Panorama (Albania)

Pse e vrau 36-vjeçari nga Elbasani mësuesen britanike?

-

Prokuroria britanike nuk ka më dyshime se vrasësi i një mësueseje 28-vjeçare është shqiptari Koçi Selamaj, 36 vjeç, me origjinë nga Elbasani. Sabina Nessa u vra në një sulm “të paramendua­r dhe grabitqar”, u tha në Gjykatë. Mësuesja e shkollës fillore besohet se është ndjekur dhe më pas është goditur në mënyrë të përsëritur mbi kokë me një objekt të gjatë rreth orës 20:30 të premten e 17 shtatorit. Ajo po kalonte një park për të shkuar pranë një bari rreth 5 minuta larg banesës në Kidbrooke, në Juglindje të Londrës. Trupi i saj u gjet i mbuluar me gjethe pemësh në një kanal të vogël pranë një qendre komunitare të nesërmen. Trupi u zbulua rastësisht nga një qen shëtitës. Menjëherë pas këtij momenti, nisën hetimet për zbardhjen e vrasjes dhe në orën 03:00 të mëngjesit të së dielës, Policia arrestoi Selmanajn. Prokurorja Alison Morgan QC i tha Gjykatës se Sabina Nessa është goditur me një objekt rreth 60.96 cm dhe se sulmi ishte i paramendua­r. “Kemi të bëjmë me një sulm ku është përdorur dhunë në një nivel të lartë me paramendim”, tha prokurorja para Gjykatës. Selamaj, banues në Eastbourne, doli para Gjykatës përmes videos nga paraburgim­i në Wormwood Scrubs. I veshur me një bluzë jeshile, ai foli përmes një përkthyesi shqiptar, duke konfirmuar vetëm emrin dhe datën e lindjes. Nga ana e saj, prokurorja Morgan tha: “Nuk ka asgjë që sugjeron se e ndjera dhe i pandehuri ishin të njohur me njëri-tjetrin. Në mbrëmjen e 17 shtatorit, Sabina Nessa bëri plane për të takuar një mik në një bar në Kidbrooke. Për të arritur në atë vend, ajo mori një rrugë përmes Parkut Cator në Fshatin Kidbrooke. Ajo u sulmua dhe u vra”. Gjyqtari Mark Lucrafte la Selamajn në paraburgim deri në seancën e pranimit të fajësisë, e caktuar për në datën 16 dhjetor. Fqinjët e shqiptarit, të cilët u morën në pyetje nga Policia, thanë se ai ishte një person i qetë dhe pa probleme. “Ai është një person shumë i qetë, ai kurrë nuk flet. Shpërndan porositë e ushqimeve me makinën e tij”, tha dikush. “Është shqiptar. Nuk e kam parë atë për një muaj”, tha një tjetër. Arrestimi i 36-vjeçarit është bërë pas njoftimit të Policisë se pranë vendit ku ndodhi ngjarja e rëndë u pa duke kaluar një automjet. Në pamjet e videos shfaqet një burrë, pa flokë, i cili në dorë mban një objekt të kuq, teksa përpiqet ta fshehë nën mëngë.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania