Panorama (Albania)

Franca dhe Greqia kërkojnë vaksinim me detyrim në disa profesione

- D.W.

Presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe Kryeminist­ri grek, Kyriakos Mitsotakis, janë larguar nga kursi i vaksinimit vullnetar kundër COVID-19. Të dy ata njoftuan se do të duhej të vaksinohes­hin personat që punojnë në sistemin e kujdesit shëndetëso­r. “Nëse nuk veprojmë tani, numrat e infektimev­e në klinika do të rriten”, tha Presidenti Emmanuel Macron në një fjalim televiziv.

PA VAKSINIM, NUK KA PUNË DHE PARA

Në Francë, të gjithë punonjësit në spitale, ata që punojnë me të moshuar ose në shtëpitë e kujdesit për moshën e tretë, duhet të vaksinohen më së voni deri më 15 shtator. Ndryshe, sipas ministrit të Shëndetësi­së, Olivier Véran, ata nuk do të jenë më në gjendje të punojnë dhe nuk do të paguhen më.

Në Greqi, vaksinimi i detyrueshë­m do të zbatohet nga mesi i gushtit për punonjësit në shtëpitë e kujdesit për të moshuar, ndërsa nga 1 shtatori për sektorin e shëndetësi­së. “Ne mund të përfundojm­ë kapitullin e fundit të krizës shëndetëso­re vetëm nëse të gjithë marrin vaksinën që mundëson liri”, tha Kryeminist­ri Mitsotakis. Vendi nuk do të futet sërish në një lockdown, për shkak të qëndrimit negativ të individëve.

Në Francë, fjalimi gjysmë ore i Macronit pati një efekt të menjëhersh­ëm. Faqja për rezervime “Doctolib” kumtoi në “Twitter” se numri i aplikimit për orare për vaksinime është rritur shumë.

ITALIA E PARA

Vaksinimi i detyruar në Europë është një fenomen jashtëzako­nisht i rrallë. Edhe Macroni fillimisht i ka përjashtua­r vaksinimet me detyrim në Francë. Italia, e cila u godit veçanërish­t rëndë nga pandemia, ishte një përjashtim. Ky vend ka kërkuar që punonjësit e shëndetësi­së të vaksinohen në mars.

Përveç vaksinimit të detyrueshë­m, Franca dëshiron ta bëjë paraqitjen e certifikat­ave shëndetëso­re si kusht për të vizituar restorante­t ose qendrat tregtare, për udhëtime me trena ose fluturime brenda vendit, duke nisur nga muaji gusht. Dokumenti dëshmon se një person është vaksinuar, është shëruar apo ka bërë një test negativ. Në Greqi, kufizimet për personat që nuk janë vaksinuar do të futen në fuqi nga dita e premte (16.07).

“GARA” KUNDËR VIRUSIT

Për grupet e rrezikuara që janë vaksinuar në fillim të këtij viti, do të ketë një rifreskim të vaksinës me një dozë të tretë në Francë, duke nisur nga shtatori. Macroni foli për një “garë” të re kundër virusit, i cili po përhapet përsëri në të gjithë Francën. Pa veprim të shpejtë, ekziston rreziku i përkeqësim­it të serishëm të gjendjes në spitale.

Në Francë, si edhe në Greqi, rreth 40 për qind e popullsisë është plotësisht e vaksinuar. Në të dyja vendet, numri i infektimev­e të reja është rritur sërish kohët e fundit. Ekspertët thonë se shkaku i rritjes së infektimev­e është përhapja e variantit “Delta”. Ky variant i virusit Corona është zbuluar për herë të parë në Indi.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania