Pensionet, sa rriten pagat e para ‘94 për 83 profesione
Pas rivlerësimit, pagat për efekt të llogaritjes së pensionit variojnë nga 23 570 lekë deri në 81 500 lekë
Për efekt të llogaritjes së pensioneve, pagat e para ‘94-s variojnë nga 23 570 lekë deri në 81 500 lekë, duke njohur një rritje, e cila shkon deri në rreth 2900 lekë. Gazeta publikon sot tabelat e plota me pagat për 83 profesione, të cilat këtë vit rivlerësohen me koeficientin 9.916. Nga rritja përfitojnë të gjithë ata që dalin rishtazi në pension. Sipas Institutit të Sigurimeve Shoqërore janë 15 mijë persona që mbushin moshën e daljes në pension këtë vit.
RIVLERËSIMI
Kujtojmë që para vitit 1994, nuk ka listëpagesa, por ka profesione dhe paga referuese. Këto paga rivlerësohen me koeficientin 9.916. Konkretisht, një punëtor që ka punuar në qymyr dhe pagën e ka pasur 4302 lekë, kjo pagë shumëzohet me koeficientin 9.916, (4302 X 9.916 = 42 658 lekë). Shuma e dalë pas rivlerësimit është referuese për të gjithë muajt e punës që ai ka përpara vitit 1994. Ose dikush që ka punuar në tekstil dhe ka pasur një pagë 2965 lekë në muaj, për efekt pensioni, paga mbi bazën e së cilës janë derdhur kontributet do të jetë 29 400 lekë. E njëjta metodë aplikohet edhe për pagat e pas 1994. Por në ndryshim nga të parat, pas vitit 1994 koeficientet janë të ndryshëm dhe nga viti në vit pësojnë ulje. Konkretisht për vitin 1995, koeficienti është 7.981. Për pagat e vitit 1996 është 6.192. I njëjti koeficient aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë. Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 5.174, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 4.199 e kështu me radhë deri në vitin 2020. Për dy vitet e fundit, pra për 2021 dhe 2022 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë. Për ta konkretizuar, nëse në vitin 1996 paga ka qenë 15 mijë lekë, atëherë rivlerësimi do të bëhet me koeficientin 6.192 dhe paga për efekt të llogaritjes së pensionit do të
jetë (15 000 X 6.192) 92 880 lekë. Por cila është skema për llogaritjen e pensioneve? Formula për llogaritjen e pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë këtë vit është 8100 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Baza e vlerësueshme është paga e përfituar pas indeksimit me koeficientet korrespondues të çdo viti.
INDEKSIMI
Në muajin prill hyri në fuqi edhe vendimi për indeksimin e pensioneve me 3.3 për qind. Shtesa e cila varionte nga 256 lekë deri në 1 mijë lekë u aplikua për pensionet e plota, ato të pjesshme dhe të reduktuara, pensionet familjare, të posaçme, të invaliditetit, të ish-ushtarakëve, profesorëve etj.
LEKË
është pensioni bazë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit, është 1 për qind për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara