Panorama (Albania)

Shumë pranë Shqipërisë, çfarë është “Flurona”

Shpjegimi i OBSH: Infeksion i dyfishtë, mund të jetë fatal

-

Fillimi i vitit 2022 ka sjellë shqetësime të reja për shëndetin publik në botë. Kjo pasi në disa shtete të botës tashmë janë identifiku­ar raste të qytetarëve të cilët janë të infektuar në të njëjtën kohë me COVID-19 si dhe me grip stinor. Për të përshkruar gjendjen e pacientit që është i infektuar me këto dy viruse në të njëjtën kohë, në botë është duke u përdorur termi “Flurona”. Sipas asaj që është shkruar deri më tani, “Flurona” nuk është ndonjë variant i ri i koronaviru­sit e as një sëmundje e veçantë. Edhe pse fjala “Flurona” është relativish­t e re, infektimet me COVID-19 dhe grip stinor në të njëjtën kohë nuk janë të reja. Derisa çdo ditë e më shumë po shfaqen raste të reja të infeksioni­t të dyfishtë, ekspertët e shëndetit dhe mjekët theksojnë se vaksinat kundër koronaviru­sit dhe gripit mbeten mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga infeksione­t e rënda.

SHPJEGIMI I OBSH

Organizata Botërore e Shëndetësi­së (OBSH) thotë se të dy viruset, si koronaviru­si, ashtu edhe gripi stinor, mund të kenë simptoma të njëjta dhe mund të jenë fatale për njerëzit. “Të dyja viruset ndajnë simptoma të ngjashme, duke përfshirë kollë, rrjedhje hundësh, dhimbje të fytit, ethe, dhimbje koke dhe lodhje. Njerëzit mund të kenë nivele të ndryshme të sëmundjes si me COVID-19, ashtu edhe me grip. Disa mund të mos kenë simptoma, mund të kenë simptoma të lehta ose sëmundje të rënda. Si gripi, ashtu edhe COVID-19, mund të jenë fatale”, thotë OBSHJA. Sa i përket shpërndarj­es, OBSH-JA thotë se të dyja viruset, si COVID-19, ashtu edhe gripi, përhapen thuajse në mënyrë të njëjtë, kur një person i infektuar kollitet, teshtin, flet, këndon ose merr frymë. Spërklat e personit të infektuar, sipas OBSH-SË, mund përfundojn­ë në sytë, hundën ose gojën e njerëzve që janë afër, zakonisht brenda një metri nga personi i infektuar, por ndonjëherë edhe më larg. Njerëzit, gjithashtu, mund të infektohen me COVID-19 dhe me grip duke prekur sipërfaqe të kontaminua­ra, më pas duke prekur sytë, hundën ose gojën pa i pastruar duart. Sipas OBSH-SË, të gjitha moshat mund të infektohen me virusin COVID-19 dhe virusin e gripit stinor, por më të rrezikuari­t janë të moshuarit, njerëzit me sëmundje kronike, njerëzit me kushte imunosupre­sive si HIV/AIDS, pacientët që marrin kimioterap­i ose steroide, ose ata që vuajnë nga sëmundjet malinje. Punonjësit e kujdesit shëndetëso­r thuhet se janë në rrezik të lartë për t’u infektuar nga COVID-19 dhe në rrezik të lartë për t’u infektuar nga gripi stinor. Ndërkohë që shtatzënat dhe ato që kanë lindur kohët e fundit janë në rrezik të lartë për të përjetuar grip të rëndë dhe COVID-19 të rëndë.

KATËR RASTE NË MAQEDONI

Një qytetar i Maqedonisë së Veriut, i cili kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u bë personi i parë në këtë shtet që u zbulua se ishte i infektuar në të njëjtën kohë me COVID-19 si dhe me grip stinor. Ndërkohë, të mërkurën, më 5 janar, Ministria e Shëndetësi­së e Maqedonisë së Veriut njoftoi edhe për tri raste të tjera të qytetarëve të infektuar me “Flurona”. Sipas Ministrisë së Shëndetësi­së në Maqedoni të Veriut, rasti i parë është zbuluar në Kërçovë nga një klinikë private te një person i moshës 26 vjeç, i cili më 31 dhjetor kishte udhëtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kurse tri rastet e tjera janë regjistrua­r në Shkup dhe janë në gjendje të qëndrueshm­e.

NË KOSOVË

Javët e fundit Kosova është përballur me një fluks në rritje të rasteve me grip stinor. Në pjesën e dytë të muajit dhjetor të vitit të kaluar, Instituti Kombëtar i Shëndetësi­së Publike i Kosovës raportoi për më shumë se 15 mijë persona të prekur nga gripi stinor vetëm brenda dy muajve në vend. Sipas të dhënave të IKSHPK-SË, nga 15,786 raste me grip, 2,498 janë cilësuar si infeksione respirator­e akute dhe 69 me infeksion të rëndë respirator akut. Zyrtarët e IKSHPK-SË kishin thënë se gripi stinor nuk e ka arritur ende pragun epidemik, por vërehej intensitet i shtuar i rasteve. Numri më i madh i personave të prekur ishin të moshës 15 deri në 29 vjeç, pasuar nga fëmijët e moshës 5 deri në 14 vjeç.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania