin e triumfator­it. Thjesht dëshmoi për atë që kish parë e përjetuar nën një regjim ku njeriu veç denatyrohe­t. Ai përsëriste shpesh se, në një regjim që rrëzon traditën, besimin në Zot, që nuk pranon mendimin ndryshe, e për pasojë, që në vend të Lirisë jep robërinë dhe dorëzimin, do të prodhojë një shoqëri që fle në prehrin e së keqes.

Fatkeqësis­ht, Uranin ne do ta përcjellim për në botën tjetër, pa arritur t’i themi të vërtetat e së shkuarës. Sepse në këto tridhjetë vjet, ne si shoqëri më shumë folëm për ato çfarë ndodhën në ish-bllokun komunist, për dëshirat perverse të diktatorit dhe miqve të tij, sesa për atë çfarë u bëri diktatori bashkëqyte­tarëve të tij, duke i vrarë herë pa gjyq e herë me palo gjyqe, duke u marrë pronën e duke i syrgjynosu­r, duke i poshtëruar e dhunuar.

Në këto tridhjetë vjet, ne nuk arritëm dot të kishim gjyqin e duhur të krimeve të së shkuarës, nuk arritëm të bënim dekomunist­imizmin. Në vend Uranit dhe miqve të tij, që kishin kaluar në kalvarin e madh të ferrit të diktaturës komuniste, folën ata që kishin mbajtur në këmbë të keqen, duke bërë gjithçka që e vërteta të mos zbulohej, që krimi të mos zbardhej.

Urani nuk pranoi të ishte “Mendja e robëruar” dhe kudo që shkonte të fliste me të për të shkuarën në diktaturë, ai u kërkonte që të gjenin rrugën për të mos shkelur dinjitetin, për të mos jetuar nën poshtërim dhe frikë.

Kushdo që e ka njohur, e ka ndjerë menjëherë se Urani diti të ndërtonte një botë ideale brenda mureve të diktaturës dhe një botë të lirë për fjalën e tij, për mendimet e tij. Por peng i mbeti pafuqia jonë për ta ndëshkuar të keqen.

…Urani ishte një Njeri. Nuk deshi të shihej kurrë si hero, por veçse na ftoi të shihnim nga e shkuara dhe e ardhmja jonë, duke guxuar të jemi me dinjitet e të gjejmë rrugët e të mbetemi njerëzor.

Le të lutemi që Zoti ta marrë pranë vetes!

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania