Panorama (Albania)

Sviderski, heroi i Polonisë: Ndihem edhe unë fajtor në Tiranë

-

Sulmuesi i PAOK-ut të Selanikut, Karol Sviderski, ishte heroi i polakëve në ndeshjen ndaj Shqipërisë në stadiumin “Air Albania”. Ai shënoi golin që shkaktoi një zemëratë të madhe në tribuna, teksa ndeshja më pas u ndërpre për 15 minuta si pasojë e sendeve të forta të hedhura në fushë. Në një bisedë për mediat greke, polaku ka rrëfyer atë që ndodhi në Tiranë, ndërsa me ndërgjegje dhe përgjegjës­i të plotë, ka guxuar të deklarojë se ndihet fajtor. “Po, ndihem edhe unë fajtor për incidentin në stadium, pasi nuk ishte nevoja të shkoja dhe të gëzohesha përpara tifozëve shqiptarë, e sidomos atyre të organizuar. Duhet të kuptojmë që u ndjeva i lumtur kur shënova në këtë ndeshje kaq vendimtare dhe veprova thjesht nga pasioni. Sinqerisht më vjen shumë keq për incidentin. E përsëris, fakti që tifozët reaguan në këtë mënyrë ishte deri diku edhe përgjegjës­ia ime. Në atë moment isha nën ndikimin e emocioneve të mia”, deklaroi Sviderski, i cili në momentin e festës së golit, bëri disa gjestikula­cione me duar drejt tribunës ku qëndronin grupimi “Plisat” nga Prishtina. Shumë foto qarkulluan në mediat polake, ndërsa Sviderski u pyet nëse mbante mend që diçka e tillë t’i ketë ndodhur edhe në Greqi. “Shumë gjëra kanë ndodhur në derbit grekë me tifozët para pandemisë. Mua nuk më ka ndodhur në Selanik, por kjo nuk do të thotë se nuk mund të përsëritet”, deklaroi polaku, i cili edhe kur po fliste për mediat e vendit të tij nga fusha e “Air Albania”, e ndërpreu intervistë­n, pasi disa shishe të tjera u lëshuan afër kokës së tij.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania