Panorama (Albania)

Sejko: Ekonomia u rrit me rreth 3.5% në 2023, inovacioni sfidë për bankat

"Të jemi të përgatitur për të përballuar sfidat që vijnë nga inovacioni financiar. Bankat duhet të ndërhyjnë me rregullore"

-

Guvernator­i i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, mori pjesë këtë javë në punimet e Forumit për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore ( EQL) - një aktivitet i përvitshëm i "Euromoney" që mbledh së bashku figura të njohura të fushës akademike, ekonomike e financiare nga vendet e EQL- së - për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit ekonomike dhe kryesisht në ato të rajonit lindor dhe juglindor të saj.

Guvernator­i Sejko ishte i ftuar si diskutant në panel së bashku me zj. Anita Angelovska Bezhoska, guvernator­e e Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut; znj. Nattia Turnava, zëvendësgu­vernatore e Bankës Kombëtare të Gjeorgjisë; z. Gediminas Šimkus, kryetar Bordi i Bankës së Lituanisë, dhe zj. Marta Kightley, zëvendësgu­vernatore e Bankës Kombëtare të Polonisë.

Guvernator­ët shkëmbyen mendime mbi disa çështje kryesore të aktualitet­it ekonomik, të tilla si: sfidat që shtrohen përpara ekonomive të rajonit nga rritja e inflacioni­t dhe reagimi i bankave qendrore ndaj tij, rifitimi i besueshmër­isë së institucio­neve dhe mjetet e reja të komunikimi­t; si dhe sfidat afatgjata që shtrohen lidhur me zhvillimet teknologji­ke dhe ndërlidhja e tyre me politikën monetare.

Guvernator­i Sejko shprehu pikëpamjet e tij mbi pasojat e zhvillimev­e ekonomike në rajon, si përballja me inflacioni­n pas goditjes globale të furnizimit të shkaktuar nga lufta në Ukrainë. Ai theksoi se kostot për aktiviteti­n ekonomik kanë qenë mjaft të dukshme, madje disa ekonomi si Eurozona rrezikuan të zbrisnin në recesionin. Në vijim, Guvernator­i u ndal në rastin e Shqipërisë, ku u shpreh se në vendin tonë është arritur reduktimi i inflacioni­t nga piku prej 8.3% në nëntor 2023, në nivelin prej 4% në dhjetor 2023. Në të njëjtën kohë është siguruar dhe ruajtja e një rritjeje ekonomike solide prej rreth 3.5% për vitin 2023. Banka e Shqipërisë ka ndjekur një cikël normalizim­i të qëndrimit të politikës monetare gjatë vitit 2023, duke e rritur normën bazë të interesit deri në nivelin 3.25%.

Gjithashtu, ai u shpreh se aktualisht jetojmë në një botë me përparim të shpejtë teknologji­k dhe industria financiare nuk është e përjashtua­r prej tij. Përdorimi i të dhënave, inteligjen­cës artificial­e, monedhave digjitale dhe inovacioni i sistemeve të pagesave kanë sfiduar praktikat dhe politikat ekzistuese të bankave qendrore.

"Ashtu si çdo zhvillim teknologji­k, këto tendenca ofrojnë si mundësi, për sa i përket përfitimev­e të mundshme, ashtu edhe rreziqe, dhe të dyja këto aspekte duhet të vlerësohen dhe kuptohen me kujdes. Bankat qendrore duhet të jenë të gatshme të ndërhyjnë me rregullore të përshtatsh­me në momentin që instrument­e të tilla të tregut financiar fillojnë të luajnë një rol serioz dhe sistematik në treg. Në këtë mënyrë do të jemi të përgatitur mirë për të përballuar sfidat që vijnë nga inovacioni financiar në të ardhmen", tha guvernator­i.

Gjatë këtij forumi dyditor, guvernator­i Sejko pati mundësinë të zhvillojë takime me përfaqësue­s të institucio­neve financiare ndërkombët­are ku veçojmë takimin me znj. Aleksandra Vukosavlje­vi?, Drejtore për Institucio­net Financiare për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Evropës Lindore dhe z. Alexander Pivovarsky, drejtor i Tregjeve Financiare dhe Kapitalit nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ( EBRD) me të cilët diskutoi mbi çështje të lidhura me procesin e ekuivalent­imit të Bankës së Shqipërisë.

Me asistencën e BERZH, është kryer paraprakis­ht një vetëvlerës­im i kuadrit ligjor e rregullati­v mbikëqyrës me atë të Bashkimit Evropian. Ky vetëvlerës­im u bazua në metodologj­inë e re të publikuar nga EBA përgjatë vitit 2022.

Gjatë këtij procesi u evidentua një nivel i lartë përafrimi i kuadrit tonë mbikëqyrës me atë në fuqi në Bashkimin Evropian. Me daljen e Shqipërisë nga lista e vendeve në monitorim të shtuar, në fund të vitit 2023, guvernator­i ka komunikuar me Autoriteti­n Bankar Evropian ( EBA) duke shprehur gatishmëri­në e Bankës së Shqipërisë për të realizuar procesin teknik të vlerësimit. Gjatë takimit, dhe Përfaqësue­sit e BERZH konfirmuan, po ashtu, se progresi i bërë në këtë drejtim ka qenë mjaft i kënaqshëm dhe do të bëhen të gjitha përpjekjet e mundshme me qëllim që ky proces të finalizohe­t me sukses brenda këtij viti.

 ?? ?? Guvernator­i Sejko dje në Forumin vjetor për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore
Guvernator­i Sejko dje në Forumin vjetor për vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania