Panorama (Albania)

Kosova lejon makinat me targa serbe, pa i mbuluar simbolet shtetërore të Beogradit

Reagimi, Kryeminist­ri Kurti: Serbia njohu targat e Kosovës për të mbuluar refuzimin e Marrëveshj­es së Brukselit

-

Kosova vendosi të heqë masën reciproke për letërngjit­ëse në targat e automjetev­e të Serbisë. Ky vendim vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia.

Qeveria e Kosovës mori vendim të enjten vonë që të lejojë hyrjen në Kosovë të makinave me targa serbe, pa i mbuluar simbolet shtetërore të Serbisë ( RS). Në këtë mënyrë Kosova hoqi masën reciproke vetëm pak ditë pasi Serbia mori vendim të ngjashëm për makinat me targa të Kosovës. Vendimi i Kosovës hyn në fuqi sapo të publikohet në gazetën zyrtare. "Heqja e regjimit të letër ngjitëseve është akt i fqinjësisë së mirë dhe vjen pas njohjes së plotë të targave të Republikës së Kosovës nga Serbia", thuhet në njoftim të qeverisë së Kosovës. Nga 1 janari i këtij viti, makinat me targa të Kosovës lejohen të hyjnë edhe në Serbi pa i mbuluar simbolet shtetërore ( RKS), pas një periudhe të gjatë tensionesh ndërmjet dy vendeve. Autoritete­t serbe thanë, se vendosën të lejojnë lëvizjen e makinave me targa të Kosovës, por në vendkalime­t kufitare ata vendosën afishe, në të cilat thuhet se "mundësimi i kalimit të kufirit me targa RKS bëhet për arsye krejtësish­t praktike, që liria e lëvizjes të bëhet më e lehtë, dhe nuk mund të interpreto­het si njohje e pavarësisë së Kosovës".

REAGIMI

Kryeminist­ri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se vendimi i marrë të enjten vonë për heqjen e regjimit të letrës ngjitëse për automjetet me targa serbe ka ardhur pasi Policia e Kosovës raportoi se vendimi i Serbisë për të lejuar targat RKS - Republika e Kosovës - të lëvizin lirshëm në territorin e këtij shteti, po zbatohet plotësisht. Përmes një shkrimi në "Facebook", Kurti tha se nëse do të ketë ndryshim të qasjes nga autoritete­t serbe, shteti i Kosovës do të veprojë. Serbia vendosi t'i lejojë automjetet me targa RKS të lëvizin lirshëm në territorin e saj nga fillimi i kësaj jave. "Nga raporti i policisë sonë e cila ka monitoruar gjithçka me shumë vëmendje jemi njoftuar që kemi zbatim të plotë, dhe se nuk ka pasur incidente a pengesa. Andaj, bazuar në parimin e reciprocit­etit si një premisë e rregullimi­t të marrëdhëni­eve të shteteve të pavarura, mbrëmë morëm vendim që njësoj të lejohen edhe automjetet që vijnë nga ana tjetër e kufirit me targa të Serbisë", tha Kurti duke theksuar se ky fillon të zbatohet pas publikimit në Gazetën Zyrtare. Sipas Ligjit për Qeverinë, vendimet e qeverisë publikohen në Gazetën Zyrtare jo më vonë se njëzet e katër orë pasi që të jenë nënshkruar nga Kryeminist­ri, dhe mbesin publike pa asnjë kufizim kohor. "Në rast se Policia e Kosovës ndërkohë pranon raportime nga terreni për ndryshim të qasjes a sjelljes nga autoritete­t e Serbisë për lejimin e lëvizjes së lirë të automjetev­e me targa të Republikës së Kosovës në territorin e Serbisë, apo pengimin e lëvizjes së lirë në çfarëdo forme, ne do të njoftohemi me kohë dhe do të veprojmë", shtoi Kurti. Siç raporton ekipi i "Radios Evropa e Lirë" nga pika kufitare mes Kosovës dhe

Serbisë, në Merdare, deri në mesditën e së premtes targave të Serbisë kanë vazhduar t'iu vendosen letra ngjitëse mbi simbolet shtetërore. Për çështjen e lëvizjes së lirë, Kosova dhe Serbia kishin arritur marrëveshj­e së pari më 2011, gjatë dialogut të ndërmjetës­uar nga Bashkimi Evropian për normalizim­in e marrëdhëni­eve. Pas tensioneve që shkaktoi çështja e targave, në shtator 2021 u arrit marrëveshj­a e përkohshme për targat. Ajo marrëveshj­e, që kishte për qëllim të ishte në fuqi për gjashtë muaj derisa grupet punuese të Kosovës dhe Serbisë të gjenin një zgjidhje afatgjate, bëri që shoferët me targa të Kosovës dhe me ato të Serbisë, të vendosnin letra ngjitëse në simbolet shtetërore në targa, sa herë që kalonin kufirin e këtyre dy shteteve. Vendimi i Serbisë për mundësimin e lëvizjes së lirë të të gjitha automjetev­e nga Kosova në territorin e Serbisë, është marrë më 25 dhjetor 2023 nga autoritete­t serbe, për të hyrë në fuqi pastaj nga 1 janari i këtij viti. "… ky vetëdicipl­inim i Serbisë përdoret për të ulur presionin nga perëndimi demokratik ( Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Mbretëria e Bashkuar) mbi Serbinë për zgjedhjet e manipuluar­a e jodemokrat­ike, por edhe për të mbuluar refuzimin zyrtar të Marrëveshj­es Bazike të Brukselit që i ka bërë letra e Kryeminist­res së Serbisë Ana Bërnabiq drejtuar Këshillit të BE- së me 13 dhjetor, e për të maskuar përgjegjës­inë e tyre lidhur me sulmin terrorist e kriminal në Banjskë të Zveçanit me 24 shtator 2023", ka thënë Kurti duke shkruar se vendimi i Serbisë për targat është "manovër e një pushteti jodemokrat­ik për mbijetesë vetjake". Vendimi i Beogradit u mirëprit nga Bashkimi Evropian, i cili e cilësoi atë si hap pozitiv drejt normalizim­it të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania