Panorama (Albania)

“Investimet strategjik­e”, BIRN: Qeveria pro zgjatjes së afatit, por kundër forcimit të kritereve

Ndryshimet ligjore u japin më shumë rol në vendimmarr­je ministrive të linjës, për të përgatitur studimet dhe kontratat

- TIRANE

Pas nismës së deputetit Eduard Shalsi për zgjatjen e afatit dhe forcimin e kritereve të ligjit kontrovers “Për investimet strategjik­e”, Këshilli i Ministrave rrëzoi pothuajse të gjitha propozimet e tjera përveç shtrirjes së efekteve deri në vitin 2027.

Më 20 shkurt 2024, Komisioni për Ekonominë dhe Financat në Kuvendin e Shqipërisë nisi shqyrtimin e një projektlig­ji të dorëzuar nga deputeti socialist, Eduard Shalsi, që synon zgjatjen e afatit për investimet strategjik­e deri më 31 dhjetor 2027. Ndryshimet ligjore të propozuara nga Shalsi parashikoj­në gjithashtu të rrisin vlerën e investimev­e deri në 100 milionë euro për ato investime që do të marrin statusin “investitor strategjik me procedurë të veçantë”, dhe t’i japin më shumë rol në vendimmarr­je ministrive të linjës për të përgatitur studimet dhe kontratat. Por në një dokument të emërtuar “dhënie mendimi” që Këshilli i Ministrave ka dërguar në Kuvend, të cilin BIRN e disponon, rrëzohen pothuajse të gjitha propozimet e Shalsit për forcimin e kritereve dhe jepet dakordësi vetëm për shtyrjen e afatit. Ministria e Turizmit dhe Mjedisit bie dakord me zgjatjen e afatit, duke vlerësuar se do të ndikojë “në zhvillimin e qëndrueshë­m të turizmit, nëpërmjet thithjes së investimev­e elitare në këtë fushë”. Por, ministria e drejtuar nga Kumbaro refuzon të marrë përsipër detyrimet e propozuara nga Shalsi për këtë ministri dhe për rritjen e vlerës së investimit. “Bazuar në ndryshimet e propozuara, rritja e vlerës së investimit nga 5 milionë në 50 milionë dhe nga 50 milionë në 100 milionë do të frenojë projektet investuese në fushën e turizmit për strukturat akomoduese që nuk ndodhen në zona me përparësi zhvillimin e turizmit apo që janë në vlerë më të madhe se kriteri i investimit për përfitimin e statusit 4 dhe 5 yje, status special, dhe, për rrjedhojë, subjektet investuese nuk do të kenë interes për të investuar në këtë fushë”, - thuhet në dokument. Kjo ministri sugjeron që sektori i turizmit të përjashtoh­et nga rregulli i përgjithsh­ëm i vlerës së investimit, si dhe të rishikohen vlerat e propozuara të investimit, duke u dhënë mundësinë subjekteve që kërkojnë të investojnë në këtë sektor, të përfitojnë statusin e investitor­it strategjik si për investime jashtë zonave me përparësi zhvillimin e turizmit, ashtu edhe për vlera më të ulëta se 50 milionë. Po ashtu, ministria e Turizmit dhe Mjedisit thotë se nuk ka kapacitete njerëzore për të bërë vlerësimin e plotë të projekteve të investimit dhe të hartojnë raportin përfundimt­ar dhe kontratën për investimet e propozuara. Sipas kësaj ministrie, kjo do të krijonte dhe mbivendosj­e me detyrat funksional­e të AIDA- s. Ligji për “Investimet Strategjik­e” u miratua në vitin 2015 si një ligj i përkohshëm dhe pasi afati u zgjat disa herë, i mbaroi efektet e tij në dhjetor 2023. Ligji ka shkaktuar debate dhe kritika për mënyrën e zbatimit si dhe për rrethin e përfituesv­e, që sipas ekspertëve të ekonomisë ka favorizuar një grup oligarkësh si dhe ka cenuar pronën private, duke nxitur konflikte sociale. Sipas vendimeve të miratuara nga Komiteti i Investimev­e Strategjik­e, i drejtuar nga kryeminist­ri Edi Rama, shteti u ka ofruar investitor­ëve strategjik­ë qindra hektarë tokë publike përmes kontratave të qirasë 1 euro, infrastruk­turës ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm dhe përfitime të tjera. Sipas deputetes së Partisë Demokratik­e, Jorida Tabaku, e vetmja gjë që i intereson qeverisë është zgjatja e afatit të ligjit për të vijuar me të njëjtën mënyrë jotranspar­ente të dhënies së statusit për investitor­ët. “Mendimi i qeverisë nuk lidhet me faktin se si ta përmirësoj­më procesin, po janë fokusuar vetëm tek zgjatja e afatit dhe janë rrëzuar poshtë elementët për vlerën e investimit apo për procesin,” tha Tabaku duke komentuar ndryshimet mes draftit të Shalsit dhe atij të Këshillit të Ministrave. “Me pak fjalë, qeveria po thotë se; ‘ ne nuk jemi të interesuar fare se si jepen këto investime , po jemi të interesuar për të vazhduar me të njëjtën proces, në mungesë transparen­ce dhe në kritere të paqarta të dhënies së investimev­e”, - shtoi Tabaku. Tabaku e lidh shtyrjen e afatit të zbatimit të këtij ligji me ndryshimet e miratuara në ligjin e Zonave të Mbrojtura, ku u lejuan projektet e turistike dhe infrastruk­turore brenda territorit të këtyre zonave, me një procedurë të ngjashme parlamenta­re që po ndiqet në këtë rast. Një nismë e deputetëve për ligjin e “Zonave të Mbrojtura” u rrëzua në momentin e fundit nga një draft i qeverisë, duke shmangur konsultimi­n publik mbi variantin final të ligjit.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania