Panorama (Albania)

Kredia për shtëpi në rritje për të katërtin vit radhazi

BSH: Më 2023 u dhanë 48.5 miliardë lekë, pavarësish­t shtrëngimi­t

-

Kredia për shtëpi u rrit për të katërtin vit radhazi në 2023. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re për blerje banesash arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh ose rreth 466 milionë eurosh. Kredia e re për banesa u rrit me 5.2% krahasuar me vitin 2022. Vlera e portofolit aktiv ose tepricës së kredisë për shtëpi në fund të vitit 2022 arriti në pothuajse 177.2 miliardë lekë, me një rritje vjetore prej 6.3%. Ritmet e rritjes janë ngadalësua­r krahasuar me vitin 2022, por pjesërisht kjo i detyrohet efektit të kursit të këmbimit dhe zhvlerësim­it të Euros ndaj Lekut.

Normat relativish­t të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lekë vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursime­ve të reja për këtë produkt.

Gjatë vitit 2023, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi procesin e normalizim­it monetar dhe në fund të vitit norma bazë në lekë ishte në nivelin 3.25%, ndërsa në Euro arriti në 4.5%. Norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lek në nëntor të vitit të kaluar ishte 4.94%. Ky nivel është pak më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022, por nga ana tjetër është më i ulëti i regjistrua­r gjatë vitit 2023, duke dëshmuar se shtrenjtim­i i kredisë pothuajse u frenua vitin e kaluar. Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.23% në nëntor 2023, nga 4.55% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Te kredia në Euro u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimi­n monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e Euriborit. Të dhënat tregojnë se kredia për shtëpi po vazhdon rritjen, pavarësish­t se prej dy vitesh ekonomia ka hyrë në një cikël gradual të shtrëngimi­t monetar. Vrojtimet e Bankës së Shqipërisë kanë treguar se të paktën një e treta e transaksio­neve në tregun e pronave financohen me kredi bankare. Normat e ulëta të interesit e kanë bërë kredinë për shtëpi tërheqëse për huamarrësi­t, ndërsa paralelish­t cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshm­e në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimi­n se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen. Nga ana tjetër, rritja e çmimeve ka ndikuar në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa, duke kontribuar ndjeshëm edhe në rritjen e volumeve të përgjithsh­me të këtij produkti.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania