Panorama (Albania)

“Si e mora vesh krisjen e miqësisë mes Hitos e Enverit”

Rrëfimi i Gjik Çakos, vëllait të gjeneralit që u dënua me pushkatim “Plenumi i korrikut ‘ 74 goditi Beqirin, por tronditi dhe Hiton”

-

Gjik Çako, vëllai i gjeneralit të pushkatuar për tradhti, ruan të fiksuar në kujtesë bisedën e fundit me të, vetëm pak ditë para plenumit të dhjetorit të ‘ 74, kur Partia përfundimi­sht do ta kryqëzonte si pjesëtar të grupit puçist. Qysh pas goditjes së Beqir Ballukut në verën e atij viti, ai tregon se kanë qenë të alarmuar, pasi Hitoja ishte krahu i djathtë i ish- ministrit të Mbrojtjes që tashmë jo vetëm ishte zhgraduar, por edhe ishte internuar. Fill pas këtij lajmi tronditës, Gjika dhe familjarët e tij kanë dërguar njërën prej motrave për t’u takuar me të. Në numrin e kaluar publikuam bisedën që ajo bëri me Hiton për të sqaruar pozicionin e tij në raport me çfarë kishte ndodhur me Ballukun. Në rrjedhën e ngjarjeve pastaj situata ishte bërë edhe më kritike. Flitej se Partia do t’i lante hesapet me gjeneralët e ushtrisë në një plenum të veçantë që do zhvillohej enkas për ta në fundvitin ‘ 74. Sakaq, nën zë flitej për ditë e më shumë se shtatmadho­rët e ushtrisë ishin shpallur nga Enveri element antiparti dhe goditja e tyre pritej nga dita në ditë. Teksa ishte paralajmër­uar plenumi i dhjetorit që do të lante hesapet me ta, vëllai i Hito Çakos i terrorizua­r nga lajmet që vinin nga Tirana, u nis nga Progonati i largët për t’u takuar e për t’u parë sy më sy me të vëllain. Pjesa në vijim është biseda e tij me Hito Çakon, çfarë do të shënonte dhe takimin e fundit mes dy vëllezërve.

Unë të kuptoj ku e ke llafin, por mos u bëj merak. Ti e di mirë se çfarë vëllai ke. Apo s’e di nga më rreh zemra. Të shkon mendja ty se mund të shkel unë mbi gjakun e vëllezërve dëshmorë? Apo mbi lotët e mëmës për ta? Prandaj rri i qetë.

Për herë të parë e mora vesh se diçka nuk shkonte mirë me fatin e tij, kur u njoha me materialet e Plenumit të KQ të korrikut të vitit ’ 74. Pavarësish­t se aty nuk përmendej emri i Hito Çakos, por vetëm ai i Beqir Ballukut, përsëri mendja më shkoi për keq. Se Beqiri me Hiton deri në atë kohë ishin prej vitesh pjesë e së njëjtës përgjegjës­i në krye të Ministrisë së Mbrojtjes. Nëse kishte shkelur në dërrasë të kalbur njëri, nuk kishte sit ë shpëtonte tjetri. Ishte fillimi i gushtit 74. Në atë kohë unë isha anëtar Partie. Sa herë udhëheqja lart merrte vendime të tilla të rëndësishm­e, qysh të nesërmen i dërgonte poshtë në organizata­t e Partisë. Në rastin konkret, në organizatë­n e fshatit tonë, për t’u njohur me to, erdhi një i deleguar nga Komiteti i Partisë së Tepelenës. Ai na i lexoi fjalë për fjalë materialet e Plenumit, që flisnin për një çështje shumë serioze. Për të gjithë ne, që e ndiqnim politikën nga larg, ajo që dëgjonim ishte shumë tronditëse. Lajmi befasues se së fundi Partia kishte zbuluar një grup të rrezikshëm armiqësor në krye të Ushtrisë vinte si bombë në veshët tanë. Po më tepër në veshët e mi. Se në krye të Ushtrisë, aty ku kishte dalë grupi armiqësor, ishte dhe Hito. Të shkonte dhe ai pas berrihait, të tradhtonte idealin e tij? Çdo gjë mund ta besoja, por që ai të arrinte deri aty, nuk më kishte shkuar kurrë në mendje. Kur dola atë ditë nga mbledhja, s’më bënin këmbët të shkoja në shtëpi. Më dukej sikur më kishte rënë mali i Këndervicë­s mbi supe. Nuk vura gjumë në sy fare atë natë. Pa u zbardhur mirë, dola në rrugë dhe u nisa për në Tiranë. Prisja me padurim të shihesha sy më sy me Hiton. Të dëgjoja nga goja e tij çfarë kishte ngjarë. Në Tepelenë takova kunatin që punonte në degën e Brendëshme dhe i kërkova të më gjente ndonjë mjet për në Tiranë. Ai më zuri për dore dhe aty për aty më ktheu te një kafe afër agjencisë së udhëtarëve. “I punuat materia

let e Plenumit, hapi ai bisedën me zë të ulët. I punuam, i thashë, duke e vështruar në sy. I punuam edhe ne, po punët s’janë mirë, shtoi ai duke hedhur fjalën te Hito. Kjo duket sheshit, i thashë, prandaj jam nisur për në Tiranë, të takohemi njëherë e të sqarohemi nga afër. Mirë e ke më tha, por nuk bën të shkosh, se gjërat janë akoma në rrokullimë. S’dihet si shkojë punët. Prandaj ktheu, ktheu, e hajde të mendojmë si të bëjmë më të mirën në këto kushte. Atë natë qëndrova në Tepelenë. U llafosëm gjerë e gjatë me kunatin deri në të gdhirë. Më në fund ramë dakord të çonim në Tiranë motrën, duke menduar që vizita e saj s’binte shumë në sy. Dhe e nisëm qysh atë ditë. Ajo shkoi, foli gjërë e gjatë dhe na solli ca habere të pakuptimta. Së paku ashtu na dukeshin ne. Hita I kishte thënë se bëhej fjalë për çështje serioze, për të cilat Partia do të shprehej imtësisht. Për gabime të rënda në kokën e Ushtrisë, por që ai nuk kishte gisht në to. Sidoqoftë, gabime mund të kem bërë edhe unë, i kishte treguar, por në asnjë rast nuk e kam tradhtuar

Partinë. Në fund e kishte porositur që mos t’ua vinim veshin fjalëve që do dëgjonim, por të mos lëviznim nga vija e Partisë. Me aq sa na përcolli motra, s’merrej vesh nëse kishte apo jo gisht Hito në çorbën e sterrosur që godiste Enveri dhe Partia në Plenumin e korrikut. Me një fjalë, mbetëm prapë në ethe dhe me veshët ngrehur. Na mbeti syri nga televizori, duke ndjekur gjithë ankth plenumet e radhës. Ishim mësuar prej kohësh që lajmet e bujshme, ato më të tmerrshmet, i merrnim vesh prej andej.

 ?? ?? Gjik Çako, vëllai i Hito Çakos, duke rrëfyer për “Panorama”
Gjik Çako, vëllai i Hito Çakos, duke rrëfyer për “Panorama”
 ?? ?? Hito Çako në gjyq
Hito Çako në gjyq

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania