Panorama (Albania)

“Më qëlluan me armë”, Policia arreston në spital 24-vjeçarin

-

Përpjekja për të fshehur vetëplagos­jen me armë zjarri për shkak të pistoletës pa leje që mbante është zbuluar nga Policia e Shkodrës brenda 24 orëve. Isak Mehmedaj, 24 vjeç, u arrestua në kushtet e spitalit, teksa po merr trajtim për shkak të plagës me armë zjarri. Përveç të riut, në pranga ka përfunduar edhe shoku i tij, i cili akuzohet për fshehjen e së vërtetës. “Shtetasi I. M. është vetëplagos­ur në mënyrë aksidental­e, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut për jetën. Ky shtetas, në bashkëpuni­m me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale”, sqaroi Policia lokale. Pasi u arrestua në flagrancë, ndaj 24-vjeçarit rëndojnë dy vepra penale: “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, e kryer në bashkëpuni­m. “Në vijim të veprimeve të kryera nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpuni­m me Komisariat­in e Policisë Shkodër, nën drejtimin e Prokuroris­ë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mëngjesin e datës 9 tetor 2021, ku në spitalin rajonal shkodër u paraqit për ndihmë mjekësore, i plagosur me armë zjarri 24 vjeçari, I.M, i cili deklaroi se ishte plagosur me armë zjarri në fshatin Mushan, Shkodër, nga disa persona të paidentifi­kuara, nga hetimet e thelluara rezultoi se: Shtetasi I.M., është vetëplagos­ur në mënyrë aksidental­e, me armë zjarri në bark, jashtë rrezikut për jetën. Ky shtetas në bashkëpuni­m me shtetasin G. M., kanë fshehur vendin e ngjarjes, kanë inskenuar një variant ndryshe të ngjarjes, duke u përpjekur të ndryshojnë tërësisht rrethanat e ngjarjes, si dhe kanë fshehur provat materiale”, sqaroi policia.

LIDHJET ME TË ARRESTUARI­N PËR VRASJE

Ajo që u transmetua fillimisht si një atentat i mundshëm ndaj 24-vjeçarit nuk ishte krejt pa bazë, pasi i riu është kushëri me shtetasin Hydajet Mehmedaj, i cili ndodhet në burg pasi akuzohet si autor i ekzekutimi­t të të “fortit” të Shkodrës, Ridvan Ramazani ose Hyseni. Ngjarja ndodhi më 28 nëntor të vitit të shkuar në fshatin Mushan të Njësisë Dajç. Ka qenë ora 11:20 e asaj dite kur në afërsi të një pike karburanti në rrugën kryesore të fshatit Mushan është vrarë me armë zjarri brenda në mjetin e tij tip “BMW X5” shtetasi Ridvan Ramazani, 46 vjeç, banues në fshatin Darragjat të Njësisë Dajç, Bashkia Shkodër. Viktima ka qenë i vetëm në mjetin e tij tip “BMW” kur njëri nga vëllezërit Mehmedaj dyshohet se ka qëlluar me breshëri në drejtim të tij duke e lënë të vdekur në vend.

 ?? ?? Vendi ku ndodhi plagosja e 24-vjeçarit
Vendi ku ndodhi plagosja e 24-vjeçarit

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania