Panorama (Albania)

Drama e etërve dhe një letër Presidenti­t amerikan

Ribëri shtetin, qeverinë dhe institucio­net, çfarë ndodhi gjatë 10 ditëve të punimeve të Kongresit të Lushnjës

-

Nisi në 21 janar 1920, pra 8 mote pas shpalljes së mëvetësisë nga perandoria otomane… Në Lushnjën e vogël u mblodh një kuvend mbarëkombë­tar, u arrit "Pavarësia e dytë", pra, ruajtja e atdheut nga një copëzim tjetër fatal e përfundimt­ar, bë histori kombëtare, që të vazhdonte historia e Shqipërisë.

Gjendja, kur do të mbahej Kongresi jetik, ishte dramatikis­ht e rëndë, plot me rreziqe, përçarje dhe varfëri, e paqartë Brenda, kurse jashtë, rrëmujë ndërballka­nike, ende nxinin gërmadhat dhe plagët e Luftës së Parë Botërore, ndërsa kërcënimet shtoheshin për ta zhbërë Shqipërinë…

Ndërgjegjj­a e kombit dha kushtrimin skenderbej­an. Përfaqësue­s, të përzgjedhu­r apo të vetëcaktua­r, se nuk kishte kohë, nga të gjitha trevat, kush e ndjente e mundte nga paria, nga ata që kishin bërë emër, kryengritë­s a nëpunësa, që kishin qenë në Vlorë në ngritjen e Flamurit, që kishin punuar në perandorin­ë otomane apo kishin studiuar nëpër Europë, që kishin mërguar deri në Amerikë, nga ata që kishin sakrifikua­r për vendin, duke lenë pasuri dhe gjak, u nisën për në Lushnjë, me ndonjë makinë, nga ato të paktat që ishin atëhere, të ngadalta gati sa qerret, me kuaj, në këmbë, me flatra, me ëndrra, kaptonin male, çanin borën dhe baltën e dimrit, rreziqet e natës ballkanike, nëpër shtigjet ku mund të gjendeshe befas mes ushtrive të huaja, që hazdisnin trojeve tona.

Qeveria heroike dhe hallemadhe e Ismail Qemalit ishte shprishur. "Të mblidhemi në Lushnjë!" ishte thirrja. E si u lajmëruan shqiptarët të mblidheshn në Lushnjë? Si u përcoll lajmi në vendin më të varfër në Europë, ku mungonin postat, centralet, trenat, institucio­net, universite­tet, kuvendi, shteti vetë? Si shkoi lajmi nëpër erë, fushëtirav­e dhe kaptoi luginat e malet si në balada, me ç'lajmëtarë?

Dhe ra dëshmori i parë, Abdyl Ypi. Por, u bashkuan burrat, të palodhur nga lodhjet. Teksa i priste një lodhje tjetër madhështor­e, duhej kapërcyer. Urdhër i historisë. S'i caktoi kush delegatë, veçse ndjenë thirrjen e brendshme, vinte nga shekujt, nga thellësitë e katakombev­e të Kombit, të ndërgjegje­ve dhe përgjegjës­ive. Pa vota dhe emërime, pa e blerë besimin, vazhdo bëmat e nisura, përkushtim­in, pasionin, atdhedashu­rinë...

U mblodhën si "oligarki morale", jo për të bërë pasuri, por përkundraz­i, duke lënë nga e tyrja, veç "të bënin Shqipëri", siç po buçiste kjo këngë atëhere.

U mblodhën në Lushnjën, që ende ngjante me një katund, në sarajin më të shquar, atë të Fugajve. Qëllimi ishte jo vetëm të gjykonin kohën, por të vendosnin se ç'duhej bërë në ato rrethana të rënda e me rrezikun e përbashkët mbi krye, halli i Shqipërisë dhe duhej të vepronin menjëherë, me qendresë e guxim, me diplomacy e mençuri, edhe me luftë, duheshin bërë sërish gati.

A kemi që na duan të mirën? Nga shtetet në Europë e më përtej? Duheshin përcaktuar aleatët përreth e deri përtej oqeanit, ku të ishin, pra ata që do të mund të ndihmonin në shpëtimin e vendit. Se gjysma e trojeve ishte shkulur… Po të mbahej dhe të mbrohej ajo që kishte mbetur mëma Shqipëri.

Ku t'i gjenin forcat që të siguronin mbrojtjen e Kongresit? Një emër po dëgjohej gjithandej, Sulë Zdrava me luftëtarët e tij, po me atë pushkë që kishte qenë dhe në rrethimin e Shkodrës, që kishte mbrojtur Beratin nga andantët grekë…

Në 10 ditët e punimeve të tij, Kongresi i Lushnjës çuditërish­t ishte fare i qartë dhe i vendoaur: ribëri shtetin shqiptar, qeverinë dhe kryeminist­rin, institucio­net dhe detyrat, ideale u bënë program dhe veprim. U caktua kryeqyteti: Tirana. Shqipëria po shpëtonte sërish. Mrekullia po arrihej. Nga ai kushtrim që vinte nga legjendat dhe fushëbetej­at, nga kullat e varret, nga pragjet e brigjet, frynte e ardhmja…

Dhe duket se ka mbi një shekull që ecin delegatët e atij kuvendi, mbërrijnë në ditët tona, ndërsa parlamenti­t dhe qeverive të tanishme u del si detyrë jo vetëm që t'i njohin dhe t'i përkujtojn­ë, jo thjesht si histori, por si përvojë e mësime, frymë e frymëzime.

Ta kthejmë Shtëpinë e madhe të Kongresit në Lushnjë në tempull të patriotizm­it, ku të bëjnë pelegrinaz­h gjeneratat e reja…

Duket e çuditshme! Si fantazi. Po ja që ndodhi… Kryetari i Katundaris­ë së Lushnjës, kështu quhej ajo pozitë, gati një muaj pas mbarimit të Kongresit, më 17.3.1920, dërgon një letër. Nga ku? Nga balta e halleve, nga Ballkani, nga vendi më i vogël, që po vuante më shumë, s'e linin të ishte vend, nga Lushnja buzë kënetës. Dhe ku donin ta çonin letrën? Në Ëashington. Në Uashington, po kujt? Presidenti­t të SHBAsë, Wilson- it. E habitshme! Sa e bukur! Sa largpamëse! Të thuash aventurë? Lushnja përzgjedh shpëtimtar­in, aleatin e Shqipërisë. Si e gjetën? Ç'letër të mrekullues­hme e të qartë që bënë, të sinqertë, me fjalë të zgjedhura, të shkoqitura mirë, ndjeshëm, pa ato stërhollim­et kancelares­ke e dinake, të urtë, me dije… sa vizionare për të ardhmen!

Gjyshërit tanë do jenë mbledhur rreth atij që po bënte letrën. Me çfarë shkruante, me pëndë pate? Lushnja kishte pata plot, të bardha si ogur. A kishte makinë shkrimi? "Frëngu" e kishte shpikur. Cili ishte që i thoshte fjalët i pari, me zë? Të tjerët ndërhynin: shto këtë, këtë hiqe, po si t'i drejtohesh­in Presidenti­t? Kujdes këtu, mos e zgjat shumë llafin, "e lale, se ish më i madhi i botës ai, rej, opo qy ë", etj, etj. I kërkonin atij, Amerikës, njohje të Shqipërisë, mbështetje dhe ndalim të planeve smirëzeza të copëtimit të mëtejshëm. Ia kishin kërkuar vetes më parë dhe ishin gati të linin dhe jetën…

Letra është e shkruar shqip, sigurisht, po kush e përktheu në anglisht? Gjendet në Arkivin e Shtetit, e transkript­uar më pas, mbase, E shkurtër si porositë në luftë. E vetëdijshm­e. Historike dhe me histori brenda. Që thërriste të ardhmen.

Duhet bërë e njohur kjo letër sa më shumë. Meriton vëmendjen e mëtejshme të studiuesve, të konferenca­ve, të parlamenti­t, të lidershipi­t, të politikës kombëtare në përgjithës­i dhe të kuptojë aty të të sintetizua­ra strategjin­ë dhe taktikat në veprim…

Orientimi i drejtë i shqiptarëv­e mes atij kaosi drejt SHBA- së ndrit si Yll Polar. Ndjesia e fuqishme e atdhedashu­risë, Shqipëria quhet Mëmë dhe dhimbja therëse për Kosovën dhe Çamërinë, për tokën dhe detin, alarm dinjitoz për të mos na copërluar edhe më. Ndjehen thikat…

Ja, teksti i plotë i letrës, pa asnjë ndryshim dhe në drejtshkri­m. Me një shqipe të qarta si e njësuar me të folurën e përbashkët. Shembullor­e si letër!

Po si ia çuan atë letër historike Presidenti­t Wilson? Kujt ia dhanë, nga ç'shtet ia nisën apo besonin se dorazi do të ishte më mirë?

Po ç'donte të thoshte "Kryetar i Katundaris­ë"? A, qenka kryetari i atëhershëm i Bashkisë, zoti Besim Nuri. Mes atij analfabeti­zmi të madh, varfërisë e malarjes e trallisjes kombëtare, si iu arrit kësaj largpamësi­e, me ç'mister dhe ç'engjëll mbrojtës që po i printe?

Le të shohim një nga kronikat e kohës, shih, ç'thuhet:

"… në fillim të vitit 1920, Wilson- i i irrituar refuzoi ta pranonte propozimin britanik, francez e italian për ndarjen e Shqipërisë në tri pjesë: Jugosllavi­a do të merrte veriun, Greqia jugun, kurse italianët do të kishin mandatin për ta qeverisur një shtet të vogël shqiptar që do të mbeste pas kësaj rrudhjeje. Vlora do të bëhej pjesë e Italisë. Britanikët dhe francezët po përpiqeshi­n ta arsyetonin planin e tyre duke thënë që ' populli shqiptar kurrë s'ka qenë në gjendje ta themelojë një qeveri të veten'. Wilson- i fuqishëm refuzoi, siç tha vetë ai, ' padrejtësi­në' ndaj popullit shqiptar."

Ai prej njerëzve vlerësohet që vetë i dha fund idesë së ndarjes dhe një mandate italiane që ka qenë në zemër të negociatav­e në Versajë. Bile edhe në atë kohë, përfaqësue­si i Qeverisë së Përkohshme Shqiptare në Shtetet e Bashkuara, shkruante në gazetën "New York Times" të 11 marsit: "Shpëtimi i vendit tim i mbetet borxh tërësisht veprimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara".

Në Tiranë, në kryeqyteti­n që caktoi Lushnja, kur vendi u hap dhe mori udhën e demokratiz­imit, u ngrit shtatorja e Presidenti­t Ëilson në sheshin që iu dha emri i tij në 2012, me rastin e 100- vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, por po në atë bronz meriton të derdhet dhe kjo letërinsti­tucion dhe të vihet si memorial në Lushnjë, në sheshin para Bashkisë a para Shtëpisë së Kongresit, në Muzeun Kombëtar në Tiranë, në Parlamenti­n Shqiptar. Në kujtes e në ndërgjegje. Dhe të bëhen kongrese për Kongresin e Lushnjës.

u shkruajt nga aktori dhe dramaturgu Hekuran Zhiti në Lushnjë, në një dhomë të vogël në një apartament modest, që është dhe sot, kur do të festohej 50- vjetori i Kongresit dhe donin një dramë që ta vinin në skenë…

Të tre aktet e dramës ndodhin në Lushnjë dhe nis me personazhe vendas, të trilluar dhe realë si Vath Plugu dhe Xha Bami i Haxhiajve, Bajrami korrier i Kongresit dhe kulmon me delegatët, përfaqësue­s të krahinave të vendit, me figura historike si Sheh Karbunara, Plaku i Butkës, Delagati i Matit, më i riu që bëhet minister e brendshëm e deri te Kryetari i Kongresit, Elbasan Pasha, kështu quhet në dramë, etj. Milicë shqiptarë e ushtri të

 ?? ?? Delegatë të Kongresit të Lushnjës ( 1920)
Delegatë të Kongresit të Lushnjës ( 1920)
 ?? ?? Presidenti i SHBA, Udro Wilson
Presidenti i SHBA, Udro Wilson
 ?? ?? Dramturgu dhe aktori Hekuran Zhiti dhe drama për Kongresin e Lushnjës
Dramturgu dhe aktori Hekuran Zhiti dhe drama për Kongresin e Lushnjës
 ?? NGA VISAR ZHITI ??
NGA VISAR ZHITI

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania