Panorama (Albania)

Sherifi shtrin Teutën, Uzuni bën namin kundër Prishtinës

-

Teuta eliminohet nga turi i parë i Ligës së Kampioneve pas dy humbjeve radhazi kundër Sherif Tiraspolit. Kampionët e Shqipërisë bënë një paraqitje zhgënjyese edhe në ndeshjen e kthimit në Moldavi, ku u mundën minimalish­t 1-0, ndërsa rezultati i përgjithsh­ëm pas dy takimeve është 5-0 për Sherifin. Moldavët hipotekuan kualifikim­in që në sfidën e parë në Durrës, ku shënuan katër gola përballë një Teute apatike. Dje u mendua se “djemtë e detit” do të bënin një performanc­ë ndryshe, duke marrë të paktën një rezultat pozitiv për ta mbyllur me nder aventurën në Champions, por nuk ndodhi kështu. Sherifi fitoi sërish dhe këtë herë vendosi supergoli i mesfushori­t të krahut, Adama Traore, që në minutën e 6-të. Pas largimit të Dejvi Bregut, trajneri Edi Martini i kishte besuar një fanellë titullari në krahët e sulmit të riut shkodran, Ildi Gruda. Nga ana tjetër, ajo që ra në sy në takimin e djeshëm ishte fakti se tre titullarët që u ndëshkua me kartonë të verdhë në sfidën e parë në Durrës: Aleksi, Xhekson dhe Kallaku, e nisën nga stoli. Të tre u aktivizuan si zëvendësue­s, ndërsa lajm i keq është dëmtimi i Lorenco Vilës. Ky i fundit, pas një përplasje në minutën e 38-të, la fushën e lojës. Gjithçka për sulmuesin e krahut do të saktësohet pas kthimit në Shqipëri. Tashmë pas eliminimit nga Liga e Kampioneve, Teuta do të ketë një shans tjetër në Europë, teksa do të vazhdojë aventurën në turin e dytë të Ligës së Konferencë­s, ku përballë do të ketë kampionët e Andorrës, Inter d’Eskaldes. Ndeshja e parë do të luhet në Durrës më 22 korrik.

NDESHJA Martini kishte bërë katër lëvizje në formacion, teksa në ndryshim nga ndeshja e parë në Durrës, këtë herë në Moldavi luanin që nga minuta e parë Kotobelli në krahun e majtë të mbrojtjes, Daja dhe Karabeci në mesfushë, si dhe Gruda në të djathtë të sulmit. Në pozicionin e Bregut këtë herë luajti Lorenco Vila. Ndeshja nis me moldavët në sulm dhe pa kaluar gjashtë minuta lojë, në zhvillimet e një goditjeje nga këndi, Traore i befason të gjithë pas gjuajtjes me të majtën nga brenda zonës. Teuta e ka shumë të vështirë të krijojë një aksion të rrjedhshëm dhe t’i afrohet zonës së Sherifit. Seferi në majën e sulmit vuan së tepërmi, ndërsa moldavët i afrohen edhe golit të dytë me anë të Kastanedës. Në pjesën e parë, durrsakët tentojnë të rrezikojnë me Karabecin nga goditjet e dënimit dhe një tentativë të Seferit, por janë shumë pak për të shkuar te barazimi. Aleksi futet në fushë shtatë minuta pa u mbyllur pjesa e parë, pas dëmtimit të L.Vilës. Portieri Stivi Frashëri është në një ditë të mirë, duke shmangur 2-3 gola të sigurt pas goditjeve të Dagos dhe Traores. Skuadrat shkojnë në dhomat e zhveshjes me shifrat 1-0. Lëvizja e parë e Martinit është aktivizimi i sulmuesit maqedonas, Pepi Gjeorgiev. Në pjesën e dytë, Teuta mundohet që me dyshen Seferi-Gjeorgiev të vërë në vështirësi moldavët, por e ka të pamundur. Aktivizimi i Kallakut, Xheksonit dhe Ledio Beqjes e ndryshon lojën e kampionëve të Shqipërisë. Gjithsesi, moldavët janë të relaksuar dhe administro­jnë më së miri takimin, duke mbajtur portën të paprekur pas dy ndeshjeve. Gjithçka u mbyll me triumfin 1-0 për Sherifin, ndërsa tashmë në turin e dytë moldavët do të luajnë me fituesin e çiftit Konah’s Kuai Nomads (Uells) ose Alashkert (Armeni).

PRISHTINA DHE SHKËNDIJA Prishtina pësoi disfatë dhe në sfidën e dytë me kampionët e Hungarisë, Ferencvaro­shin, teksa këta të fundit triumfuan në stadiumin “Fadil Vokrri” me rezultatin 1-3. Pa dyshim, vendimtar në këtë ndeshje ishte sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, i cili realizoi tripletë. Beratasi ishte i pandalshëm në pjesën e dytë duke shënuar tre herë brenda 45 minutave. 25-vjeçari e mbajti premtimin e tij duke mos festuar në golat ndaj Prishtinës. Goli i vetëm për bardheblut­ë u realizua nga Hoti. Prishtina eliminohet kështu nga Champions-i dhe do të vazhdojë aventurën në Ligën e Konferencë­s, ndërsa Ferencvaro­shi dhe Uzuni vazhdojnë rrugën drejt Ligës së Kampionëve. Ndërkaq, Shkëndija e Tetovës u shpartallu­a me rezultatin 5-0 në transfertë ndaj Murës, në sfidën e kthimit të vlefshme për raundin e parë të Ligës së Kampionëve. Pas disfatës 0-1 në shtëpi në ndeshjen e parë, kuqezinjtë e drejtuar nga Ernest Gjoka u shkërmoqën në përballjen e dytë ndaj kampionëve të Sllovenisë, duke zhgënjyer totalisht. Goli në minutën e 25-të dhe kartoni i kuq i Krivak në të 42-tën, fiku përfundimi­sht skuadrën shqiptare që militon në kampionati­n e Maqedonisë së Veriut, teksa pjesa e dytë foli e gjitha për Murën. Pas këtij eliminimi të hidhur, Shkëndija do të kalojë në raundin e dytë të Ligës së Konferencë­s ku do të përballet me Rigën.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania