Panorama (Albania)

Një kujtimhoma­zh për Uran Kostrecin

- URAN BUTKA

E kini vënë re që Uran Kostreci mbante mbi krye vazhdimish­t një kapele republike? Ai nuk e hiqte kurrë, veçse kur flinte, gjithnjë i vetmuar dhe i heshtur, si në burg, ndonëse tashmë i lirë. Ai e mbante kapelën në kokë, që të mos i dukej shenja e plumbit mbi ballë, që të mos dukej si hero apo si viktimë, por si një njeri i zakonshëm, ndonëse i lirë dhe poet përbrenda.

Me Uran Kostrecin jemi njohur në fillim të vitit 1991, pasi kishte dalë nga burgu, kur ai vinte nga Elbasani, tek banonte, për në Tiranë, ku e kishte selinë Shoqata e të Përndjekur­ve Politikë. Mandej, kur u themelua gazeta “Liria”, organ i kësaj shoqate dhe ai u caktua kryeredakt­or i parë i saj, bashkëpuni­mi dhe miqësia jonë u shtua.

Ai ishte një njeri krejt i veçantë. Profilin e tij, sidomos sjelljen, ia ka theksuar më së shumti jeta në burg, ku njeriu ose shkatërroh­ej krejtësish­t, ose dilte më i fortë e më i mençur- siç ndodhi me Uranin. U dënua për tentativë arratisjej­e dhe, natyrisht, sepse ishte i biri i Fuat Kostrecit, nacionalis­t dhe antikomuni­st nga Kostreci i Dangëllisë, i burgosur politik edhe ai, me akuzën e rreme se bënte pjesë në një grup armiqësor në Kolonjë.

Në Burgun e Burrelit, Urani pati fatin të njihte personalit­ete të shquara si Engjëll Çobën, i cili i dha mësime italishtej­e dhe e kalli në botën poetike të Dante Aligierit; Koço Tasin, që i dha mësime filozofie; Kudret Kokoshin, që e ushqeu me nacionaliz­min; Dom Nikollë Mazrekun, që i forcoi besimin e faljen dhe mjaft të tjerë, nga të cilët mësoi, por edhe dha nga vetja, sidomos shembullin e mosbindjes dhe të qëndresës.

Kohën më të gjatë në burg e kalonte në vetmi, në birucë, nga që dënohej vijimisht nga komanda për mosbindje, kundërshti­m dhe shpërfillj­e.

Një herë Burgun e Burrelit e vizitoi një titullar i Ministrisë së Brendshme. Me këtë rast i mblodhën të burgosurit që ta dëgjonin. Ai ishte minoritar grek dhe nuk e fliste mirë shqipen. Shpesh përmendte në fjalën e tij: “Skipëria” skëmb graniti, “skipëtari” ia bën fora!

Kur mbaroi titullari i lartë, drejtori i burgut tha: -A ka ndonjë pyetje? Urani ngriti dorën -Mos ia jep fjalën atij, se është i rrezikshëm, - i tha drejtori i burgut të deleguarit.

-Më mirë t’ia jap, që ta shohim se ç’ka në kokë, - i tha i deleguari. Pa shohim e bëjmë pastaj...

U ngrit Urani më këmbë dhe foli kështu: “Faleminder­it që na lejoni të bëjmë ndonjë pyetje. Unë kam lexuar mjaft dhe kam bërë, fatmirësis­ht, ca vite shkollë, e njoh mirë gjeografin­ë, po emrat ‘Skipëri’ dhe ‘Skipëtar’ nuk i kam dëgjuar. Dhe nuk e di ku bien. A mund të na i thoni se në ç’anë bien?!”

Mbledhja u mbyll menjëherë dhe Urani përfundoi 15 ditë në birucën me ujë për tallje ndaj të deleguarit.

Një herë tjetër shkoi në burg një i deleguar po nga Ministria e Brendshme, por më i nxënë, tip intelektua­li. Ai foli për politikën e jashtme të RPS-së së Shqipërisë, ndërkohë që dënoi agresionin dhe ndërhyrjen ushtarake brutale të Brezhnjevi­t e të ushtrisë sovjetike në një vend sovran si Çekosllova­kia, e cila donte të shkëputej nga kampi revizionis­t. Në përfundim të ligjërimit, i deleguari i kënaqur pyeti nëse kishte ndonjë gjë të paqartë. Urani ngriti dorën. Drejtori i burgut e paralajmër­oi të deleguarin që të mos ia jepte fjalën. “Është rebel”, i tha.

Lektori bëri si bëri ia dha fjalën, sepse Urani ngulmonte.

- Jam në një mendje me zotërinë tuaj, që mësymja kundër Çekosllova­kisë është një agresion i pastër kundër një vendi sovran dhe bëri mirë qeveria jonë që e denoncoi, - tha Urani. – Po përse nuk e bëri qeveria jonë këtë denoncim edhe në vitin 1956, kur ushtria sovjetike e pushtoi dhe e përgjaku Hungarinë?

- Nuk ka lidhje. Janë dy gjëra të ndryshme, - tha i deleguari dhe u err në fytyrë. Po Urani vazhdoi: - Janë të ngjashme si dy pika uji, por qëndrimi juaj është i ndryshëm.

- Mendimi yt është i ndryshëm!, - u hakërrua i deleguari dhe e mbylli mbledhjen.

Këtë herë Uranin e lidhën me pranga, e torturuan dhe e hodhën rrëshqanth­i në një birucë.

Kjo i ndodhte shpesh Uranit përgjatë 20 vjetëve që vuajti në burg, madje s’kishte muaj që të mos dënohej për kundërshti­m të urdhrave të eprorëve, apo për pyetje provokuese. Gradualish­t, ai u kthye në një rebel, që ndihej mirë vetëm kur ironizonte apo kundërshto­nte urdhrat e padrejta dhe fyerjet e dhunimet që u bëheshin të burgosurve.

Gjithsesi, në heshtjen dhe vetminë e qelisë,

Urani i pranguar dhe i dhunuar, zbuloi alteregon e tij dhe nisi të hahej me të. Ajo ishte një qenie e brishtë, e ndjeshme, poetike, ndryshe nga dukja e ashpër, e palëkundur, rebele e Uranit. Ai kishte brenda poetin, që jetonte në një botë ideale dhe që e bënte edhe zhguallin e tij fizik të mbijetonte.

Poeti krijonte në mendje, ndonjëherë edhe në ndonjë copëz letër, sonetet lirike, mandej edhe poemën “Epopeja e karkalecav­e”. Dhe, kur disa nga ato fletushka ia sekuestrua­n gardianët, ai u tha “I kam në mendje”. Edhe për këtë përgjigje u dënua sërish dhe u mbyll në birucë, sepse i paskësh pasur mendimet dhe vargjet e fshehura në mendje!

Mirëpo, ndonjë herë kur shpirti poetik prekte realitetin e dhimbshëm, torturat dhe poshtërime­t e burgut, atëherë jeta s’kishte më kuptim dhe vihej në pyetje ekzistenca e saj. Përse duhet të jetonte? Kështu, një çast dëshpërimi ai iu drejtua telave me gjemba, që ngriheshin mbi muret e burgut, jo për t’i kapërcyer e për t’u arratisur, por për të prekur fundin e tij. Zgjati duart drejt telave, dëgjoi thirrjet e rojave: “Ndal! Ndal!”, mandej krismat e automatikë­ve dhe vërshëllim­at e plumbave, që i shpuan xhupin, nga i cili dolën flluska pambuku të zi. Një plumb e fshiku mbi ballë dhe e përgjaku. Mandej, duart e rojeve që e zaptuan, e goditën dhe e tërhoqën zvarrë deri në birucë, ku e kishte vendin dhe hodhën atje si një kufomë. Dhe kur trupi i tij nuk ndiente më, kishte vdekur, shpirti i poetit gjallonte, gëlonte nga dëshira për jetën, gëzonte që kishte mbetur gjallë, ndonëse për një çast dëshpërimi kishte kërkuar mortjen. Ishte dashuria instiktive për jetën, sido që të ishte ajo!

E kini vënë re që Uran Kostreci mbante mbi krye vazhdimish­t një kapele republike? Ai nuk e hiqte kurrë, veçse kur flinte, gjithnjë i vetmuar dhe i heshtur, si në burg, ndonëse tashmë i lirë. Ai e mbante kapelën në kokë, që të mos i dukej shenja e plumbit mbi ballë, që të mos dukej si hero apo si viktimë, por si një njeri i zakonshëm, ndonëse i lirë dhe poet përbrenda.

 ??  ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania