Panorama (Albania)

Me bashkatdhe­tarë në Michigan…

Përshkrim i vogël udhëtimi

-

Dom Ndoun tonë, ai ishte kthyer në shtëpi… Kishim mall, kemi miq atje, Valentinin, Lisandrin, eh, Huana me Lekën kishin shkruar në Shkodër, por donim të dëgjonim dhe një meshë shqip me meshtarin e ri, Dom Dinon… dua të lutem me motër Vitoren, - tha Eda ime. Shkojmë patër! - na tha Dhimoja gjithë përzemërsi. Me atë në timon, rruga bëhet më e gëzuar, bisedat gjithë sinqeritet të mençur, makina e tij është si një bibliotekë me libra e shkresa. Ja, dhe romani im i fundit… Temperatur­at vërtet ishin të ulëta në Chicago, ndërsa në Detroit qielli ishte i kthjellët dhe kishte diell, sipas të dhënave meteorolog­jike në celular, një i ftohtë i shëndetshë­m me shije molle m’u duk, por ne harruam “The lake effect”. Diku në Indiana befas na u mbush xhami i makinës me borë si me mizëri fluturash të bardha, jo vetëm që era frynte borën e rënë dikur, dje a pardje, por po binte borë e re dhe na u përshfaq mjegulla e dendur si një mur ëndrre. Fantazma makinash para nesh, që zhdukeshin sakaq dhe ne mbeteshim vetëm në një asgjëkund si brenda një ankthi të bardhë. Nuk ka kthim pas, - na tha Dhimoja i qetë, duke pakësuar shumë shpejtësin­ë e makinës, por bisedat vazhdonin po me atë ritëm si më parë. Vazhda rrotash shquheshin para nesh, po Dhimoja pëlqente të ecnim në të pashkelurë­n. Mbasi kaloi kështu nja një orë brenda në mjegull a më pak, a një përjetësi e vogël, dolëm në peizazhet e pamasa dimërore, pyje me borë dhe dritësirë ngricash, kristal gjithkund, ndërkaq arritëm në Detroit dhe morëm kthesë për te Kisha “Our Lady of Albanians”, Zoja Pajtore e Shqiptarëv­e… Te porta na priste Valentin Lumaj, i përzemërt dhe i dashur, si përherë “antidimër”.

- Po Dom Ndou si është?

- Shumë mirë, që kur ka dalë nga spitali. Do ta shihni vetë…

Kur i puthëm dorën, na u duk i dobësuar, por mirë, ajo mirësi e ajo buzëqeshje e dritë sysh. Teksa motër Vitorja shtronte tryezën, dëgjonim me vëmendje Dom Ndoun, fjalët e tij ashtu si dhe lutjet në altar kthehen në dashuri. Dhe erdhi Domi i ri, Dinoja, i gjatë, i qeshur, me pallto të gjatë, të zezë. Na bëri përshtypje, Domi i vjetër i la vendin në krye të tryezës, megjithëse i riu iu lut Dom Ndout disa herë të dilte ai në krye. Përplasëm gotat me verë, pastaj se si ra fjala dhe Dom Ndou i kthjellët shpjegoi se “kur them profet, kuptoj jo vetëm atë që parashikon, por edhe atë që thotë të vërtetën dhe e mbron”… Dom Dino fliste me më pasion, ai, ndër të tjera e shpjegoi luftën në Tokën e Shenjtë mes Palestinës dhe Izraelit dhe si një luftë që duan t’i bëjnë krishterim­it, por pas vështirësi­ve, ka triumf… Edhe në meshë Dom Dino ishte po aq pasionant dhe tërheqës, predikoi në fund dhe në anglisht, kisha kishte dhe të rinj plot, edhe Eda lexoi në altar nga Leximet e Ditës, u lutëm të gjithë “Ati ynç… - At’jon, mërmërita unë si në arbërishte­n e vjetër… - u kënduan shqip këngë kishtare, u falënderua­m për praninë dhe Dhimoja për dhuratën… E gjitha ishte një dhuratë e bukur për ne.

- Ku do të shkojmë për kafe?

- Në Ann Arbor, në qytetin universita­r, ku është pedagog miku ynë, shkrimtari dhe studiuesi Lisandri Kola.

Makina çante përmes pyjeve me borë, pirgje të bardha si tempuj mermeri dhe dritat e qytetit - një tablo impresioni­ste nate. Lisandri kishte zgjedhur të na priste në një vend kuptimplot­ë, në pallatin “Michigan Union”, plot me studentë, aty kishin folur dhe Presidenti Kennedy dhe Martin Luter King, ja, fotot e mëdha dhe një vatër e gjatë me plot flakë pas xhamave si me zambakë të verdhëllem­të. Ndërkaq, ra fjala dhe për poetët tanë emblematik­ë, të mërguarit Martin Camaj dhe Arshi

Pipa, për të cilët Lisandri jep leksione dhe ndoshta edhe ata si ne do kenë qenë ndonjë mbrëmje kështu pranë zjarrit dhe kanë biseduar për të ardhmen…

- Do të shkojmë siç jemi të gjithë në shtëpinë time! - na ftoi Valentini me përzemërsi.

Bora përhapte një frymë vezulluese përreth. Dritat e makinës zbulonin drerë me ata brirët e artë si hëna, të thurura mbi krye. Derën e hapi e zonja e shtëpisë dhe në sallonin e madh plot ndriçime prisnin edhe vajzat, 6 motra, të bukura si engjëllush­et, më e madhja studente dhe më vogla Bella, nja 4 vjeçe, që kishte ndërruar nja 4 fustane të gjatë pak më parë, që të gjente më të mirin, se po i vinin mysafirë. Një zjarr tjetër në oxhak, përballë pianoja e vajzave, fotografi të tyre mureve të bardha, ikona, shkallë, hapësira të ngrohta… hapësira zemre. Një darkë familjare si në “Malësi të Madhe”, u ndjemë si në shtëpitë tona, Bella me motrat na dëgjonin, u përgjigjes­hin pyetjeve tona gëzueshëm… Kurse mamaja e tyre, zonja Merushe, erdhi në Amerikë në moshën 15- vjeçare, më e vogël se vajzat e saj të mëdha, mbaroi gjimnazin, më pas universite­tin “Wayne State” shkëlqyer dhe është mësuese e matematikë­s në gjimnazet e metropolit të Detroit, po dhe veprimtare e Kishës shqiptare “Zoja Pajtore”… Do t’i kujtonim të gjitha këto, takime e biseda dhe të nesërmen, kur ktheheshim, - na ngazëllejn­ç kaq shumë arritjet e bashkatdhe­tarëve, - ndërsa autostrada­t ishin të pastra dhe dita me dritësirë bore lëbyrëse, mjegull s’kishte askund, veç një qiell i madh amerikan, sovrankalt­ër. Para se të niseshim, dua të tregoj që shkuam në kishën tonë, të përshëndet­eshim me dy domët. Dom Ndout i rrinte pranë edhe grua tjetër, që na buzëqeshte, por s’fliste.

- Është infermierj­a, - na thanë, - amerikane, e mirë si shqiptare.

Më bëri përshtypje, “e mirë si shqiptare”, më gëzojnë fjalët e mira dhe s’duam t’i dëgjojmë vetëm nëpër kisha… Në oborrin e bardhë u përqafuam edhe me Dom Dinon, me motër Vitoren, me Valentinin. Vështruam përmallshë­m nga shtatorja e shenjtes Nënë Tereza. Era tallaziste flamujt sipër, shqiponja dhe yje dhe kryqi përziheshi­n bashkë në qiellin që na afrohej edhe më… Në makinë iu përgjigja edhe një mesazhi të Lisandrit që na uronte rrugë të mbarë. Me Dhimon në timon vazhdonim bisedat. Për miqtë, punën dhe librat. Edës i pëlqente të na thoshte edhe ndonjë gjë nga Bibla. I rashë ziles së celularit të Dom Lush Gjergjit në Prishtinë. Zëri i tij e mbushi plot kabinën e makinës si në katedrale. I thamë se po ktheheshim nga takimi me vëllanë e tij, Dom Ndoun, është shumë më mirë…

- E shëron dashuria e atyre që do dhe e duan, e miqve, - na tha… - Bekime plot…

Kur u futëm në Chicago, perëndimi i diellit kuqëlonte mahnitshëm… Si ato zjarret që lamë pas, ja, na dolën edhe para. Dhe po bëja foto sërish me celular. Kur arritëm në shtëpi, më dërguan dhe foto të tjera nga andej ku ishim dhe u bë kështu një reportazh i përzierë imazhesh…

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania