Panorama (Albania)

Njëpërmend­ore nëlondërdh­e lufta në Palestinë

- MËHILL TANUSHI

Hyrjen e banesës ku jetoj në pjesën lindore të Londrës e ndajnë vetëm pesë hapa prej “Poplar Park”. Ai është një park i vogël, rreth 2 kilometra katrorë, i gjelbëruar me lule e pemë të mëdha dhe i sistemuar bukur. Rreth e përqark ka një pistë të asfaltuar, ku mund të shëtisësh apo të vraposh, kurse më në mes janë ndërtuar dy fusha tenisi ngjitur njëra me tjetrën, një fushë basketboll­i dhe një kënd shumë i bukur lojërash për fëmijë. Ato janë fiks përballë dritares sime dhe unë sa herë ndjej nevojën për t’u çlodhur, apo për të larguar ndonjë stres të çastit, dal dhe rri bukur gjatë mbështetur te parmakët e dritares, duke shijuar përmes zërave gazmorë të fëmijëve që lozin, herë lojërat e basketboll­it e herë ato të tenisit. Këto fusha kanë përherë gjallëri. Vijnë e lozin që nga djem e vajza të reja e deri edhe të moshës sime. Dritarja ime i kundron nga sipër si një llozhë teatri. Kaq pranë i kam, saqë them me vete se po të zgjas dorën do ta kap në ajër topin e verdhë të tenisit. Shpesh më ngjanë vetja me arbitrin e lojës që mban pikët, i hipur në karrigen sipër rrjetës. Gjithsesi, e quaj fat që ky park është pjesë e të përditshme­s sime. Por jo gjithmonë prania e këtij parku më jep vetëm kënaqësi. Ndonjëherë më krijon një lloji trishtimi. Ky përjetim i trishtë, më vjen prej një përmendore­je që është ngritur në qendër të këtij parku. Ajo përjetëson një ngjarje tragjike që ka ndodhur këtu e 106 vjet e gjysmë më parë, pikërisht më 13 qershor 1917.

NJË ENGJËLL NË ZI

Londra është e mbushur me parqe dhe “Poplar Park” aq i vogël sa është, as nuk do të njihej e as nuk do të përmendej shumë nëse nuk do të mbartte një histori shumë të dhimbshme dhe tronditëse. Në përkujtim të kësaj ndodhie, këtu është ngritur një përmendore prej mermeri dhe graniti. Ajo ka formën simbolike të një engjëlli që mban zi me krahë të hapur. Në trupin e përmendore­s janë gdhendur emrat e 18 fëmijëve të vrarë nga bombardime­t gjatë Luftës së Parë Botërore. Ishte e mërkurë, ajo ditë fatale e 13 qershorit të vitit 1917 kur avionët gjermanë filluan të bombardojn­ë Londrën. Nxënësit e shkollës fillore “Upper North Street” ishin duke zhvilluar normalisht mësimin në klasën e tyre kur dy predha 50 kilogramës­he u lëshuan mbi çatinë e ndërtesës së shkollës. Ato përshkuan katin e dytë dhe të parë dhe u eksploduan në njërën prej klasave përdhese, ku mësonin 64 fëmijë të klasës së parë. Nga shpërthimi i tmerrshëm humbën menjëherë jetën 18 fëmijë dhe u plagosën rëndë 37 të tjerë. 16 prej tyre ishin engjëj të moshës 4- 6 vjeç, ndërsa 2 fëmijë më të rritur të moshës 10 dhe 12 vjeç u vranë nga kalimi i bombës përmes kateve të mësipërme. Ceremonia e varrimit të fëmijëve u bë 7 ditë më vonë, më 20 qershor 1917. Identifiki­mi i trupave të copëtuar të vogëlushëv­e ishte i pamundur. Vetëm tre prej tyre u njohën prej prindërve dhe u vendosen në varre të veçanta, kurse për 15 të tjerët u bë një varr i madh masiv. Ajo ditë është quajtur “dita fatale” dhe në përvjetorë të kësaj ngjarjeje organizohe­n ceremoni dhe vendosen kurora me lule. Me rastin e 100- vjetorit të bombardimi­t të kësaj shkolle, më 2017, vetëm 5 vjet para se të ndërronte jetë, në moshën 91vjeçare, këtu erdhi vetë Mbretëresh­a Elizabeta e II e shoqëruar nga Princi Filip.

PËRMENDORJ­A DHE KËNDI I LOJËRAVE

Dua apo s’dua, sapo dal prej shtëpie, çdo ditë përballem me këtë përmendore që u kushtohet atyre fëmijëveen­gjëj, që vdiqën pa u rritur. Përjetimin e trishtë e ndjej më të rëndë sa herë vijnë të më vizitojnë dy mbesat dhe dy nipat e mi. Gjëja e parë që më kërkojnë është t’i shoqëroj te këndi i lojërave, i cili nuk është as 10 metra nga përmendorj­a. Për fat të mirë ky kënd është rinovuar dhe zgjeruar kohët e fundit dhe ka shumë lloj lojërash dhe fëmijëve u pëlqen të

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania