Berisha: Duhet t’i përgjigjemi regjimit me guximin tonë “Pagat nuk rriten, sepse edhe letrat bëhen me tender sekret”
Pas takimit që zhvilloi me biznesin e vogël në mes të krizës, ishkryeministri Berisha u ndal te një tjetër sektor utilitar me probleme. Ai u takua dje me mjekët për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Në fjalën e tij, Berisha akuzoi qeverinë për keqmenaxhimin e pandemisë dhe për abuzimin me tenderët. Sipas ish-kryeministrit, gjatë pandemisë, shqiptarët në Kukës vizitoheshin në Prizren, ndërsa tropojanët në Gjakovë. “Këto tregojnë në një mënyrë, rrogat, organizimin - një organizim që kam bindje se në çdo vend të lirë, një sistem gjyqësor e denoncon për krime të mëdha. Organizimi i luftës kundër COVID-IT ishte kriminal. COVID-I për shqiptarët dhe botën ishte i panjohur. Por dy gjëra kishim, kapacitete për të shtuar shtretër kishim. Gjithçka u bazua në një koncept njerëzor policesk. A e imagjinoni ju që për të centralizuar, për të shpallur suksesin kur ishte disfatë, armatë e tërë mjekësh familje u përjashtuan nga shërbimi i të sëmurëve. U keqpërdor shërbimi i urgjencës. Kuksianët me COVID shkonin në Prizren për t’u mjekuar, tropojanët shkonin në Gjakovë. Erdhi në qeveri një ekip bashkie i famshëm për vjedhje, kur Edi Rama ishte kryetar bashkie. Një punonjëse bashkie, na bëhet ministre. Dhe kjo ministre, dhe letrat higjienike i blen me tender sekret. Prandaj, nuk rriten rrogat tuaja. Janë me dokumente të gjitha këto. Kjo ministre porosit 50 respiratorë, kur ato ishin aparate jetëshpëtimi. Erdhën 5 nga 50. Edhe sot nuk ka paguar asgjë për atë që bëri. Sepse është mik i qeverisë dhe ministres. Fol për ilaçe”, tha Berisha.
PROTESTA
Ndërkohë, teksa evidentoi faktin se Kryeministri Rama së fundmi mori nën kontroll edhe pushtetin e fundit, atë të Presidencës, u kërkoi mjekëve që të ngrihen në një lëvizje kundër kësaj qeverie. Berisha tha se kjo është e vetmja mënyrë që t’u jepet zgjidhje problematikave të ngritura nga bluzat e bardha. Teksa u ndal te cilësia e ilaçeve që vijnë në vendin tonë, Berisha ka akuzuar qeverinë për ndryshimin e ligjit që përcaktonte se në Shqipëri hynin vetëm ato
medikamente që tregtoheshin në Bashkimin Europian. “Ne vendosëm një ligj: në Shqipëri do të hyjnë ilaçet që tregtohen vetëm në BE. Kishte një kosto më të lartë, por ishin më të sigurta. E hoqi Vilma Nushi. Sepse përfaqësonte ndërmarrjen farmaceutike publike të Beogradit. Duhet të futeshin ilaçet serbe. Nuk kishin standardet për t’u treguar në vendet e Be-së, dhe u hoq ligji. Vilma u shndërrua në oligarken, mor check upin dhe me radhë. Duhet të shpreh këtu para jush, bindjen time se kushti i të gjitha kushteve për t’u dhënë një përgjigje problematikave që shtruat këtu, është angazhimi i bluzave të bardha në një lëvizje kundër kësaj qeverie. Në vitin ‘90, ai revolucion që filloi me studentët, kaloi në një revolucion të bluzave të bardha. Ishim mjekë e infermierë që u shndërruan në një mbështetje të fuqishme të lëvizjes për përmbysjen e diktaturës. Asgjë nuk mund të realizojmë ne. Përkundrazi, çdo gjë që e mendojmë, do të mbetet në letër, nëse nuk vendosim të bëjmë gjithçka për rrëzimin e kësaj qeverie me mjete demokratike”, tha Berisha.