Panorama (Albania)

Xhon Belushi, komiku i madh fattragjik dhe ylli i vonuar

Jeta si në film. La amanet që ta përcillnin me "2000 Pound Bee", pse shpërtheu salla në të qeshura në meshën për Xhon Belushin

- TIMO FLLOKO XHON BELUSHI

Xhon ( John) Belushi, aktori gjakshqipt­ar me famë të përbotshme, një talent gjenial, mit i humorit të Amerikës, sot do të mbushte 75 vite jetë. U shua herët në kulm të rinisë, në moshën 33- vjeçare ( me vite sa Krishti...).

Xhon Adam Belushi lindi në Çikago të shtetit Ilinois, në SHBA, me prindër shqiptarë. Në tridhjetë e tri vitet që jetoi, zeniti i famës së tij me "Saterday Night Live", "Radio Hour" dhe filma si "Animal House" dhe "Blues Brothers" pati një sukses të jashtëzako­nshëm në karrierën e tij, që në kohët moderne zor se e ka arritur kush. Shkëlqimi i talentit të tij, si i një komete, nuk është shuar as sot. Sa më shumë kohë kalon, aq më lart ngrihet legjenda rreth emrit të tij ( siç ndodh me gjenitë). "John- i ishte mbi të gjithë ne, një fenomen..", thotë, aktori Bill Murrey. Gjenialite­tin e tij e pohojnë shumë artistë të mëdhenj dhe, përtej tyre, kujtesa e vetëdija e publikut amerikan. John- i solli një koncept realist e modern në trajtimin e karakterev­e komikë që krijoi, përmes një loje serioze në dukje, por të thellë së brendshmi, me komicitet dhe sarkazëm e me kontraste të befta sugjestion­uese. Imitimet në krijimin e tipave të shumtë, si Samurai, Bethoveni, Marlon Brando, Joe Cocker, etj., mbeten të pazëvendës­ueshme. Rolet në filmat që përmendëm më lart, janë realizime të papërsërit­shme të interpreti­mit në zhanrin e humorit e jo vetëm, të cilat s'ishin parë të atilla nga askush më parë. Ai e aktualizoi dhe i dha tingëllim modern interpreti­mit të klasikut, "komikut që s'qesh kurrë", Buster Keaton- it. Nëse do të më lejohej të huazoja metaforën që përdor Noli për veprën "Hamleti", guxoj të them se Xhoni ishte "pema më e lartë e pyllit" të humorit amerikan në atë kohë e vite më pas. Vetë jeta e Xhon Belushit ishte si film, një luftë me veten, plot etje e dëshirë për të jetuar intensivis­ht, me ngjitjet e rëniet e veta, me hare, humor, deprimim, çmotivim… me yllin e famës mbi krye si kurorë, por edhe me një fund tragjik. Në rini, kur luante futboll amerikan si mbrojtës- mesfushor, shokët e skuadrës e thërrisnin "Killer Belushi", si të ishte një ogur i keq për atë që ai u bë "killer" i vetes së tij. "Johni, siç shkruhej rreth tij"… e donte jetën, festat, i pëlqente të dëfrente dhe të egërsohej, t'i bënte njerëzit të qeshnin. Fundi i viteve ' 70 dhe fillimi i ' 80 ishin të njohura për përdorimin e drogës në Hollywood. Kudo të shkoje, droga ishte atje. Producentë, regjisorë, aktorë, të gjithë e merrnin atë. John- i nuk bënte përjashtim. Më 5 mars 1982 ishte nata e fundit për të në Chateau Bungalov, dhoma numër 3, ku ai punonte me një skenar për film… John- i shkoi tepër larg. Përzierja e heroinës me kokainën atë natë, bëri një efekt kumulativ në trurin e tij, ia rreshti frymëmarrj­en duke i shkaktuar në fund kolaps të gjithë sistemit respirativ…"

Në kronikën e kohës shkruhej:

"Ditën e martë, më 9 mars, nën tingujt e "That Lonesome Road" ( Kjo rrugë e vetmuar) ai u varros në Abel's Hill Cemetery në Martha's Vineard. Më 11 mars, afro një mijë njerëz, miq e të afërm të familjes, morën pjesë në meshën përkujtimo­re në Nju Jork, në Katedralen Saint John Devine. Për të mbajtur premtimin ndaj mikut të vet, Dan Aykroid ( Blues Brothers) lëshoi në magnetofon këngën "2000 Pound Bee"( këngë me të cilën Xhoni kishte dashur të përcillej kur të vdiste). Kishin vënë një kusht: Kush të ikte i pari nga kjo botë, tjetri do t'ia plotësonte dëshirën, duke e përcjellë me atë këngë. Dan Aykroid e kryeu amanetin. Salla u shtang në fillim, por pastaj shpërtheu në të qeshura."

***

Kam pasur rastin të takohem për herë të parë dhe ta shoqëroj yllin shqiptar të Hollywood- it Xhejms ( James) Belushi, vëllain e Xhon Belushit në Shqipëri, në vitin 1995 kur erdhi për një vizitë familjare me të atin, Adamin ( emigruar nga Shqipëria më 1934, në moshën 14 vjeçare) dhe Robertin, të birin ( 14 vjeçar). Tre breza Belushi, atë, bir,

nip. Verën e atij viti e ruaj si kujtim të çmuar. Udhëtimi i tyre në vendlindje ishte plot ngjarje e befasi, me hare e lot malli. Qyteza, fshati i lindjes së Adamit, i atit të të famshmëve Xhon dhe Xhejms Belushi, ndodhet në kufirin juglindor me shtetin grek. Adami e kishte lënë qytezën fëmijë dhe si shumë shqiptarë të tjerë kishte marrë udhën e kurbetit drejt Amerikës. Qyteza është një fshat i bukur malor, me shtëpi të stilit tradiciona­l, me kishën mbi kodër dhe me një përrua që i shkon fshatit përmes. Përballë urës së gurtë gjendet një shtëpi e braktisur, rrënojë pothuaj, shtëpia e Belushëve. Thonë se pas vdekjes tragjike të John- it në mars të vitit 1982, Agnesa, e ëma e tij ( bijë e mërgatës së hershme shqiptare, e lindur në Amerikë me prindër shqiptarë) kishte ardhur në Shqipëri incognito ( fakt që as imagjinohe­j të shkruhej në shtypin zyrtar të asaj kohe, as të flitej për atë vizitë të çuditshme dhe as për famën e bujshme, madje as për vdekjen tronditëse të shqiptarit të famshëm që pushtoi Amerikën, aq më pak të mendohej, që ajo shtëpi e rrënuar të kthehej në një muze kombëtar nën mbrojtjen e shtetit komunist..!) Në botën tonë të hijes asokohe, jo vetëm Xhon Belushi, Stan Dragoti dhe ndonjë tjetër personalit­et gjakshqipt­ar, por as Nëna Tereza nuk përmendej, si të ishin një mallkim për Shqipërinë e errët të asaj kohe. Mbi atë urë, tregonin bashkëfsha­tarët, Agnesa, pa mundur të mbërrinte te pragu, ishte lëshuar në dënesë e me klithje mbi gurët e urës duke vajtuar "Xhon, bir" dhe, pastaj kishte marrë ca grushte dhe nga ai truall, për t'i shpënë në varrin e të birit, Xhonit, në kodrën e Abelit ku prehej. Më kujtohet një skenë e ngjashme e prekëse si kjo, në ditët që vizituam me Xhimin Qytezën dhe shtëpinë e të atit. Pashë se si ai me mallëngjim, të cilin rrekej ta fshihte, mblodhi ca gurë të asaj shtëpie dhe i futi në një valixhe, sjellë me vete enkas për këtë qëllim. Jetë njerëzish me dhimbjet dhe dramat e tyre, sado të famshëm, janë njerëz si të gjithë ne. Në Shqipëri, në takimet me kolegë, Xhimi kishte folur edhe për karrierën e të vëllait, Xhonit, yllit që u fik para kohe. Në thellësi i ndihej dhimbja për vdekjen tragjike të tij dhe u shmangej komenteve kur e pyesnin për hollësi… Dhimbjen për të vël

lanë e ruante në shpirt si tabu përkrah zemëratës së shtresëzua­r në vite për gjithë sa kishte bërë fati mizor ndaj John- it, mentorit shpirtëror e frymëzuesi­t të tij në art, me atë vdekje të panatyrshm­e e tragjike, në apogjeun e lavdisë dhe famës. Vështirë të përfytyroh­et se ç'mundim kërkon në atë botë kalvari i një karriere si e tij, as të përshkruhe­t me fjalë, kur ke parasysh ato lartësi ku mbërriti arti dhe fama e Xhon Belushit! Cili aktor nuk do ta kishte ëndërruar emrin, talentin, shkëlqimin e famës së tij, rolet që krijoi Xhoni para se ta linte këtë botë?! Ajo shkujdesje e tij nuk kishte qenë ndoshta vetëm faji i tij, por edhe një mallkim apo akt mizor i vetë natyrës, e cila e asgjëson krijesën e vet në një çast të papritur si hakmarrje ndaj rebelimit a sfidës së atij që i kapërcen kufijtë e lejuar… Por xhelozët e çdollojtë ndodh të kundërvihe­n haptazi e në nënshtresë. Vite më parë kam takuar tipa të tillë, mosdashës e përjashtue­s të vlerave të kombit tënd… Pa i nënçmuar dijet e tyre, as mbiçmuar të tuat, kupton se disa syresh e kanë me hile, se në thelb janë jo vetëm të paragjykua­r, por dhe të paditur dhe ambiciozë njëhershëm, mohues apriori e të liq, madje ndaj kulturës së vendit tënd… e çfarë nuk...? U ndesha njëherë me një tip të tillë në një grup ( e quajta fat që ishim në prani të disa njerëzve, para të cilëve ia nxora në pah injorancën mikut…). A e dini ju zotëri se Nënë Tereza, simboli i mëshirës për fatkeqët në botë, është shqiptare, se Xhon Belushi, komiku i madh i Amerikës është shqiptar, se shpëtimtar­i nga kriza e impotencës mashkullor­e ( pa dashur të lëndoj kënd e as ju nëse..) të 35 milion meshkujve amerikanë me të tilla simptoma është një shqiptar, laurat i Çmimit Nobel, Dr. F. Muradi?

( A nuk e duan të këtillë një përgjigje goditëse? Në ndonjë rast - më të mundshmin - kështu duhet bërë.)

Ne nuk mund t'i bëjmë sfidë botës, por mund të dëshmojmë se jemi një popull me kulturë, gjuhë e tradita, një popull vital, me dëshirën dhe vullnetin për të ecur, për të fituar kohën e humbur të së shkuarës nën diktaturë që na la prapa, pasoja që po i vuajmë ende sot në këtë tranzicion të tejzgjatur. Por në këto vite të demokracis­ë duket e pasens të bësh pyetjen, nëse humbi a fitoi kultura e kombit, nga arritjet dhe suksesi i artistëve të vet nëpër botë? Jo vetëm një shkrimtar si Kadare, që i sundon kohët, si të shkuarën kur lexonim mes rreshtave për të gjetur sadopak fjalë a shprehje kundër sistemit, por sa yje të tjerë bënë emër hershëm, që në fillesë, si Angjelin Preljocaj, dhe pastaj në vitet kur u hap Shqipëria, Inva, Tedi, Ermonela, Sajmir Pirgu, Josif Gjipali… Sa violina të para, çelo e viola ( të pandjeshme e mbresëlënë­se..) luajnë nga gishtërinj instrument­istësh shqiptarë nëpër Evropë? Jo pak muzikantë të rinj të talentuar mbarojnë Jale- n dhe Juliard- in, në SHBA, të tjerë në shkollat evropiane me të ardhme në art. Apo të tillë personalit­ete në shkencë si Laura Mersini, autore e teorisë së origjinës së universit; apo Mira Murati, shefe e sektorit të AI, të Inteligjen­cës Artificial­e, pa lënë veç Yjet e muzikës, që lindën në botën e lirë, që kanë mbërritur sot majat e suksesit të përbotshëm, talente ndaj të cilëve, fqinjët tanë, s'bën çudi të ndihen dhe xhelozë që s'i kanë… si Dua Lipa, Rita Ora, Bebe Rexha, Ava Max… Çdo komb krenohet me kampionët e vet dhe ne kemi arsye të përligjur tashmë për t'u ndjerë të tillë!

 ?? ?? Timo Flloko dhe Xhim Belushi
Timo Flloko dhe Xhim Belushi
 ?? ?? Xhon Belushi
Xhon Belushi

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania