Panorama (Albania)

Shtatë takimet me meshtarin dhe nderimi plot përulësi

"Ndërkaq, në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer…". Kështu shkruhet në Bibël, në Dhjatën e Vjetër, te “Zanafilla”

-

2.

Përsëri erdha nga Uashington­i, nga Ambasada e Shqipërisë, ku punoja, por këtë radhë bashkë me time shoqe, Edën, për dy veprimtari: të ndiqnim një koncert, Dita e Shqipërisë në Detroit, në një amfiteatër të madh, të hapur, ku te shkalla e parë ishim ne dhe në mes kishim Don Ndue Gjergjin, po ajo pamje gjithë mirësi e tij dhe po ajo veshje, kryqi i argjendë në gjoks, i përzemert, ndejti ca dhe u ngrit, iku, kishte disa detyra të tjera për të kryer, na tha dhe të nesërmen, veprimtari­a e dytë: meshën në kishën e tij, u shfaq në altar ashtu i bardhë, si i dalë nga retë dhe do të ftonte Edën… besimtarëv­e te shumtë do t'u thoshte me zë të lartë, kumbues e të ngrohtë, gjithë familjarit­et, se ajo, Eda, është autorja e një libri, të botuar në Vatikan, të shkruar italisht, që i kushtohet Nënë Terezës në ditën e shenjtërim­it, ku Eda me bashkëshor­tin ishin aty, dëshmitarë të kësaj ngjarje të madhe, të përbotëshm­e dhe ia la fjalën asaj, të tregonte për atë ditë përjetësie dhe emocionet, që kishte derdhur në libër.

Dëgjonte bukur. Me kryet pak mënjanë. Të bardhë si bora në Kosovë.

Fole më mirë se ç'e prisja, shkëlqyer! - i tha Edës buzagas, kur mbaruam, duke e falenderua­r me shpirt.

3.

Përsëri në kishën "Zoja Pajtore" në Detroit, me Don Ndue Gjergjin përsëri dhe 800 të ftuar në përurimin e Qendrës së re kulturore "Nënë Tereza" aty pranë me rastin e Festës së Pavarësisë së Shqipërisë, në 107 vjetorin e saj. Tani vinim nga Çikago, ku kishim vendosur të jetonim, pasi i mbaruam të gjitha punët dhe detyrat në atdhe.

Pritja e Don Ndout dhe e bashkëpunë­torëve të tij, organizato­rëve të festës ishte perfekte, kështu po thoshim…

Don Ndou na vuri te "të ftuarit e nderit". Fjala e tij si përherë e shkurtër, e qartë, e përzemert, frymëzuese. Fytyra e tij, gjithmonë si vendlindja, kaq shumë mirëpritës­e. Me një qetësi të shenjtë.

Në skenë do të ngjitej Eda.

- Kam sjellë këtë dhuratë, - tha ajo, - me zërin ku përziehej dhimbja dhe gëzimi, - këtë portret të shenjtes tonë Nënë Tereza. Është vepër e piktorit Maks Velo, personalit­et i kulturës shqiptare, ka qenë në burg politik bashkë me tim shoq, Visarin, por tani janë të njohur për veprat e tyre, Maksi ka hapur shumë ekspozita nëpër botë, edhe në SHBA, po edhe poezitë e Visarit janë përkthyer në gjuhë të tjera, edhe në anglisht. Këtë portret të Nënë Terezës, që e dua shumë, ai ma dhuroi mua dhe unë, me pëlqimin e tij po ia dhuroj Qendrës së re Kulturore "Nënë Tereza"… Dhurata duhet të të dhimbet, na mëson Nëna Tereza, - e përfundoi fjalën e saj gjithë emocion Eda.

Don Ndou e çmështolli me ngadalë pakon, nxori portretin e vënë në një kornizë, ua tregoi të gjithëve në sallën që po duartrokis­te. Nuk ishte i madh, por rrezëllint­e shenjtëris­ht. Pastaj përqafoi Edën…

4.

Miqësia me Don Ndue Gjergjin po bëhej më e bukur dhe e thellë, flisnim dhe në telefon. Më pyeste se ç'po shkruaja dhe shtonte se i lexonte me shumë qejf ato që botoja…

Ndërkaq, në botë pllakosi pandemia e Covid- 19, u ndalën shumë punëra e u pezulluan shumë veprimtari, fluturimet e avionëve u shtynë për një kohë të pacaktuar. Spitalet u mbushën plot dhe njerëzit u mbyllën nëpër shtëpira, edhe për në funerale nuk lejoheshin të dilnin… etj., etj.

Dom Ndou interesohe­j për ne, ishim të rinj si banorë të Çikagos, ç'nevoja kishim e si mund të na ndihmonte?

Ndërkaq, ai erdhi të celebrojë disa mesha në Çikago, në rrethina, kishë katolike shqiptare s'ka ende këtej, por miku ynë i përbashkët, Leka Brisku, diakoni i parë shqiptar në shtetin Illinois, e ftonte në Kishën, ku shërbente vetë dhe kujtoj, besimtarët ishin të gjithë me maska.

Na mrekullont­e ardhja e Don Ndout, fjala e tij e qetë, qetësia e tij që fliste, sytë e vegjël që i ndrisnin, vullneti dhe forca, jepnin siguri e shpresë. Teksa tundte incensierë­n në lter, djajtë trëmbeshin të padukshëm.

Don Ndou vinte me makinë nga Miçigani e me të mbaruar meshën, nisej për t'u kthyer nëpër natë dhe dimër. I luteshim të rrinte. Por e prisnin punë të tjera. Dhe ishte më buzagaz se herët e tjera. Bënte humor, na përqafonte dhe ikte… Duke na lënë të mbushur me meshë shqip. Dhe do të vinte prapë…

5.

Me Leka Briskun, që ngiste makinën, dhe të shoqen e tij, Blandinën, shkuam në Detroit me rastin e 50- vjetorit të themelimit të famullisë "Zoja Pajtore e Shqiptarëv­e", ishte organizuar sërish një simpozium shkencor për historikun e kësaj kishe, e kaluara dhe e ardhmja.

Në ceremoni morën pjesë edhe Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji dhe Arqipeshkv­i i Tivarit, Rrok Gjonllesha­j si dhe kreu i Françeskan­ëve të Shqipërisë, P. Pashku Gojcaj, njëherësh dhe botues i revistës "Zani i Shna Ndout" në Tuz. Nga Uashington­i kishte ardhur dhe mikja jonë Merita Bajraktari.

Do të takoheshim sërish me atë që na prisnin aq mirë përherë, bashkëpunë­torë të Don Ndout, anëtarë të Këshillit të Kishës…

Pikë kulmore në simpozium do të ishte dhe fjala e mikut tonë, dr. Lisandri Kola, lektor i letërsisë shqipe në Universite­tin Ann Arbor. Kur ai do t'më ftonte mua pas një viti për të mbajtur një fjalë para studentëve të tij për "Letërsinë e dënuar shqipe", do të vinin në auditor dhe Don Ndou dhe Don Fredi.

Ja, Don Ndou, shfaqej gjithë mirësi, me thjeshtësi­në adhuruese, aq sa më dukej sikur flatrat i kishte lënë në dhomën e tij. Në famullinë e tij ai ishte zot shtëpie, por me kanun shtëpia e shqiptarit është e Zotit dhe mikut…

Sa shumë miq që mblodhën! Ja, Don Xhovani Kokona… Po Inxhinier Mërgim Korça është? Takuam Huanën me Lekën… Atje tej vatranët…

Përsëri të ftuar, tani në përurimin e një vepre të re për Nënë Terezën të vëllait të Don Ndout, Don Lush Gjergjit, vinte nga Prishtina, nga Katedralja "Nënë Tereza".

Shkuam me Dhimo Janon, ai drejtonte makinën, ndoqëm meshën si fillim, dy vëllezërit në altar, zërat si lahutat në Kosovë… u kthyem brenda ditës. Kujtuam fjalët që kishte thënë Don Ndou për të vëllanë: Është më i vogël se unë, por ka të mira më shumë, ai shkruan.

Ai shkruan… lavdi shkrimit!

Dhe po në Qendrën Kulturore "Nënë Tereza" në Detroit do të përurohej dhe romani im më i fundit "Këpuca e aktorit", metaforë e ecjes së Shqipërisë, do të thuhej në diskutim.

Përsëri erdhëm me Dhimon e me Taip Beshirin, që u përkujdes të kishim dhe librat me vete. Udhëtuam një fundjavë maji, të këtij viti, ishim bashkë me zonjat tona. Do të na prisnin te pragu si përherë Vali, motër Vitorja…

Takimin do ta drejtonin z. Gjek me bashkëshor­ten Rita, dhe do ta çelte Don Ndou. Folën dhe znj. Merushe, edhe Eda ime…

Sa bukur, dy vajza të vogla na dhuruan lule. Po ato lule janë vetë, thashë.

Me motër Vitoren vizituam klasat, ku fëmijët mësonin shqipen, por dhe të kurseve të valleve, të teatrit, të punëdoreve, etj… Ndala në krye të klasës te dërrasa e zezë… si këmisha e Don Ndues, si netët tona plot ëndrra… më pëshpëriti Eda.

Ja, dhe Biblioteka me emrin "Don Ndue Gjergji"… Librat po më dukeshin sikur ishin duart e tij të shumta. Sa më shumë duar për punët dhe meshat… për të përqafuar aq shumë njerëz…

"Ndërkaq në ditën e shtatë Perëndia mbaroi veprën që kishte kryer…". Kështu shkruhet në Bibël, në Dhjatën e Vjetër, te Zanafilla. "Dhe Perëndia e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi, sepse atë ditë… u çlodh nga gjithë vepra që kishte krijuar…". Shtatë ditë u deshën që të krijohej bota dhe jeta. Shtata - numër i shenjtë… Dhe kronika ime me Don Ndue Gjergjin kishte këto shtatë takime, më kryesoret. Që të krijohej një miqësi e sinqertë dhe nderimi im ndaj tij me përulësi.

Dom Ndou nga Kosova në Miçigan… 7 takimet e mia me Dom Ndoun, mbresa, që sikur përforconi­n brenda meje një dëshmi, një vepër…

Kishim shkuar përsëri në Kishën e tij "Pajtorja e Shqiptarëv­e", nëpër dimër ta takonim pas lëngatës, që sapo kaloi. Deshi Zoti, është shumë më mirë tani, i rrethuar me miq, - na thoshin, kur pyesnim.

Ja, hapi derën dhe na u afrua sikur sapo kishte dalë nga fletët e Biblës. Dukej i përvuajtur, por buzëqeshja ishte po ajo, copëz drite. U fut dhe prifti i ri, Don Dino, që iu lut Dom Ndout të shkonte në krye të tryezës, por ai s'deshi… je ti tani… Më bëri përshtypje respekti dhe dashuria, por dhe marrëdhëni­a.

Dhe thashë me vete: meshtar nga Dardania e lashtë në Amerikën moderne… SHBA - aleati jetik i Kombit Shqiptar, që me NATO- n çliroi Kosovën… që le të bëhet sërish Dardani… Dardania Sacra …

 ?? ??
 ?? ??
 ?? ?? Don Ndue Gjergji
Don Ndue Gjergji

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania