Panorama (Albania)

Në kërkim ndërkombët­ar, atentat 35-vjeçarit në Shkodër

Kush është Vinçens Piroli, i akuzuar për vrasjen e biznesmeni­t. Dëshmitë kontradikt­ore para hetuesve: Pse shkova në Spitalin e Lezhës

- ELVIS HILA

Tre plumba në trup e detyruan 34vjeçarin Vinçens Piroli që të shfaqej para autoritete­ve shqiptare tre muaj pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombët­ar për një atentat ndaj një biznesmeni në Mal të Zi.

I riu nga fshati Sanxhak i Kurbinit, por banues në Shkodër, akuzohet se bashkë me Dorian Lalën, në korrik të vitit të kaluar vranë në Ulqin biznesmeni­n Momçilo Gjurishiq.

ATENTATI

Mbrëmjen e së hënës, në Spitalin e Lezhës mbërriti i plagosur me armë zjarri shtetasi Vinçens Piroli. Pasi mori ndihmën e parë mjekësore atje, u dërgua për mjekim më të specializu­ar në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet aktualisht i shtruar dhe ndaj të cilit do të lëshohet edhe urdhër-arresti. “Më datë 03.01.2022, rreth orës 19:00, është dërguar në Spitalin Rajonal Lezhë dhe më pas është dërguar drejt Tiranës për ndërhyrje më të specializu­ar shtetasi V. P, 34 vjeç, banues në Sanxhak, Kurbin, i plagosur me armë zjarri, në rrethana ende të paqarta”, sqaroi Policia e Lezhës. Që prej këtij momenti, rrethanat vazhdojnë të jenë të paqarta rreth ngjarjes së rëndë, jo vetëm për faktin se një i kërkuar për vrasje bridhte i lirë në qytetin e Shkodrës, por edhe se ndaj tij organizohe­t një atentat për të cilin Policia nuk ka arritur të gjejë asnjë lloj gjurme.

DËSHMITË KONTRADIKT­ORE

Në dëshminë e parë në Spitalin e Traumës, 34vjeçari ka deklaruar se u sulmua në Shkodër, teksa po ecte pranë Urës së Bunës. Sipas tij, autori e qëlloi nga pas shpine me një pistoletë me silenciato­r. Ai mori 2 plumba në kraharor dhe 1 tjetër në pjesën e shpatullav­e. I plagosur dhe i frikësuar se atentati mund të përsëritej edhe në Spitalin e Shkodrës, 34-vjeçari ka deklaruar se ka marrë në telefon një familjar, i cili e ka dërguar për ndihmë mjekësore në Spitalin e Lezhës. Ky i fundit e ka lënë aty dhe më pas është larguar. Vinçens Piroli mori ndihmën e parë mjekësore në Lezhë dhe më pas u soll në Spitalin e Traumës, ku këtë të martë është vënë në pranga në zbatim të urdhrit ndërkombët­ar të arrestit të lëshuar në Mal të Zi në muajin tetor. Dëshmitë e 34vjeçarit për atentatin janë marrë me rezervë nga ekspertët në Policinë e Shkodrës dhe Lezhës që u përfshinë në hetimet e para. Burime thonë se ka dyshime të forta se Vinçens Piroli po tenton të fshehë të vërtetën e ngjarjes ku mbeti i plagosur. Për të verifikuar deklaratat se atentati ndodhi në Shkodër, mësohet se janë sekuestrua­r pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve në zonën pranë Urës së Bunës. Hetuesit kërkojnë aty prova, pasi në zonë nuk janë raportuar të shtëna dhe nuk është gjetur vendngjarj­a e pretenduar. Paqartësit­ë i shtojnë deklarimet e cilësuara kontradikt­ore nga një familjar i 34-vjecarit që pretendohe­t se e dërgoi në spital.

DYSHIMET

Nga ana tjetër, dyshimet janë për një atentat të mirorganiz­uar dhe vrasës me pagesë, ku pista kryesore është përfshirja në një histori hakmarrjej­e të shtrirë fillimisht në Kosovë e Mal të Zi, e tashmë edhe në Shqipëri. Vinçens Piroli dhe Dorian Lala dyshohet se ekzekutuan më 4 korrik malazezin Momçillo Gjurishiç dhe pista kryesore është ajo e një krimi të paguar, pasi djali i 68-vjeçarit ka vrarë 53-vjeçarin nga Kosova, Beqë Likaj.

 ?? ?? Vinçens Piroli, i plagosur në Shkodër
Vinçens Piroli, i plagosur në Shkodër
 ?? ?? Vendi ku dyshohet se ndodhi atentati
Vendi ku dyshohet se ndodhi atentati

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania