Panorama (Albania)

"Kumar", "bixhoz" apo "bast", historia e lotarisë sportive

Cili është shpjegimi më i parë që i bëri profesori Eqerem Çabej. Në vitet ' 80 u quajt "Lojë me letra"

- BESNIK DIZDARI

Kurrë nuk ma kishte marrë mendja se në vitin 2019, do ta quaja lotarinë sportive "sport borgjez". Në të vërtetë, në gjenezë, "sport borgjez" nuk e kam quajtur unë. E pati quajtur partia e regjimit komunist.

Dhe, papritmas, sapo e kanë rikthyer të sotmit, thuajse rrufeshëm! E patën zhdukur më 2019 brenda disa ditëve apo javëve. Nuk e quajtën "sport borgjez", megjithatë. E quajtën "bixhoz". Gjatë ditëve të shuarjes ky qe përcaktimi më sundues. Nuk mbeti edhe emision televiziv e gazetë pa e quajtur "bixhoz".

Profesor Eqrem Çabej është njeriu që i ka dhënë shpjegimin më të hollsishëm kësaj fjale në kryeveprën e tij "Studime Etimologji­ke në fushë të Shqipes". "Kumar" është shpjegimi më i parë i profesorit. Fjalori i Shqipes 1954 e quan lodër me të holla e bazuar në fat dhe shton: "kumar". Fantastik është Fjalori i Shqipes 1980: "Lojë me letra a diçka tjetër për të nxjerrë fitime, që mbështetet te rasti, te dredhitë e te mashtrimet e pjesëmarrë­sve, ' kumar' dhe shton: ' Në Shqipëri e ndaluar me ligj'".

Ndërsa këto ditë të vitit 2024, deri dhe në titujt e ligjit në miratim e sipër po quhet "bast". Fjalë për fjalë emërtohet si "tregu i basteve"! Dhe prapë shkoj te prof. Eqrem Çabej, i cili "bastin" e jep si "të lidhurit me kusht" - "vëmë bast", siç shkruan ai në fjalorin e tij të famshëm. Çka vërteton se loteria sportive nuk është absolutish­t "bast".

Pa ngurim them se nuk mund të ketë kryeminist­ër në botë, nuk mund të ketë shkencëtar, nuk mund të ketë studiues, nuk mund të ketë ekonomist që ka fituar çmimin "Nobel", që të na provojë se parashikim­i i përfundimi­t të këtyre ndeshjeve me një skedinë, që bie fjala, në Shqipëri mund të blihet për qoftë dhe 100 lekë të reja, të jetë "bixhoz" a "bast". Siç e pati quajtur më 2019 qeveria shqiptare, duke e bashkuar me lojërat e kazinove apo të tjera, ato me letra bixhozi a s'di se çka. Sepse lotaria sportive apo totofutbol­li, siç është quajtur qysh në origjinë, nuk është kurrë bixhoz. Madje, deri diku është edhe një provë kulture, njohjeje e diturie për sportin e futbollit e të skuadrave të tij, mbrenda e jashtë vendit tënd.

Pata shkruar: si ka mundësi që lotaria sportive iu bashkëngji­t kumarit, kazinove dhe pa pasë asnjë lidhje a ngjashmëri me ta, u mbyll në një ditë së bashku me ta?

Jam i bindur - dhe jo vetëm unë, po gjithë bota sportive dhe josportive - se loteria sportive nuk është bixhoz e as bast. E bëj për të kujtuar edhe se si devijoi ajo. Devijim që i bëri asaj Shqipëria 2019. E, nëse pikat e ashtuquajt­ura "të basteve" vërtet që në shumë raste ato denatyruan, faji nuk është i lotarisë sportive, por i qeverisë shqiptare, e cila nuk arriti ta ndalte këte denatyrim a rënie.

Pata guxuar edhe më shumë se kaq, ku i vetëm shkrova fjalë për fjalë e germë për germë këtë fjali: "Jam i bindur se do të vijë një qeveri përsëmbari dhe do ta vendosë përsëri lotarinë sportive". Ndonëse tani me një ndryshim. Nuk erdhi një qeveri tjetër, por po ajo që ishte më 2019, e cila duket se e ka marrë me tapi Shqipërinë. Dhe nuk guxoi që këto ditë të thoshte: "Më falni, pata gabuar!". Kjo ngaqë nuk e njeh autokritik­ën, atë që të paktën formalisht e njihte edhe Enver Hoxha.

Parashikim­i vonoi vetëm 5 vjet për të mu vërtetuar sot, në këtë 2024, pra. Ma jepni një medalje të vogël që më doli parashikim­i. Këtë e them me humor, natyrisht, sepse më mjafton titulli që kam: Kalorës i Urdhrit të Flamurit, që është një shkallë më lart se Mjeshtër i Madh, madje.

SHPIKËSI QUHET MASSIMO DELLA PERGOLA

Kjo është historia e Budapestit të majit 1992 të Kongresit të AIPS ( Associatio­n Internatio­nale de la Presse Sportive - Shoqata Ndërkombët­are e Shtypit Sportiv), përmes takimit me shpikësin e lotarisë sportive, gazetarin e madh italian Massimo Della Pergola ( 1912 - 2006) të Triestes. Në "Storia del calcio" të autorit të mirënjohur Gian Paolo Ormezzano - një libër i mrekullues­hëm për futbollin - me kohë kisha nënvizuar këto rradhë:

"Gjatë luftës, një gazetar italian, Massimo Della Pergola, i internuar në Zvicër për arsye politike, sjell më 1946 në Itali idenë e parashikim­it të rezultatev­e të futbollit".

Sa bukur që e ka quajtur Ormezzano: "Parashikim­i i rezultatev­e të futbollit"! As bixhoz, as bast.

Ndjehesha deri diku i sigurtë se do ta takoja në Kongresin e Budapestit, Della Pergolla- n, çka u realizua e, unë që thuajse u mahnita që më 11 korrik 1992 ai mbushte plot 80 vjeç. Kthjelltës­ia e mendimit të tij, gjallëria e gjithë portretit të tij fizik e intelektua­l, ishin më shumë se një befasi. Po takoja kështu themeluesi­n e "Totocalcio"- s, të lotarisë sportive, mirëpo në të vërtetë unë po takoja edhe një gazetar të famshëm. Ishte Massimo Della Pergola. Njeriu i cili kishte ndjekur 11 olimpiada dhe 11 kampionate Botërore të Futbollit e që kishte bashkëpunu­ar me 76 gazeta e revista, gazetari i cili më 1946, kur ishte kryeredakt­or ( shef redaksie) kishte shpikur "Totocalcio"- n, ideator i Lojërave Universita­re, themelues i Shoqatës së Shtypit Sportiv të Italisë, "pronar" i 24 çmimeve e dekoratave për veprimtari­në e tij, mbajtës i titullit "Grande Ufficiale d'italia".

Doktor i Shkencave Ekonomike, pjesëtar i Rezistencë­s kundër Fashizmit, i shndërruar në numrin 29615 të të internuari­t politik në kampin e përqëndrim­it Pont de Morge të Zvicrës, të cilit gjithë dita i kalonte në bonifikimi­n e Rodano- s, i detyruar të lëvizte përditë tetë metra kub dhé, atij i kishte mbetur vetëm mbrëmja atje në barakë, melankolik e thuajse i demoralizu­ar për Italinë e tij, që po shkatërroh­ej. Ka qenë 1943. Papritmas e transferoj­në në kampin Saint Cergne dhe i japin detyrën "fisnike" të një lloj centralist­i telefonik! Këtu fantazia e tij merr hov.

"Lufta po i afrohej fundit, - më tregonte Della Pergola në netët tona të paharruesh­me të Budapestit 1992, - dhe Italia ishte e shkatërrua­r e bashkë me të dhe sporti. Si? Mora një letër dhe mbi të shkrova një "P" të madhe, që për mua donte thoshte ' Progetto'( Projekt). Shkruaja, fshija, ndreqja, prap shkruaja. Ndërkohë erdhi liria. Nisa të bashkëpuno­ja me shtypin e radion në Zvicër. Firmosja me ' Maximus Bianchi'... Kthehem në Trieste ku gjej gjithçka të shkatërrua­r. Edhe shtëpinë time. Marr rrugën e Milanos e drejt e te ' La Gazzetta dello Sport'. I famshmi Bruno Roghi, drejtori përgjegjës i gazetës, e dinte mirë se kush fshihej mbas ' Maximus'. Më emëron kryeredakt­or ( shef redaksie). E unë pa ia zgjatur i them: ' Ka një mundësi për ta shpëtuar sportin italian dhe se kjo mundësi përmblidhe­t në një ' P' të madhe që qëndron mbi dosjen time'. Ia shfletoj duke i thënë se një lotari për parashikim­et e rezultatev­e të ndeshjeve të futbollit, mund të nxjerrë të ardhura për të financuar gjithë sportin italian. Bruno Roghi mërzitet ndërkaq, dhe krejt skeptik më drejtohet me fjalë të ashpra: ' Massimo, je i martuar, ke dhe një fëmijë, merru me punë e lëri këto çmendurina!'.

Ndërsa unë në timen. Nisem për në Romë drejt e te presidenti i Komitetit Olimpik Italian ( CONI) Gulio Onesti dhe te presidenti i Federcalci­o- s, Otorino Barrasi. Ju flas, por ata thonin: ' Erdhi i marri i Milanos!. E unë: ' Do të keni vetëm fitim, këmbëngul, sepse kaq për qind do të marrë shteti, kaq Federcalci­o, kaq CONI dhe kaq fituesi i parashikim­it. Do të shënohet ' 1' për fitoren e skuadrës vendase, ' x' për barazimin, dhe ' 2' për fitoren e skuadrës mike'. Giulio Onesti tund kryet e unë prap këmbëngul. ' Duhet të jesh më serioz', më thotë. Ndërkaq unë prapë në

timen. ' Merre lejen, më thotë më në fund, por mos eja më këtu'. E unë kaq desha…"

Massimo Della Pergola formon kështu shoqërinë e tij të cilën e quan SISAL ( shkurtim i Sport Italia Societa Anonima Lombarda). Dhe është SISAL që do të organizojë gjithë punën për "Totocalcio"- n. Della Pergola përcakton: 45 për qind të shumës nga shitja e skedinave do ta marrin fituesit, 36 për qind shteti, 12 për qind SISAL, dhe 6 për qind baret ( kafenetë)…

Shihni pra përqindjet e themelimit, përqindje që me sa po shihet, sot më 2024, ju të Shqipërisë doni t'i ulni për ate çka marrin blerësit e skedinave.

"I lodhur, i dërmuar, thuajse i vetmuar, futem në një bar, më tregonte Massimo Della Pergola. Kërkoj një vermut. E pij dhe paguaj 30 lireta. Kaq kushtonte. Vetëm 30 lireta! Pa dashur kisha përcaktuar çmimin e një skedine. Kaq do të kishte mundësi ta blinte çdo italian. Kjo ishte e para. E dyta ishte vetë bari. Nuk mund të kishte vënd më të përshtatsh­ëm se sa në bar për t'i shitur skedinat. Baret ( kafenetë) janë gjithmonë plot njerëz, ata shkojnë e vijnë aty gjithë ditën, rrijnë për disa kohë, pijnë diçka... Për këtë, baret duhej të merrnin 6 për qind të shumës së skedinave të shitura. Shifër që më vonë do të rritej në 6.6 përqind. Arrita të shisja skedina në 12.000 bare të Italisë. Popullarit­eti do të njitej deri atje saqë u detyrova mandej të formoja ' Shoqatën e baristëve'.

Ministri i Financave të Italisë, Spataro, duhet të ketë qenë më i zgjuari në gjithë këtë aventurë. Dhe ishte ai që ia dha menjëherë autorizimi­n Massimo Della Pergola- s. Ndërkaq, ky merr 12 nëpunës dhe rreth 100 vullnetarë për shfletimin dhe numërimin e skedinave.

Mbërrin dita historike e 5 majit 1946, kur kamionët e ' fatit' nisen rrëmbyeshë­m nga Milano për në gjithë rrugët e Italisë duke mbajtur në karrocerit­ë e tyre 5 milionë skedinat e para me 12 ndeshje për t'u parashikua­r nën formulën magjike ' 1', ' X', ' 2'. Një mister që do të shfaqej nën fataliteti­n e këtyre 12 çifteve të kampionate­ve italiane të vitit 1946:

Inter - Juventus, Bari - Napoli, Torino - Milan, Pro Livorno - Roma, Padova - Vegevano, Cremonese - Alessandri­a, Como - Genoa, Sampierdar­enese - Sestrese, Legnano - Novara, Bologna - Piacenza, Cesena - Modena, Venezia - Mantova".

E për çudi, kjo 12- she e skedinës themeluese, historike, ka mbrenda saj edhe pak Shqipëri. Një lojtar i madh i "Sportklub Tiranës" është në fushën e lojës: Riza Lushta i Napolit. Madje, në një ndeshje dramatike Bari - Napoli 2- 2 që me "X"- in e saj ngatërron tifozët. Serinë e çel bash Riza Lushta me një gol shembullor në të 17'! Por, Bari kalon në 2- 1 me gola të Orlandos dhe Maestrelli- t dhe ja tek barazon Barbieri për Napolin: 2- 2! Kështu, Shqipëria "dhuron" një gol të Lushtës në skedinën e parë të "Totocalcio"- s!

Dhe ja ku mbrrin mrekullia: një njeri arrin të fitojë 43 milionë lireta! Diçka e paimagjinu­eshme! Ishte njeriu, i cili kishte bërë arkivolin e Marconi- t.

RRËMBYESI ËSHTË ZËVENDESKR­YEMINISTRI GIULIO ANDREOTTI!

Dhe data 19 shtator 1948, që është fatale! Giulio Andreotti, zëvëndëskr­yeministër i ri i Italisë dhe njohës i madh i vlerave dhe përfitimev­e prej sportit, është rrëmbyesi. Emërtimi i ri zyrtar është "Totocalcio". Nuk ka më SISAL! Dekreti është i pamëshirsh­ëm: shtetizim! Dhe drejt e në gjykatë. Massimo Della Pergola hedh e ngre padi kundër shtetit italian, sepse "Totocalcio" është i tij, dhe ligjërisht shteti nuk ka të drejtë të përvetësoj­ë kësisoji një shpikje të individit!… Ai e fiton gjyqin vetëm më 1955. Në të vërtetë, gjatë këtyre 8 vjetëve "Totocalcio" ishte bërë tejet i fuqishëm, i fitimeve të mëdha që po mbanin gjallë vetë sportin italian. Sportin pra. Atë që ju qeveritarë­t e sotëm të Shqipërisë e harroni keqas.

Della Pergola juridikish­t përfiton "dëmshpërbl­imin për çpronizim" dhe vetëm kaq. "Totocalcio" pushton botën. Për Massimo Della Pergola- n jepet dekorata "Decorazion­e all merito della Republica Italiana" e shkallës më të lartë "Grande Ufficiale d'italia". "Totocalcio" i tij do ta bënte CONI- n ( Komiteti Olimpik i Italisë) dhe Federcalci­on ndër më të pasurat në Europë, duke vazhduar me raportet: 30 për qind fituesit, 8 përqind baret, 62 përqind shteti dhe CONI në të mirë të sportit italian.

 ?? ?? Vitet ' 60. Një skedinë autentike e 7 tetorit 1962 të rifillimit të asaj që u emërtua si "Lotaria e Sportit" në Shqipëri, e plotësuar asokohe nga autori i shkrimit të këtushëm
Vitet ' 60. Një skedinë autentike e 7 tetorit 1962 të rifillimit të asaj që u emërtua si "Lotaria e Sportit" në Shqipëri, e plotësuar asokohe nga autori i shkrimit të këtushëm
 ?? ?? Gazeta "Sporti Popullor" e 10 shtatorit 1990, që fikson skedinën e parë të T
Gazeta "Sporti Popullor" e 10 shtatorit 1990, që fikson skedinën e parë të T

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania