Panorama (Albania)

"Sul në fshatin Shirokë", transporti liqenor në Shkodër në shekullin e 19- të

-

Në vazhdën e publikimev­e në rubrikën e kujtesës, "Amarcord", DRTK Shkodër sjell një foto të vitit 1898, titulluar "Sul në fshatin Shirokë" nga A. Degrand. Sulja ishte një mjet i vogël lundrimi. Deri në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, liqeni i Shkodrës ishte plot me mjete të vogla artizanale lundrimi. Me qindra e qindra sule, take dhe lundra, me atë siluetën e thjeshtë dhe elegante të tyre, shkëputesh­in çdo ditë prej brigjeve të ndryshme rreth liqenit dhe merrnin drejt thellësive të tij. Disa ngarkuar me rrjeta pa zbardhur drita niseshin për peshkim; disa të tjera me prodhime të fshatrave përreth niseshin që në orët e para të mëngjesit për transport, të tjera, plot me udhëtarë, kalonin skelë më skelë të bregut. I tërë peshkimi, transporti e komunikaci­oni i fshatrave Shirokë, Zogaj, etj., i krahinave Krajë, Ljare, Shestan etj., bëhej mbi ujë. Në këto fshatra e krahina as nuk njihej peshkimi prej toke, as nuk kishin rrugë në mes të tyre për komunikaci­on e transport tokësor. Veçanërish­t të martave në darkë dhe të mërkurave në mëngjes, që në Shkodër ishte ditë pazari, dilnin këto mjete lundrimi nga skelat e ndryshme rreth liqenit, nga 7- 8 bashkë, në karvan mbas tjetrës e zbrisnin në Shkodër për tregti. Mjeti i lundrimit ishte i domosdoshë­m për banorët e bregut të liqenit ashtu si kali, apo qerrja për fshatrat e tokës. Nuk kishte kuptim një shtëpi pa mjetin e saj të lundrimit. Këto mjete lundrimi shpesh i punonin vetë, por kishte raste edhe që i porosisnin ndër zejtarë në fshat apo në treg. Në bregun e Bunës pranë tregut të Shkodrës ishin në rresht punishtet e mjeteve të lundrimit që prodhonin në mënyrë artizanale këto mjete lundruese. Në mes të kësaj mori mjetesh lundrimi të Liqenit të Shkodrës ruhen disa vija të përbashkët­a në forma dhe vetëm dimensione­t e tyre ndryshojnë. Sipas madhësisë ndahen në tri kategori: sule, si mjeti më i vogël, take, me dimensione mesatare dhe lundër më e madhja. Sulja ka një gjatësi mesatare prej 5- 7 metra e mundësi transporti deri në 15 kv, takeja me gjatësi deri në 10 metra e kapacitet deri në 45 kv, lundra, 15- 20 metra e gjatë dhe fuqia bartëse deri në 100 kv.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania