Panorama (Albania)

Protesta kundër mësimit pasdite e klasave kolektive

S’ka transport, nxënësit e Priskës së Vogël pa shkollë

-

Rikthimi i mësimit normal në shkolla nuk ka zbehur problemati­kat e kahershme në arsim. Shumë fëmijë janë të privuar nga ai që mund të quhet “mësim normal”. Disa për shkak të mbipopulli­mit të klasave që ka ndarë shkollën në turne deri në orët e vona e të tjerë për shkak të mungesës së transporti­t për në shkollën më të afërt. Prindër të fëmijëve të shkollës 9-vjeçare “Lef Sallata” protestuan dje para shkollës kundër zhvillimit të mësimit pasdite. Protestues­it ishin prindër të një klase të tretë, e vetmja klasë nga fillorja që është lënë për mësim pasdite. Ata thonë se e kanë të pamundur të sjellin fëmijët në shkollë në këtë orar, pasi janë në punë. Situata më e vështirë bëhet për ata prindër që kanë dy fëmijë në këtë shkollë. “Një fëmijë e kam në klasë të dytë dhe mbaron në 11:30, fëmijën tjetër e kam në klasë të pestë dhe mbaron në orën 18:00. Jam në punë me bashkëshor­tin. Shkolla nuk ka ambiente për këtë numër fëmijësh. Nuk mundet një fëmijë të mbarojë mësimin në orën 18:00.Është e papranuesh­me”, thotë një prind protestues, ndërkohë që një tjetër me dy fëmijë shprehet se e ka të pamundur t’i ndjekë të dy në shkollat respektive. “Është e vetmja klasë e tretë që kalon pasdite. Ne që kemi dy fëmijë është ekstrem. Nusja është në shtet, unë në privat. I bie që njëri të rrijë pa punë”. Vetë mësuesja e klasës së tretë vuri në dijeni drejtoresh­ën e shkollës për shqetësimi­n e prindërve. Kjo e fundit u kërkoi të drejtohen me një shkresë zyrtare. “Nuk pret prindër në këtë orë. Duhet të bëjmë një letër zyrtare, mësimi do vazhdojë me turne. I bie të bëjmë mësim natën, jemi bërë si shkollë nate. Do t’i drejtohemi Bashkisë. Fëmijët do të ndjekin mësimin pasdite derisa të rregullohe­t situata. Nuk ka ambiente aktualisht, por mund të sigurohen nëse ekziston dëshira e mirë”. Në shkollë janë edhe 5 klasa të ciklit 9-vjeçar që bëjnë mësim pasdite.

MUNGESA E TRANSPORTI­T Fëmijët e fshatit Priskë e Vogël në Tiranë nuk kanë shkuar në shkollë për shkak të mungesës së transporti­t. Në nisje të javës së dytë të vitit shkollor, prindërit u mblodhën dje në protestë për të kërkuar një zgjidhje për të vegjlit e tyre. “Të na sigurojë qeveria transporti­n, siç ka qenë, ose ta hapin shkollën atje ku ka qenë. Kemi blerë librat për këtë vit shkollor, por nuk i kemi sjellë fëmijët se s’kemi se si. I mbajtëm në shtëpi”, flasin prindërit e indinjuar për faktin se nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga institucio­net, ndonëse kanë dorëzuar disa herë shkresa se fëmijët e tyre janë të diskrimuar, duke u privuar nga mësimi. “Letrat tona janë hedhur në kosh, i kemi bërë e-mail edhe Ramës te ‘qeveria që duam’. Fëmijët tanë kanë të drejtë të ulen në bankat e shkollës, sikundër janë ulur të gjithë. Ju bëjmë thirrje të gjithë institucio­neve të na ndihmojnë me fëmijët, qoftë duke ndërtuar rrugën, apo duke përfshirë transporti­n e tyre”, thonë prindërit e nxënësve. Përpara tre vitesh, në nisje të reformës për mbylljen e klasave kolektive, Ministria e Arsimit adresoi drejtoritë arsimore të mbyllnin shkolla aty ku ka pak fëmijë që mësonin në klasa të përbashkët­a, duke i adresuar në shkollën më të afërt. Një gjë e tillë, duke iu mbuluar pagesën e transporti­t. “Na thanë sillini fëmijët këtu se çdo gjë ua siguron shteti dhe do jetë më mirë për fëmijët tuaj. Por kjo gjë nuk ndodhi”. Janë më shumë se 35 fëmijë që nuk paraqiten në shkollë prej gati dy javësh në mungesë të transporti­t. Sot, prindërit e tyre paralajmër­uan për një tjetër protestë përpara shkollës “Priskë e Vogël”, në të cilën do të përfshihen edhe fëmijët. Ata do të vijnë me çanta në shpinë, jo për të mësuar, por si një notë protestë për pamundësin­ë e zhvillimit të mësimit.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania