Panorama (Albania)

Vetëm dje humbën jetën tre persona në tri aksidente

-

Pas aksidentit tragjik në Tiranë ku humbën jetën tre të rinj, janë përgjakur sërish rrugët në vend. Dy persona të tjerë humbën jetën në dy aksidente që ndodhën të premten në Durrës e Kavajë. Mesditën e së premtes, një betoniere përplasi në një nga rrugët e Durrësit një qytetar, i cili po lëvizte në rrugë me biçikletë. Aksidenti ndodhi pak metra larg spitalit rajonal, por përplasja ka qenë fatale dhe i aksidentua­ri humbi jetën menjëherë në vendin e ngjarjes, ndërsa Policia ndaloi drejtuesin e betonierës, një 58- vjeçar nga Durrësi. Të mërkurën, një 32- vjeçar humbi jetën në Shijak teksa lëvizte me biçikletë. Një tjetër aksident rrugor me pasojë vdekjen u regjistrua në vendin e quajtur Përroi i Rikajt, pranë varrezave në qytetin e Kavajës, ku një 30- vjeçare humbi kontrollin mbi automjetin tip "Volksvagen Golf" që drejtonte dhe përfundoi në kanal. Vdekjet nga aksidentet vazhdojnë të rriten, ndërsa çdo vit në rrugë humbin jetën dhjetëra persona për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimi­t rrugor. Shumica e shkeljeve ndodhin si pasojë e sjelljes së drejtuesve të automjetev­e, por në rritje, sipas ekspertëve rrugorë, janë dhe shkeljet nga ana e këmbësorëv­e.

KORÇË

Policia njoftoi mbrëmë se një aksident i rëndë kishte ndodhur në afërsi të fshatit Lumalas në Korçë. Një mjet përplasi një këmbësor që po kalonte nga një anë e rrugës në tjetrën dhe është larguar. Këmbësori më pas ka ndërruar jetë. Burimet bëjnë me dije se shtetasi Olger Zhuri, 39 vjeç, banues në Korçë, është goditur dhe nga mjete të tjera më pas, të cilat s'e kanë parë për shkak të mungesës së ndriçimit. "Më datë 10.03.2023, rreth orës 18: 58, në aksin rrugor Korçë- Pogradec, në afërsi të fshatit Lumalas, Korçë, një automjet ka aksidentua­r një këmbësor, i cili për pasojë ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spitalin e Korçës. Drejtuesi i automjetit është larguar nga vendi i ngjarjes", njoftoi Policia. Nga ana e Policisë po kryhen veprimet hetimore me qëllim identifiki­min dhe vënien para përgjegjës­isë ligjore të drejtuesit të automjetit, si edhe identifiki­min e viktimës. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave dhe përcaktimi­n e shkaqeve të aksidentit.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania