Panorama (Albania)

Akuzat, pse u internuan çifti Selfixhe dhe Xhemal Broja

-

Në një natë të zezë, trokasin në derën e bashkëshor­tëve Selfixhe Ciu e Xhemal Broja. Juristi Broja që merrej me dramaturgj­i dhe poetja e gazetarja e njohur, nuk mund t'u besonin syve e veshëve për atë që po ndodhte atë natë. Ishte fillimi i viteve ' 60. Policia e Sigurimit të Shtetit hyn me forcë në derë. "Jeni të internuar". "Pse", pyesin ata. "Atë e dimë ne"… Ndoshta gazetarja Ciu e shkolluar në Itali dhe në Francë, u kujtua në atë çast se para disa kohësh kishte akuzuar "Partinë Komuniste që nuk po respektont­e të drejtat minimale të njeriut". Ja si e tregon Merita Broja natën e frikshme: "Internimi i parë ka qenë në vitin 1947, në Kuç të Vlorës. Kurse internimi i dytë ka qenë më vonë, në vitin 1966, në fshatin Gradishtë, në rrethin e Lushnjës. Ka qenë një natë e tmerrshme. Nuk dinim asgjë. Ndodhi rreth orës 4.00 të mëngjesit, pak para vitit të ri. Atë natë kishim diskutuar se ku do ta festonim vitin e ri. Dhe të mendosh që bie dera, sheh plot oficerë sigurimi, i plotfuqish­mi i lagjes, që të thonë: "Mblidhni plaçkat, gjërat më të domosdoshm­e sepse jeni të internuar". "Pse?". "Atë e dimë ne". Kjo ka qenë përgjigjja. Thanë që "vajza nuk është e përfshirë në internim, nëse keni njeri ku ta lini, lëreni, nëse s'keni merreni me vete". Pas dy- tre ditësh e morëm vesh dhe asnjëherë nuk iu dha një arsye përse shkuan në internim. Mbaruan pesëvjeçar­in e parë, u erdhi një pesëvjeçar u dytë. Pastaj duket se dikush i thirri mendjes dhe e hoqën masën e internimit. U kthyen këtu. Kurse për të atin ajo ka treguar vite më parë: "Babai im Xhemal Broja ka qenë jurist, por gjithmonë është marrë me artin. Ka qenë dramaturg, ka shkruar disa drama historike dhe shoqërore. Dhe një nga akuzat ishte pikërisht kjo që kurrë nuk kishte shkruar për partinë. Ka qenë për një periudhë rreth 5- 6 vjet drejtor i Teatrit Popullor. Ajo ka qenë një periudhë me të vërtet e ndritur, jo sepse e them unë, por e thoshte e gjithë ajo plejadë artistësh e aktorësh e asaj kohe. Në ato vite u vunë në skenë dramat klasike si Makbethi, Otello etj. Pastaj, mbasi e hoqën në vitin 1966 si drejtor, pas disa muajsh e internuan. Babai vdiq më herët, në vitin 1986. Nuk arriti t'i shikonte ndryshimet".

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania