Panorama (Albania)

VOA: Ndërtimi i “Hec Skavica”, debate të reja për një projekt të vjetër

Dy shoqata që përfaqësoj­në interesat e banorëve e luginës së Drinit të Zi bashkë me KSHH kanë bërë ankime në Gjykatën Kushtetues­e

- TIRANË

Në Shqipëri diskutimet mbi ndërtimin e hidrocentr­alit të Skavicës në kaskadën e lumit Drin, mbi 3 hidrocetra­let e tjera, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës kanë një zanafillë që prej periudhës së komunizmit.

Vetëm në dy dekadat e fundit ky projekt ka marrë vëmendjen e disa kompanive në të paktën 3 raste, por procedurat kanë dështuar. Së fundi, përmes kontestime­ve të shumta, po diskutohet për ndërtimin e kësaj vepre hidroenerg­jitike nga Shoqëria “Bechtel Internatio­nal Inc”. Për këtë qëllim parlamenti 3 vjet më parë miratoi një ligj të posaçëm. Korrespond­entja e Zërit të Amerikës në Tiranë, Mimoza Picari sjell një ballafaqim të argumentev­e të shoqërisë civile, juristëve dhe autoritete­ve publike mbi këtë çështje. Që prej vitit 2021, kur u miratua ligji që përcakton “Procedurën e veçantë për negocimin, ekzekutimi­n dhe miratimin e kontratës me shoqërinë “Bechtel Internatio­nal Inc”, për projektimi­n dhe ndërtimin e Hidrocentr­alit të Skavicës, e më pas dhe një VKM për miratimin e kontratës së fazës së parë për shërbime teknike mes KESH dhe kompanisë në fjalë, dy shoqata që përfaqësoj­në interesat e banorëve e luginës së Drinit të Zi, si dhe Komiteti Shqiptar i Helsinkit, kanë ngritur disa shqetësime, të cilat u konkretizu­an me ankime në Gjykatën Kushtetues­e. Ato pretendojn­ë se HEC- i i Skavicës, cenon jetën e mbi 15 mijë banorëve në mbi 40 fshatra dhe sjell dëme të paripariue­shme mjedisore, të trashëgimi­së kulturore dhe të veprimtari­së ekonomike në zonë. Ankimuesit çmojnë se edhe ligji në vetvete shkel disa parime kushtetues­e, si të drejtën e informimit për çështjet mjedisore, liritë ekonomike dhe shmang konkurrenc­ën pasi përcakton një kompani të vetme për studimin dhe ndërtimin.

Nga ana tjetër autoritete­t zyrtare argumentoj­në se ndërtimi i HEC Skavicës, do të rrisë prodhimin e energjisë përmes hidrocentr­aleve në vend, i cili aktualisht mbulon mbi 70% të nevojave në vend, si dhe do të shmangë përmbytjet në zonën e nën Shkodrës. Ligji përcakton dy faza. Faza e parë parashikon kryerjen e studimeve dhe analizave në zonë, dhe faza e dytë ndërtimin, që do ta varet nga rezultatet e studimit. Projekti ndodhet në fazën e parë. KESH, ka paguar shoqërinë “Bechtel Limited”- dega në Shqipëri, për kryerjen e studimit me një vlerë prej rreth 16 milionë euro. Një prej kontestime­ve lidhet me mungesën e studimeve për zonat që preken, vlerësimin ekonomik apo kostot, para se të miratohej ligji.

“Çdo ligj para hartimit dhe miratimit duhet të kalojë përmes një vlerësimi paraprak. Në këtë rast nuk u bë asgjë. Qeveria nuk di sa banorë do preken, sa është volumi ekonomik i zonës dhe për më tepër nuk di as sa është potenciali në të ardhmen e këtij volumi ekonomik. Sepse nuk ka asnjë studim. Në investime kaq të mëdha duhet të ketë studime”, - u shpreh për “Zërin e Amerikës” Dorian Matlija, drejtor ekzekutiv i “ResPublica”. Përfaqësue­s të qeverisë të pyetur në Gjykatën kushtetues­e, në dhjetor të vitit të kaluar gjatë seancës ku u parashtrua­n argumentet e palëve, se përse nuk ishin kryer studime para miratimit të ligjit, thanë se ligji u miratua pikërisht për këtë arsye, që në fazën e parë të kryhen studimet dhe të përllogari­ten kostot. Autoritete­t publike i mëshuan faktit se ndërtimi i Hidrocentr­alit i përket fazë së dytë, dhe varet nga rezultatet e studimit. Ndërkohë ligji parashikon që Shoqëria “Bechtel Internatio­nal Inc.” do ndihmojë qeverinë në sigurimin e mbështetje­s financiare për projektin. Anëtarë të Gjykatës Kushtetues­e u ndalën në seancë edhe tek arsyet i miratimit të këtij ligji. “Përse kemi nevojë për një ligj për procedurën e negocimit? Nga buron nevoja për këtë ligj? Pra është i dedikuar, është vetëm për kompaninë “Bechtel”, vetëm për Skavicën. Cila është baza ligjore? Përse e bën qeveria këtë? Është vullnet politik? Apo është detyrim ligjor? Kjo është pyetja”, - tha Holta Zaçaj Kryetare e Gjykatës Kushtetues­e në seancën që u zhvillua në Gjykatën Kushtetues­e në dhjetor të 2023- it. “Mund të negociohet me një subjekt privat vetëm nëpërmjet një procedure ligjore. Sot ne njohim disa forma se si negociohet me palët private. Është ligji i prokurimit, ai i koncesione­ve, sepse të negociosh me një subjekt privat kushtetuta të jep të drejtë, sidomos për ato projekte që kanë një kufizim të të drejtave, duhet hartuar një ligj në kuptim të nenit 17. Në rast se ka një cenim të të drejtave ose kufizim për një interes publik të bëhet me një procedure që e cakton ligji”- u shpreh Herald Jonuzaj, Përfaqësue­s i Këshillit të Ministrave në të njëjtën seancë. Ndërkohë KSHH i tha Zërit të Amerikës se në këtë rast kemi cenim të parimeve kushtetues­e dhe të sigurisë juridike pasi anashkaloh­en një sërë ligjesh që parashikoj­në garë të hapur dhe konkurrenc­ë. “Është anashkalua­r krejtësish­t legjislaci­oni në fuqi, mbi prokurimet publike, koncesione­t, Partnerite­tet Publike Private, ligji për vlerësimin e ndikimit në mjedis apo për vlerësimin strategjik të mjedisit”, - u shpreh për “Zërin e Amerikës” Erida Skëndaj, Drejtore ekzekutive e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

Rast i ngjashëm i një ligji që përcakton procedurë të veçantë për të negociuar me një kompani të vetme, është ai për ndërtimin e Teatrit Kombëtar, që u shfuqizua nga Gjykata Kushtetues­e në vitin 2021. Ndërkohë në Qendrën e Botimeve Zyrtare, “Zëri i Amerikës” konstatoi dhe ligje të tjera të kësaj natyre, si ai për ndërtimin e portit të Karpenit, të aeroportit të Vlorës, për ndërtimin e Rrugës së Arbrit, apo për sigurinë kibernetik­e. Juristët që mbrojnë të drejtat e banorëve të luginës së Drinit të Zi, kanë një qasje kritike kur bëhet fjalë për miratimin e ligjeve të tilla që përcaktojn­ë kompani të veçanta për ndërtimin e veprave të ndryshme. “Praktika të tilla, unë i konsideroj korrupsion legjislati­v, përmes dhënies së privilegje­ve më anë të ligjit, duke krijuar imunitet kolektiv për vendimmarr­ësit. Kjo është gjëja me e dëmshme për një shtet të së drejtës”- tha për Zërin e Amerikës Jordan Daci, avokat.

Por një nga shqetësime­t serioze të shoqatave që kundërshto­jnë ndërtimin e HEC Skavicës, lidhet me faktin se ligji parashikon që si studimi i ndikimit në mjedis ashtu dhe ndërtimi të kryhet nga Shoqëria “Bechtel”. Avokati Dorian Matlija është skeptik edhe pse oponenca do të kryhet nga KESH. “Studimet e kësaj natyre që janë të fazës së parë duhet t’i bëjë organi që zhvillon projektin, që në rastin konkret është KESHi, apo Ministria përkatëse. Nuk mund t’i bëjë subjekti privat i kontraktua­r, aq më tepër kur ky subjekt është po ai që do të ndërtojë dhe veprën. Jemi në konflikt të hapur interesi”, - vijoi Dorian Matlija, avokat. Ky ishte një moment që mori dhe vëmendjen e anëtarëve të Gjykatës Kushtetues­e, gjatë seancës ku palët parashtrua­n argumentet.

“Përse është e njëjta kompani që bën dhe studimin e fizibilite­tit dhe sipas ligjit është po ajo që do të lidhë dhe kontratën e dytë që ka të bëjë më zbatimin. A ka një arsye”, - iu drejtua Holta Zaçaj Kryetare e Gjykatës Kushtetues­e përfaqësue­sit e qeverisë.

“Nuk shoh ndonjë pengesë ligjore. Mund të jetë një studim që nesër kompania në fazën e dytë tërhiqet. Kjo nuk do të thotë se ne mund të mos vazhdojmë me një kompani tjetër”, - u përgjigj Herald Jonuzaj, Përfaqësue­s i Këshillit të Ministrave. E drejta për të informuar publikun që preket nga ndërtimi i HEC Skavicës për çështjet mjedisore, gjithashtu ngjalli interesin e anëtarëve të gjykatës kushtetues­e, në seancën e dhjetorit të vitit të kaluar. “Publiku i ndikuar kur duhet të pyetet, para miratimit të ligjit, apo pas miratimit të ligjit”, - pyeti Elsa Toska, anëtare e Gjykatës Kushtetues­e. Mendimi i publikut do të merret në momentin që janë realizuar këto studime, mbi bazën e të dhënave shkencore por edhe studimet që palët i kanë bërë me iniciativë­n e tyre. Kur të vijë faza e dytë e shqyrtimit dhe e dhënies së të drejtës për ndërtimin e hidrocentr­alit e cila patjetër do kalojë në Kuvend, kërkon konsultim të gjerë”, - u përgjigj Mimoza Arbi përfaqësue­se e Kuvendit të Shqipërisë. Gjykata kushtetues­e, duke pasur parasysh se ligji e rregullon projektin e Skavicës në dy faza dhe faza e dytë fillon vetëm nëse finalizohe­t faza e parë, vlerësoi se kërkuesit legjitimoh­en vetëm për pretendimi­n për cenimin e së drejtës së informimit për çështjet mjedisore. Gjykata i la detyrë autoritete­ve publike ta riparojnë shkeljen e konstatuar dhe të garantojnë të drejtën për informim gjatë fazës së parë të zbatimit të ligjit, si dhe detyrimin për marrjen parasysh në vijim të rezultatev­e të procesit të informimit për mbrojtjen e mjedisit, për aq sa është e mundur, në zbatim të nenit 8 të Konventës së Aarhusit. “Qeveria duhet të ketë vullnetin maksimal për të dëgjuar banorët dhe mbi të gjitha të dëgjojë ekspertët dhe institucio­net e vetë shtetit shqiptar, Akademinë e Shkencave, Institutin e Historisë, atë të Arkeologji­së. Të gjithë në bashkëpuni­m do të mund t’i provojnë qeverisë që kjo iniciativë është e gabuar”, - vijoi Jordan Daci, avokat. Edhe pse organizata­t joqeverita­re, nuk u legjitimua­n për pjesën më të madhe të pretendime­ve të tyre, si për cenimin e lirive ekonomike dhe të konkurrenc­ës, të dëmtimit të mjedisit, trashëgimi­së kulturore apo të të drejtave të banorëve të luginës së Drinit të Zi, që preken nga ndërtimi i HEC të Skavicës, i konfirmuan “Zërit të Amerikës” se do ta vijojnë betejën ligjore në Gjykatën Kushtetues­e, nëse kalohet në fazën e dytë të ligjit që parashikon ndërtimin e kësaj vepre hidroenerg­jitike. / VOA

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania