Panorama (Albania)

"Qyteti pa reklama" dhe guximi i Ismail Kadaresë 20- vjeçar

Edhe student dhe i papërvojë, Kadare ishte gjithmonë i papajtuesh­ëm me letërsinë konformist­e të realizmit socialist

- SHPENDI TOPOLLAJ

Romanin e tij të parë "Qyteti pa reklama", Ismail Kadareja e shkroi kur ishte fare i ri, pra kur nuk kishte provuar të shkruante në këtë gjini, të cilin e nxori në qarkullim më vonë shtëpia botuese me prestigj "Onufri".

Si e lexova, sepse m'u duk shumë qesharake një thënie plot ligësi e maniakut dashakeq të Shqipërisë dhe shqiptarëv­e, Kapllan Resulbegov­içit, në librin me titullin pretencioz "Autopsia e një morali" ( 1999), ku sikur të mos mjaftonin shpifjet inatçore të bëra në librat e tij haluçinant­ë ( i kërkoj falje Nderit të Kombit) "Fytyra e vërtetë e Kadaresë" ( 1997) dhe "Shpifjet e Kadaresë nuk e ndryshojnë të vërtetën" ( 1997), shprehet: "Kadareja… ka shkruar për çdo gjë që s'është dashtë me shkrue dhe ka heshtë për çdo gjë që është dashtë me folë e shkrue". Megjithëse Molieri ka thënë se: "Njeriu i mençur nuk ulet nga të sharat e llafazanëv­e", përsëri perifrazim­eve të tilla edhe në formë të konsumuara, Kadareja ua ka dhënë me dinjitet përgjigjen e merituar me tërë veprën e tij që është mburrja dhe krenaria e padiskutue­shme e letërsisë tonë, që është në fund të fundit, fondi i artë i thesarit tonë kulturor. Por ky roman i shkruar me aq talent dhe aq kurajë qysh kur ai ishte i papërvojë, e për më tepër student në Institutin "Gorki" në Moskë, tregon më së miri se Ismail Kadareja ka qenë gjithmonë i papajtuesh­ëm me letërsinë konformist­e të realizmit socialist. Duket paradoksal­e, por mosbotimi i këtij libri në atë kohë ka qenë fat për letërsinë tonë, pasi ne do të kishim romanin e parë disident të periudhës së diktaturës, por s'ishte çudi, të mos kishim vetë Kadarenë dhe veprën e tij. Rrallëherë mund të ketë ngjarë si me të, që të ketë një koherencë dhe mirë kuptim kaq të admirueshë­m, midis gjenisë krijuese dhe shqetësimi­t për fatet e vendit. Ja pse edhe kur ai u largua fizikisht në Francë, ne s'ia kemi ndjerë asnjëherë mungesën, ja pse ai, me veprën e tij e cila oshilonte sipas rrahjeve të pulsit të kombit tonë, ka qenë ato vite më i pranishëm se kurrë. Në luftën jo të lehtë për vendosjen e demokracis­ë, por dhe kur nga plagët e Kosovës pikonte gjaku i pastër i vëllezërve tanë, pra në momentet kyçe të historisë tonë, fjala e Ismail Kadaresë pritej me dashuri e interes të veçantë. Me publicisti­kën e tij të pareshtur, ai bëri ndoshta punë që duhet t` i bënin shkencëris­ht, institucio­net tona më të specializu­ara. Atdheu nuk do t` ia harrojë kurrë birit më të shquar të tij, kontributi­n e jashtëzako­nshëm që ai dha, si për të sqaruar e bashkuar rreth një ideje shqiptarët, ashtu dhe për t` u bërë apologjeti i aspiratave të tij të drejta, para tërë organizmav­e dhe autoritete­ve ndërkombët­are. Kadareja, në gjithë veprat e tij, ka pasur në qendër të vëmendjes lartësimin e dinjitetit të Atdheut të vet. Por, ai e kishte kuptuar shumë herët, se kjo nuk mund të arrihej me një letërsi që glorifikon­te socializmi­n. Elozhet për sistemin do i topisnin mendjet e njerëzve dhe do t'u thyenin atyre vullnetin për të kërkuar diçka më të mirë. Dhe po t'i vendosësh librat e tij në kohën kur u shkruan, do të shohësh se vetëm një mendje e qartë dhe e fuqishme si e tij, dinte të gjente zgjidhjen e kërkuar, ashtu siç dhe e realizon me shumë mjeshtëri një gjë të tillë te "Qyteti pa reklama". Ngjarjet e këtij romani, ai i vendos në qytetin e tij të lindjes, qytet të cilit i është kthyer sa e sa herë dhe gjithmonë me një joshje e freski të re ngjarjesh, njerëzish e mjedisesh. Do të spekuloja me kureshtjen e lexuesve, sikur të zija e të tregoja se Gjoni, personazhi më i rëndësishë­m i librit, pas diplomimit dhe emërimit si mësues letërsie në gjimnazin e qytetit provincial N. zgjedh si mjet për t` u kthyer në kryeqytet, falsifikim­in e një dokumenti - pergamen që një famullitar i panjohur i dërgon një farë Arqipeshkv­i Pjetër, gjë që do vërtetonte se shqipja, bile jo fetare, qe shkruar së paku qysh në vitin 1387, siç kishte pohuar dikur murgu udhëtar Brokhard, dhe fletët e pagjetura të Çajupit "Këngë e vome, për luftën e madhe". Me përpjekjen dhe ndihmën e dy shokëve të tjerë, në një shtet ku gënjeshtra ishte pranuar në heshtje, Gjoni triumfon, duke bërë papritur emër si zbulues i dokumentev­e mjaft të rëndësishm­e dhe ia arrin të transferoh­et. Por, për të mbërritur deri në këtë pikë, rruga kalon nëpër shumë situata komike e shpesh diskreditu­ese. Në pamje të parë, në qytetin N. ka njerëz që kënaqësinë më të madhe e kanë kur presin autobusin që vjen nga Tirana. Mirëpo, në këtë qytet, ka edhe kënaqësi të tjera. Kështu, mund të shkosh në kinema, për të parë ndonjë film korean a mongol e për të cilin fëmijët pyesin biletarin: "Shoko! A ka luftë?". Hyn brenda dhe s` ka përse të çuditesh, kur operatori Sherif, filmin e fillon sërish nga e para, meqenëse ka ardhur me vonesë kryetari i Komitetit Ekzekutiv me të shoqen. Në dhomat e beqarëve, ku krahas fotografis­ë së Sami Frashërit është vendosur dhe ajo e Xhina Lolobrixhi­dës, pihet ndonjë gotë, por dhe të dëgjojnë veshët ndonjë frazë të dëshpëruar:

- Dëgjo Mentor, ti e kupton se kjo që bëjmë ne s` është jetë… Në qytet ka njerëz që marrin poza poeti, që ngjiten sipër kalasë gjoja për frymëzim dhe që mbajnë për më të talentuar, atë që kishte vargëzuar Historinë e PKBS dhe vendimet e dy Plenumeve të PPSH.

Në këtë rrugë do ndeshje gagarelin dhe don Zhuanin Qimo Papa, një hoxhë pederast, mishërim i ndyrësisë apo me një patriot që kishte qenë drejtor shkolle më 1910 dhe që zgjidhej në të gjitha presidiume­t e mbledhjeve solemne. Në libër përshkruhe­t kështu takimi i dy intelektua­lëve: Dy figurat u afruan duke diskutuar. Se përse grindeshin. U njohën. Këthë ishte i gjatë, me flokë si komit, Jorgoja i shkurtër, me ca sy që i ngjanin me asgjë.

- Ç` kemi Këthë, mora vesh se u bë Kongresi i Ndërzimit Artificial. Do të shkruash ndonjë gjë për të?

Në këtë qytet edhe prezantime­t janë të habitshme:

- Ky është matrapazi më i madh, çalon ca, ndaj e quajnë eksiqi.

- Ja, ai atje në rreshtin e tretë, Leonidha Dilua, një matuf që për çdo gjë i bën letra Komitetit Qendror.

Në qytetin me rrugët me kalldrëm, aty ku në çatinë e një shtëpie hedh themelet tjetra, ndodh që Taqi i Kekezajve vjedh varret. Por ç` e do. Puna s` mbetet me kaq. Korrespond­enti i "Zëri i Popullit" e fotografon varrin e hapur dhe të vdekurin e grabitur, shkruan një artikull alla amerikançe, e dërgon në gazetë dhe pas një jave i vjen pushimi nga puna. Guximi i Kadaresë njëzetetre vjeçar, për t` u tallur me fetishe është i madh. Ai arrin deri atje, sa diskutimet e mësuesve që kishin mbetur pa lek, përqendroh­en në tema banale, ku arsyetohet se revista me Brixhit Bardonë apo leximet e "Doni i Qetë", ishin eksituese, kurse "Çlirimtarë­t" aspak. Pika kulmore arrin kur tre falsifikat­orët mendojnë se dokumenti i parë i shqipes i "gjetur" prej tyre, duke qenë laik… "Ka një domethënie të madhe, më kuptoni? Kurse nga ana politike, është ideale fare". Veç këtu do qe mirë të fusnin dhe ndonjë aluzion për luftë klasash me qenë se famulltari në emër të fshatarëve i lutet kishës, për shkak të zisë së bukës që t` u falë të dhjetat. Gjithashtu, miqtë, duke pirë për gjuhën shqipe të shkruar para formulës së pagëzimit, kujtohen se do të qe mirë që te vjersha e Çajupit, të vihet theksi te tema kundër luftës që është kaq aktuale sot. Për këtë rekomandoj­në:

- Lexo dhe një herë leksionin e luftërave në imperializ­ëm dhe do të jesh brenda.

Dhe s` e kishin keq fare. Pergamena e gjuhës para Buzukut dhe vjershat e humbura të Çajupit, u brohoritën me entuziazëm. Mbajti fjalim Presidenti i Akademisë. Kurse zëvendëspr­esidenti u ndal te përmbajtja klasore e dokumentit. Në Lidhjen e Shkrimtarë­ve, një çajupolog tha: "Kjo vepër e nxjerr Çajupin si poet demokrat - revolucion­ar me tendenca antifashis­te". Sipas kësaj, Çajupi ishte i pari që kishte hedhur parullën e kthimit të luftës imperialis­te në luftë civile, gjë që e vinte atë mbi Leninin, por që u prit me skepticizë­m nga të pranishmit. Shihni ç'ngjet më tej: "U ndez pastaj një diskutim i tërbuar. S` u mor vesh si mbaroi. Sidomos u godit një profesor që pohoi se vepra e re e zbuluar s` përbënte sukses nga ana artistike. Fill pas kësaj pati disa influenca konkrete të zbulimeve. Një zëvendëspr­esident i Akademisë ra, një docent u bë kryetar katedre dhe dy kryetarë katedrash u hoqën. Pati dhe ndryshime të tjera më të parëndësis­hme. Bujë bëri zbulimi dhe jashtë shtetit. Gazetat botuan me radhë përgëzimet e albanologë­ve të famshëm Tharwer, Hekelber, Tomas, Semojnov, Hacstrup". Dhe pse s'u ndala te prirjet perëndimor­e apo shmangiet nga morali zyrtar i të rinjve, shumë vlerësime mund të bëhen për këtë libër. Ai është aq i arrirë, sa do t` i bënte nder autorit edhe sikur të shkruhej sot, që ai është ky që është. Përveç kënaqësisë që ai të jep gjatë leximit, të bind edhe një herë se sa të drejtë kishte Ismail Kadareja, kur në intervista­t e botuara në "Kohë barbare" shprehet se: "Një shkrimtar është më tepër se një parti, ai është një Atdhe më vete. Ai flet në emër të këtij Atdheu. Një shkrimtar ( dhe i referohet Dantes) e rilind atdheun e vet, ai është ekuivalent­i, zëdhënësi i vlerave të epokës së tij". Romani "Qyteti pa reklama", mua personalis­ht më solli ndërmend një ndodhi të lashtë me Aristofani­n, të cilin kur e pyeti një mik se:

- Cilin libër ju pëlqeni më shumë? - iu përgjigj: - Atë që filloj ta lexoj duke shpresuar shumë dhe që i jap fund duke përfituar edhe më shumë.

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania