Panorama (Albania)

Kolegët nderojnë oficerin e vrarë, lule dhe foto në tavolinën bosh

-

Vrasja e nënkomisar­it Saimir Hoxha në krye të detyrës ishte një lajm i trishtë jo vetëm për familjarët dhe vetë shtetin, por edhe për kolegët e tij, të cilët për 5 vite ndanin së bashku jo vetëm shqetësime­t e punës, por edhe momentet e suksesit dhe gëzimeve të tyre. Të mërkurën, “Dëshmori i Atdheut”, Saimir Hoxha, u përcoll për në banesën e fundit në Varrezat e Dëshmorëve pas një ceremonie me homazhe për të. Ndërkohë, të enjten kolegët e tij, përtej dhimbjes, po përballen edhe me tavolinën bosh të kolegut e mikut të tyre, ku në të është vendosur një buqetë me lule, një fotografi e tij dhe një paketë cigare. Oficeri i Krimeve, Saimir Hoxha, me origjinë nga Puka, mbeti i vrarë në krye të detyrës pas asgjësimit të një parcele me kanabis në fshatin Ishull Lezhë. Në kthim, efektivi Hoxha së bashku me kolegët e tij, përfshirë edhe shefin e Krimeve, kanë konstatuar një automjet të dyshimtë në hyrje të lagunës së Vainit. Menjëherë policët i kanë dhënë sinjal automjetit për të ndaluar, në të cilin ndodhej 21-vjeçari Aldi Rama, bashkë me dy persona të tjerë. Por sapo Saimir Hoxha ka zbritur nga makina e Policisë, 21-vjeçari Aldi Rama ka qëlluar disa herë me pistoletë në drejtim të tij, duke e lënë fillimisht të plagosur oficerin e Policisë, por ai ndërroi jetë rrugës për në spital, pasi njëri nga plumbat e kishte prekur në pjesën e zemrës. Nga të shtënat me armë nuk pati të lënduar në radhët e efektivëve të tjerë. Menjëherë pas krimit, autori arratiset dhe përreth 5 orë u kërkua nga Policia në zonë, derisa qëlloi veten me një plumb në kokë, duke ndërruar jetë mëngjesin e së mërkurës në Spitalin e Traumës. Saimir Hoxha ka një karrierë të gjatë në Policinë e Shtetit, ndërsa prej shumë vitesh ishte oficer krimesh në Komisariat­in e Policisë në Lezhë. Ai ka qenë i martuar dhe baba i dy fëmijëve të mitur.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania