Panorama (Albania)

Vetëvrasja e një nëne

- PËLLUMB NAKO

Dhuna në familje e shkaktoi edhe një viktimë. Menjëherë pas ngjarjes, reagimet ishin të shumta dhe ndërmjet tyre, pena dhe figura femërore të njohura në mbarë vendin. Nuk mund të rrinte pas edhe niveli politik femëror pa shprehur indinjatën ndaj një krimi të kësaj natyre dhe si zakonisht, njëzëri u kërkua dënimi më i ashpër për bashkëshor­tin kriminel të viktimës. Në themel të të gjithë qëndrimeve mbetet ligji dhe dënimi. Ashtu si dhe profili i opinionit publik shqiptar, i cili karakteriz­ohet nga reagimi emotiv dhe jo i qëndrueshë­m ndaj ngjarjeve të tilla të rënda, edhe institucio­net e vendit më së shumti kënaqen duke dhënë dënimin e merituar për autorin. Si gjithmonë dominon ndëshkimi i fajit, por mungon një punë paraprirës­e e qëndrueshm­e, hap pas hapi në vazhdimësi e institucio­neve dhe e organizmav­e shoqërorë në mënyrë të integruar, për të diagnostik­uar deri në detaj të gjithë fenomenin të dhunës në shoqërinë shqiptare. Natyrshëm ky diagnostik­im do të shoqërohej më pas me ndërmarrje hapash ligjorë, institucio­nalë dhe shoqëror për të parandalua­r fenomenin. Nuk është i mjaftueshë­m vetëm Kodi Penal i cili dënon dhunën, sado i ashpër qoftë ai, me gjithë përmirësim­et e dukshme që ka pësuar. Një kontekst i tillë do të thotë që nëse ligji dënon ashpër dhunën në familje ndaj gruas dhe të miturit, dënohet vetëm maja e ajsbergut të asaj që ndodh realisht brenda familjes shqiptare. Sepse vetëm dhuna është e dënueshme, megjithëse ajo gjithmonë paraprihet nga një mori sjelljesh agresive, presionesh dhe fenomenesh të tjera më të rënda arkaike gjysmëfeud­ale, ende me plotfuqish­mëri në shumë familje shqiptare. Shkëlqimi i femrave politikane, i disa shtresave intelektua­le apo edhe i atyre të ashtuquajt­ura nëpër portale VIP nuk përbëjnë shkëlqimin e shoqërisë sonë, sepse problemi është thelbësor. Ai qëndron ende i fortë, i vendosur mbi një trashëgimi marrëdhëni­esh gjysmëfeud­ale që ndikojnë jo vetëm në anashkalim­in e ligjeve moderne të shtetit, por kanë më tepër forcë se vetë ato. Nëse organet e pushtetit ligjor si policia dhe mjaft organizma të tjerë shoqërorë u bëjnë thirrje grave për të denoncuar dhunën që pësojnë brenda familjeve të tyre, traditat feudale ndërfamilj­are, si pushtet paralel me atë ligjor, gjejnë forcën jo vetëm të ndalojnë denoncimet e rasteve të dhunës, por gratë të japin edhe konsensusi­n e tyre për një situatë të tillë. Nëse një individ dhunohet në rrugë, për shkak të saj ai ndjen frikë dhe modifikon lëvizjet që bën në përditshmë­ri, duke shmangur vendin ku u dhunua. Sigurinë ai e gjen brenda mureve të shtëpisë. Kurse në rastin e femrës, situata paraqitet katastrofi­ke. Ajo e pëson dhunën pikërisht në vendin që duhet të ishte më i sigurt për të dhe nga individi që duhet ta siguronte më shumë, pra nga bashkëshor­ti në banesë. Dhuna ndaj saj në fakt është skllavërim dhe ky skllavërim është një proces, i cili ka filluar për të që më parë dhe jo thjesht kur shoqërohet me dhunë. Siç u citua pak më lartë, dhuna fizike është kulmi i një marrëdhëni­eje të shtrembëru­ar, që ka filluar që nga koha kur ajo ka qenë në familjen e saj. Që një grua të ketë kurajën për të luftuar dhunën e bashkëshor­tit apo bashkëjetu­esit apo partnerit, duhet në radhë të parë të jetë e lirë dhe sidomos e zhveshur nga nevoja. Këto dy fjalë nuk janë propagandë boshe. Gjithmonë është nevoja, ajo që e detyron gruan shqiptare të suportojë dhunën familjare, një nevojë kjo sidomos me natyrë ekonomike. Dhe kur një individ vepron nën shtrëngimi­n e nevojës, ai nuk është më individ i lirë. Dhe gruaja shqiptare pavarësish­t nga propaganda hipokrite e femrave politikane dhe e të tjerave si ato që e kanë të zgjidhur çdo problem ekonomik, mbetet individi me mungesën më të madhe të lirisë në shoqërinë shqiptare. Më konkretish­t: Nëse në Shqipëri shihet me vëmendje e drejta e pronës, megjithëse bëhet fjalë për një legjislaci­on modern, ai zbehet dhe zhvishet në themelet e tij për shkak të së drejtës zakonore, e cila funksionin si një ligj paralel me atë administra­tiv. Është e drejta zakonore feudale në Shqipëri, ajo që nëpërmjet një dhune okulte, e cila në të shumtën e rasteve gjen konsensus nga gratë e familjeve tradiciona­le shqiptare, u jep ligjeve që normojnë pasurinë private një formë thuajse në përputhje me të drejtën zakonore. Sipas kësaj të fundit, femra është “derë e botës” e për rrjedhim ajo zhvishet nga prona familjare. Ndërkohë ligji modern bazohet mbi kryefamilj­arin dhe kur ky i fundit ndjek të drejtën zakonore, natyrshëm ushtron trysni mbi femrat e familjes e për rrjedhim ndodh mjaft shpesh që këto të fundit t’ia “dhurojnë vullnetari­sht” pjesën e tyre babait ose vëllezërve dhe po ashtu të heqin dorë edhe nga trashëgimi­a. Nëse e drejta moderne mbi pronën private në Shqipëri funksionon mbi bazën e detyrimit ligjor, ajo zakonore bazohet mbi bindjen e brendshme e për rrjedhim mbetet ende shumë e fortë, aq sa të drejtën moderne ia nënshtron asaj zakonore. Sipas Dhomës Kombëtare të Noterisë, të paraqitur në Podcast- in e një gazetareje mjaft të njohur, rezulton se gjatë tri viteve të fundit kanë hequr dorë vullnetari­sht nga pronësia 583 vajza dhe gra si dhe 795 të tjera kanë hequr dorë nga trashëgimi­a. Duket qartë që në shoqërinë tonë është mjaft i dukshëm fenomeni, ku presioni familjar apo ai i ambientit ku jetohet, bëjnë shpesh që zbatimi i ligjeve moderne të shtetit të kryhet në përputhje me normat zakonore. Dhe për këto të fundit si garant funksionim­i mbetet gjithmonë presioni si formë e dhunës. Pra, bëhet fjalë për një lloj dhune e paevidentu­ar si shqetësim publik. Rastet e mësipërme janë ilustrimi më i qartë. Pra, dhuna më e madhe ndaj gruas shqiptare fillon pikërisht te pasuria. Mungesa e saj e ndrydh atë në vetvete dhe e mban në kufijtë e skllavëris­ë dhe nuk e ndihmon të ndërtojë jetën e pavarur. Por dhuna ekonomike nuk përfundon këtu. Të zhveshura nga prona, vajzat e familjeve patriarkal­e shkojnë te bashkëshor­ti i ardhshëm, i cili ka probabilit­et shumë më të madh për të pasur mirëqenie ekonomike krahasuar me të. Por kur vjen momenti për një divorc të mundshëm, Dhoma Kombëtare e Noterisë konstaton një tjetër formë dhunë. Të shtrënguar­a nga bashkëshor­tët e tyre, janë të shumta gratë të cilat heqin dorë nga pasuria e përfituar nga martesa. Dhe kur Dhoma Kombëtare e Noterëve konstaton se 95 për qind e tokës bujqësore është e regjistrua­r në emër të kryefamilj­arit pa saktësuar të qartë bashkëpron­arët, fenomeni merr përmasa ende më kritike. E njëjta gjë edhe në rastet e legalizime­ve ku megjithëse kërkohet certifikat­a familjare, kjo e fundit praktikish­t neglizhohe­t. Shihet qartë që dhuna fizike mbi gruan në familje është e pamundur të luftohet me efikasitet në një kohë kur e drejta zakonore shqiptare mbi pronën, deformon të drejtën moderne, duke e kthyer gruan në një skllave në mungesë të mjeteve jetike për të qenë minamalish­t e lirë. Para se ta mbrojë nga dhuna, shoqëria shqiptare duhet t’i japë gruas të drejtën për të qenë e lirë.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania