Panorama (Albania)

Pensionet e reja, si përfitohet shtesa me 15 për qind në vit

Ligji përcakton që përveç rritjes vjetore me 6 për qind, të aplikohet edhe indeksimi vjetor. Dokumentet për të përfituar

- TIRANE

Shtesa që qytetarët përfitojnë nëse shtyjnë kohën e daljes në pension mund të shkojë thuajse 15 për qind në vit. Kjo pasi veç rritjes me 6 për qind që është e përcaktuar në ligj, aplikohet edhe një tjetër shtesë.

Bëhet fjalë për indeksimin, i cili vitin që shkoi u përcaktua në masën e 8.6 për qind, ndërkohë që për 2024, Instituti i Sigurimeve Shoqërore nuk ka dalë ende me një vendim. Nëse i referohemi masës së indeksimit në fuqi, pensionist­ët kanë një pension në rritje, në masën e thuajse 15 për qind. "Përfituesi i pensionit të pleqërisë, që ndërpret pensionin, vazhdon të punojë dhe paguan kontribute, merr shtesë mbi pension në masën 0,5 për qind për çdo muaj ndërprerje­je. Kjo shtesë llogaritet mbi atë masë pensioni që rezulton pas rritjeve dhe indeksimit që ka pësuar pensioni gjatë kohës së ndërprerje­s", thuhet në ligjin "Për sigurimet shoqërore". Për ta bërë më të qartë, një person që është në prag pensioni dhe sipas llogaritje­ve i takon të marrë 18 mijë lekë pension, nëse vijon të punojë edhe një vit, pra nëse zgjedh të punojë edhe 12 muaj të tjerë atëherë në fund të kontratës do të marrë 6 për qind shtesë shtuar kësaj edhe indeksimin i cili këtë vit ishte me 8.6 për qind. Pra, do të marrë deri në 14.6 për qind rritje, ose 2700 lekë më shumë. Rritja dyfishohet për ata të cilët zgjedhin të punojnë 2 vite, për të cilët shtesa shkon rreth 30 për qind dhe për ata që punojnë 3 vite shtesa bëhet edhe më e lartë dhe shkon afro 45 për qind mbi masën e pensionit e kështu me radhë. Kujtojmë që këtë vit mosha e daljes në pension për burrat është 65 vjeç, ndërsa për gratë është 61 vjeç e 6 muaj. Kjo rritje do të vijojë deri në vitin 2032, ku

mosha e daljes në pension për femrat do të jetë 63 vjeç. Skema parashikon që "portofoli" i sigurimeve të rritet me 4 muaj për çdo vit. Kjo nuk vlen vetëm për gratë, por edhe për burrat, të cilët për të marrë pension të plotë duhet të plotësojnë dy kushte: së pari, moshën 65 vjeç, e cila nuk ndryshon deri në vitin 2032 dhe së dyti, vitet e punës, ku për këtë vit pragu është 37 vite e 8 muaj. Lidhur me dokumentet që duhet të dorëzohen, përveç librezës së pensionit, duhet të po ashtu vërtetim vjetërsie në punë si edhe vërtetim i bazës së vlerësuar me pagat që i është mbajtur kontributi. Libreza lëshohet nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore pra drejtoria qendrore. Vërtetimi i bazës së vlerësuar me pagat që i është mbajtur kontributi lëshohet nga drejtoria rajonale e sigurimeve ndërsa vërtetimi i vjetërsisë në punë, nga punëdhënës­i. Përveçse në zyrat rajonale të sigurimeve shoqërore kërkesa mund të bëhet edhe pranë sporteleve të ADISA- s.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania