Legalizime, lista me 708 emrat e qytetarëve që kanë gati tapitë
Kadastra: Qytetarët mund të paraqiten në zyrat e Agjencisë për të tërhequr lejen. Procedurat e regjistrimit, pas 30 ditësh
Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka përfunduar shqyrtimin e 102 dosjeve të qytetarëve që kanë ndërtuar pa leje dhe tashmë duhet të tërheqin lejen e legalizimit bashkë me faturat përkatëse, pagesa e të cilave i bën pronarë legjitimë.
Bëhet fjalë për një listë voluminoze me 708 përfitues që i përkasin 12 qyteteve, si dhe dhjetëra në të ashtuquajturat Zona të Simuluara. Më konkretisht, qytetarët që pajisen me lejen e legalizimit janë në Berat, Dibër, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë, Krujë, Kuçovë, Lushnje, Pogradec dhe Tiranë. "Drejtoria Vendore e ASHK bën afishimin publik për qytetarët, në zbatim të ligjit nr. 20/ 2020 ' Përcaktimin e Proceseve Kalimtare të Pronësisë në Republikën e Shqipërisë' dhe VKM nr. 1040 date 25.11.2020 ' Për përcaktimin e rregullave në zbatim të kritereve të legalizimit dhe miratimin e modelit të aktit të legalizimit për ndërtimet pa leje', Drejtoria Vendore ASHK- së ka bërë të mundur përfundimin e procedurave të legalizimit për subjektet e mëposhtëm", citohet në njoftimin e zyrave vendore ASHK- së, në të cilat bashkëngjitet lista me emrat e përfituesve. Kadastra fton ata që gjejnë emrin aty të tërheqin pranë zyrave rajonale përkatëse faturën e taksave që duhen paguar. Sjellim në vëmendje se nëse nuk bëhet kjo pagesë zyrat e Kadastrës nuk emëtojnë dot lejen e legalizimit dhe as nisin procedurën për regjistrimin në hipotekë, e cila gjithashtu kërkon shlyerjen e pagesës për parcelën ndërtimore. Për pagesa të menjëhershme, qytetarët përfitojnë 20% zbritje, si dhe
10% zbritje për pagesën e rregullt të energjisë elektrike. Për familjet që kanë në përbërje të tyre persona me statusin paraplegjik, tetraplegjik apo të verbër përfitojnë blerjen e truallit me gjysmën e vlerës së përllogaritur.