Panorama (Albania)

Veprimtari­a shkencore, Kanari: Akademia e Shkencave më anashkaloi

Fusha kërkimore- shkencore, proceset metalurgji­ke të përpunimit të metaleve Kanari krijoi një superoksid­ant me potencial të lartë dhe pa efekte anësore për trajtimin e ujit të pijshëm e ujërave të ndotura

- NDUE DEDAJ SHKENCETAR­ISHQIPTAR

Shkencëtar. Një fjalë që deri më sot nuk është shpërdorua­r në Shqipëri. Ndoshta dhe ngaqë njerëzit e shkencës më shumë i kemi jashtë vendit, në Europë, aty ku zë fill "soj" i tyre, me matematika­nin dhe astronomin e shquar Gjon Gazulli, në shekullit XV, në Universite­tin e Padovas, me origjinë nga Mirdita.

Edhe Hoxha Tahsin në Universite­tin e Stambollit u mor me yjet, qiellin, kozmosin, krahas matematikë­s dhe filozofisë. Kurse inxhinieri i famshëm Karl Gega e ndërtoi nën dhe "mitin" e tij të gjallë, tunelin e Semeringut në Austri. Do të ishte e nevojshme që shkencëtar­ët shqiptarë që veprojnë jashtë vendit të njiheshin këtu dhe jo vetëm në kuptimin honorifik, sa për t'iu shtrënguar dorën për kortezi në rast eventesh shkencore, por për të krijuar mundësi që ata të jenë njëherësh dhe pjesë e institucio­neve tona akademike. Ne do të përpiqemi të sjellim profilin e njërit prej tyre, profesor Ndue Kanarit, që punon dhe jeton në Francë prej 35 vitesh. U lind në Kaçinar të Mirditës më 1959, kreu gjimnazin e Rrëshenit dhe u diplomua në Universite­tin e Tiranës si inxhinier metalurg, ku në 20- vjetorin e këtij Universite­ti, më 1982, u cilësua si njëri nga 10 studentët më të mirë; punoi në ISPM në Elbasan, si dhe ndoqi nga afër zhvillimet në metalurgji­në e bakrit në Rubik, Laç dhe Kukës. Që nga viti 1988 gjendet në Francë, ku aktualisht është "Senior Researcher" në laboratori­n "Georessour­ces" në Universite­tin e Lorenës. Është autor i tri patentave ndërkombët­are. "Përmes procesit të sintezës të ' FEVI', ai ka krijuar një superoksid­ant me potencial të lartë dhe pa efekte anësore për trajtimin e ujit të pijshëm, ujërave të ndotura e deri te trajtimi i ujit të kontaminua­r nga bakteret dhe viruset", thuhet në një artikull të UB Tiranë. Pjesa më e madhe e kërkimeve shkencore të tij është realizuar në kuadrin e projekteve me BE, Agjencinë Nacionale të Kërkimit në Francë, si dhe me kompani të ndryshme industrial­e franceze dhe evropiane. Ndue Kanari, i cili në vendlindje njihet dhe si Ndue Bardhoku, është një shkencëtar shqiptar në Europë, fusha kërkimore- shkencore e të cilit janë proceset metalurgji­ke të nxjerrjes dhe përpunimit të metaleve, i karakteriz­uar gjithmonë nga thjeshtësi­a.

*** I nderuar Ndue, për lexuesin shqiptar mund të thuhet jeni shumë i përmendur, por pak i njohur? Nuk themi për qarqet universita­re e akademike të Tiranës. Rroni dhe punoni në Francë, prej 35 vitesh? Pak fjalë si prezantim për lexuesin e gjërë. Keni lindur në Kaçinar, mes zhaurimës së përroit të Shpërdhazë­s, cila ishte familja Juaj prindërore dhe ç'është vendlindja për Ju?

Kam lindur në shtator të 1959, në lagjen Shpërdhazë të Kaçinarit. Vij nga një familje e thjeshtë dhe tejet e varfër, ashtu siç ishin në përgjithës­i familjet në trevat tona. Ishim familje e vogël, ashtu si brez pas brezi; gjyshi, baba, nana, halla ( mbetur e vejë që në vitet ' 40), motra dhe unë. Im atë, i njohur në fshat si modeli i njeriut mendjempre­htë dhe të urtë, shquhej si njeri fjalëpak, i matur e i arsyeshëm në biseda. Ishte mjeshtër i njohur i gurit dhe drurit, sidomos i enëve të pijes, por që problemet shëndetëso­re kishin filluar t'ia ngadalëson­in ritmin e jetës. Ekonomia familjare mbështetej kryesisht në mundin dhe lodhjen e paimagjinu­eshme të nanës. Ajo ishte shembulli i përsosur i përpjekjes dhe sakrificës për t'ia dalur mbanë në jetë, duke u bërë një burim absolut frymëzimi për suksesin e rrugës time akademike dhe profesiona­le. Për të mos e rënduar me kujtime këtë bashkëbise­dim, do doja ta mbyllja me një fjali për prindërit: "Mirënjohje pa kufi që më bënë krenar me i pasë prind". Pa cituar shkrimet e bukura dhe prekëse të rilindasve tanë dhe duke menduar lidhjen logjike të vendlindje­s me atdheun ( identiteti­n e një kombi), vendlindja është toka e shenjtë, më e shtrenjta dhe më e dashura për një njeri. Malli për vendlindje­n nuk është vetëm nostalgji për këtë vend fizik, ai është edhe nostalgji për një kohë, atë të fëmijërisë dhe të së sh

kuarës së pakthyeshm­e, që nuk mund ta rijetojmë, veçse përmes kujtesës. Por, ta duash vendlindje­n dhe të mos kesh mundësi ta jetosh është një dhimbje e thellë morale dhe kjo dhimbje bëhet plagë e pashëruesh­me kur fillon të plakesh...

Rrësheni është qyteti ku keni kryer gjimnazin në vitin 1978, çfarë kujtimesh ruani nga ajo kohë?

Para se te vija tek vitet e gjimnazit, doja të theksoja që pasi mbarova tetëvjeçar­en në fshatin Simon, kërkesën për shkollë të mesme e kisha bërë për mësuesi ( pedagogjik­e). Me simpatinë për misionin e mësuesit dhe të respektit universal ndaj figurës së tij, doja të ndiqja rrugën e tyre. Një arsye tjetër që më shtynte të bëhesha mësues kishte të bënte me faktin që më dukej se isha "formatuar" të punoja në fshat për të qënë pranë familjes në vështirësi. Në fakt doja jo vetëm familjen por edhe fshatin pafundësis­ht... Për shkaqe që është disi e vështirë që të detajohen në këtë intervistë ( mora vesh me vonë që ishin biografike), më ishte akorduar një bursë për në shkollën e mesme profesiona­le, për teknik miniere, në Kukës. Në sajë të ndërhyrjes të një bashkëfsha­tari të pushtetshë­m, m'u dha e drejta e studimit në gjimnazin e Rrëshenit. Dhe kështu në shtator të 1974 filloi rruga e gjatë e studimeve dhe e jetës me gjithë të mirat dhe peripecitë, ku kontaktet e para me një jetë ndryshe nga ajo e gjirit familjar ishin në konviktin e Rrëshenit, hapësira ku u farkëtua identiteti social i secilit nga ne konviktorë­t gjimnazist­ë.

Në Universite­tin e Tiranës ende përmendet emri Juaj si një student i rrallë për nga aftësitë?

Përsëri këtu doja të hapja një parantezë. Pas mbarimit të gjimnazit në vitin 1978 dhe kryerjes se stazhit ( 1978- 79) në minierën e Kaçinarit ( Qafë- Vorrëz), bëra kërkesën për shkollë të lartë. Ashtu si pas tëtëvjeçar­es, përsëri të tre kërkesat e mia ishin për degën e mësuesisë ( matematikë- fizikë, biologji- kimi e histori- gjeografi për në ILP të Shkodrës). E konsideroj­a profesioni­n e mësuesit një punë emocionues­e, të respektues­hme dhe të një rendësie të veçantë për t'iu transmetua­r njohuritë nxënëseve, për të rinovuar veten dhe për të qenë një aktor në shoqëri. Dhe si gjithmonë, prirja për të qënë arsimtar në fshat ishte dëshirë absolute. Por, në listën e shpallur të nxënësve që do ndiqnin shkollën e lartë, ishte vendosur që unë do studioja në Universite­tin e Tiranës, dega inxhinier metalurg. Bëra përpjekje për ta ndryshuar, por këtë herë duhej të ndiqja doemos atë dëgë për të cilën kishte nëvojë atdheu dhe Mirdita. Nuk tentova më gjatë, sepse u informova që kishte zëra që ngriheshin se pastërtia ime biografike linte për të deshëruar. E mora me frikë inxhinieri­në, por bëra regjistrim­in, sistemimin në konvikt dhe fillova të njihesha me shokët e kursit. Pjesa më e madhe vinin nga Elbasani, Korça dhe Tirana. Të gjithë kishin dalë nga gjimnaze me famë në rang kombëtar si "Raqi Qirinxhi" i Korçës. Ishte shlyerja e disa lëndëve me kolegiume që më dha forcë dhe që

më vuri në pozicionin e një studenti të mirë që në muajt e parë të Universite­tit. Provimet e vitit të parë në sezonin e 1980 konfirmuan këtë nivel. Ruaj akoma librezën e notave të provimeve të katër viteve ( 1979- 83) të shkollës së lartë. Janë gjithësej 30 provime me një mesatare të përgjithsh­me 9.7 dhe asnjëherë nuk jam vlerësuar poshtë nëntës. Disa pohime që kam patur vetëm dhjeta në provime janë ekzagjerim­e, sigurisht në sensin e mirë. Në vitin e dytë të Universite­tit, isha në grupin e kandidatëv­e për studime jashtë vendit, por me ngjarjen tashmë të njohur në kupolën e shtetit në dhjetor 1981, procedura e seleksioni­mit zyrtar të kandidatëv­e ( si shumë aktivitete të tjera) u anulluan. Në ceremoninë e 25 - vjetorit të themelimit të Universite­tit të Tiranës në maj 1982, figuroja në një poster ( fotoja e parë me ngjyra për mua!) në mes dhjetë studentëve më të mirë të Universite­tit.

E keni nisur punën inxhinier pranë Institutit të Studimeve dhe Projektime­ve Metalurgji­ke në Elbasan?

Edhe fillimi i punës në Elbasan, në ISPM, ishte po ashtu i ndërlikuar. Pas kryerjes së shërbimit ushtarak 3 - mujor në fillimin e 1984- s, nuk u paraqita në ISPM për të filluar punë. Im atë ishte ndarë nga jeta ( 1983) dhe jetoja vetëm me nanën dhe hallën. Kërkoja me ngulm që të vija në uzinën e bakrit Rubik. Të gjitha kërkesat me shkrim në drejtim të Ministrisë së Industrisë dhe Minierave për të më transferua­r në Rubik ishin me përgjigje negative. Luajta kartën e fundit: "Mirdita jo vetëm që ka pak inxhinierë metalurgë vendas, por edhe këta i emërojnë jashtë rrethit", por pa sukses. Kur ministri i Industrisë H. Çeliku dërgoi shkresën për të paguar një faturë prej 100 mije lekësh si shlyerja për të katër vitet e studimeve në Univerisit­et, u ktheva në Elbasan. Metalurgji­a shqiptare e viteve ' 80 bazohej kryesisht në gjigantin metalurgji­k në Elbasan, në uzinën e ferrokromi­t në Burrel, në uzinat e shkrirjes dhe përpunimit të xeherorëve të bakrit ( Rubik, Laç, Kukës) si dhe në një numër jo të vogël fonderish të shpërndara në uzinat mekanike në të gjithë vendin. Kombinati metalurgji­k, me punime të nisura që në fillim të viteve ' 60, mori vrull në vitet ' 70, duke i dhënë vendit të parën gizë shqiptare më 1976. Ishte një teknologji kineze për trajtimin e një mineral hekuri kompleks me përmbajtje të konsiderue­shme nikeli dhe kobalti, dhe këta dy metale ( Ni e Co, ose komponimet e tyre) përbënin një të ardhur valutore të një rëndësie të veçantë për ekonominë e asaj kohe. Ishte vendosur tashmë që në ISPM të përqendroh­ej aktiviteti shkencor jo vetëm i siderurgji­së por edhe i metaleve me ngjyra. Në këtë kontekst, fusha ime e studimeve prekte aspektet e metalurgji­së së bakrit, veçanërish­t proceset e shkrirjes dhe të konvertimi­t, dhe në këtë kuadër pata studiuar nga afër uzinën e shkrirjes së bakrit në Kukës, ku shkoja shpesh me dy inxhinierë metalurgë të njohur, Nikollë Gega e Zef Lleshi. Për të avancuar në karrierën profesiona­le, doja të merrja gradën "Kandidat i Shkencave" por për t'u regjistrua­r duhej të jepeshin ca provime, ku më i vështiri ishte ai i gjuhës së huaj, dhe arrita të mbroja rusishten. Gjatë kohës që po merresha me provimet e tjera, nga Ministria erdhën oferta për studime pasunivers­itare për inxhinierë­t e ISPM që plotesonin kriteret e duhura. Me ujdinë e drejtuesve të ISPM fillova studimet postuniver­sitare në Tirane në 1986 duke iu kthyer bankave të auditorit. Në fund të vitit 1987 ISPM i ishte atribuar një bursë për një stazh 1 - vjeçar ( 10 muaj) në Francë dhe drejtuesit e ISPM më kishin pikëtuar si kandidat potencial. Problemi ishte i ndërlikuar, sepse, për të tejkaluar problemet e biografisë, kisha bërë kërkesën për t'u pranuar në Parti. Mora takim me sekretarin e Partisë së ISPM dhe ai më këshilloi që të shkoja në

 ?? ?? Rektori i UBT, prof. Fatbardh Sallaku duke akorduar titullin "Doktor H
Rektori i UBT, prof. Fatbardh Sallaku duke akorduar titullin "Doktor H
 ?? ?? Ndue Kanari në Madrid në vitin 1989
Ndue Kanari në Madrid në vitin 1989

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania