Panorama (Albania)

Kreditë për shtëpi, interesi ra në fund të 2023 BSH: Prekën nivelin më të ulët të të gjithë vitit

-

Normat e interesit të kredisë për shtëpi pësuan përsëri rënie në dhjetor dhe prekën nivelin më të ulët të të gjithë vitit 2023. Sipas statistika­ve nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Lekë në dhjetor të vitit të kaluar zbriti në 4.85%.

Ky nivel është vetëm 0.2 pikë përqindje më i lartë krahasuar fundin e vitit 2022. Por, nga ana tjetër, normat e interesit në muajt e fundit të vitit ndoqën një tendencë të vazhdueshm­e në rënie, duke nxitur rritje të ndjeshme të kreditimit në monedhën vendase. Për të gjithë vitin 2023, kredia e re arriti vlerën rekord të pothuajse 319 miliardë lekëve, në rritje me 14.5% krahasuar me vitin 2022. Jo rastësisht rritja e kredisë së re erdhi e gjitha në Lek.

Vitin e kaluar, sektori bankar disbursoi 179.7 miliardë lekë kredi të reja në monedhën vendase, me rritje prej pothuajse 35% krahasuar me një vit më parë. Veç kredidhëni­es së re, shifrat e kredisë në Lekë përfshijnë edhe një vlerë të konsiderue­shme të huave në valutë që kredimarrë­sit vendosin t’i konvertojn­ë në monedhën vendase, për shkak të kursit të ulët të këmbimit dhe normave më të favorshme të interesit.

Shifrat e rritjes janë edhe më të larta në segmentin specifik të kredisë për shtëpi. Kredia e re për blerje banesash vitin e kaluar arriti rekordin e ri historik prej 48.5 miliardë lekësh ose rreth 466 milionë eurosh. Normat relativish­t të ulëta të interesit kanë bërë që kredia për shtëpi të rritet sidomos në monedhën vendase. Kredia e re për shtëpi në Lekë vitin e kaluar arriti në 30.2 miliardë lekë, në rritje me 36% krahasuar me një vit më parë. Kredia në monedhën vendase përbënte më shumë se 62% të disbursime­ve të reja për këtë produkt.

Frenimi i rritjes së normave të interesit nga Banka e Shqipërisë gjatë vitit të kaluar ndikoi në korrektimi­n e rritjes tepër të lartë që “yield”- et e bonove dhe obligacion­eve kishin shënuar në gjysmën e dytë të vitit 2022.

“Yield”- et pësuan rënie në gjysmën e parë të vitit 2023, ndërsa ishin në përgjithës­i të qëndrueshm­e në pjesën e dytë, sidomos për instrument­et afatshkurt­ra. Kjo solli një ndikim direkt edhe në interesat e kredive në Lek, që në përgjithës­i kuotohen mbështetur mbi interesin e bonove të thesarit.

Ndërkohë, norma mesatare e interesit të portofolit të kredisë për blerje banesash nga individët në monedhën Euro arriti në 5.2% në dhjetor 2023, nga 4.44% që kishte qenë në fund të vitit 2022. Te kredia në Euro gjatë vitit të kaluar u vërejt një tendencë rritjeje graduale e normave, duke reflektuar shtrëngimi­n monetar të Bankës Qendrore Europiane dhe rritjen e treguesit “benchmark”, “Euribor”- it 12- mujor.

Diferenca mes normës mesatare të interesit për kreditë në Euro dhe ato në Lekë arriti nivelin më të lartë historik, me 0.35 pikë përqindje më shumë. Sidoqoftë, për huamarrësi­t me të ardhura në Lekë, rritja e normave të interesit të Euros është balancuar nga zhvlerësim­i i monedhës europiane në kursin e këmbimit. Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro- Lek shënoi një rënie vjetore me 9.1%.

Historikis­ht, normat e interesit për kreditë në Euro kanë qenë më të ulëta se ato në Lekë, duke reflektuar sidomos normat më të ulëta që ka aplikuar Banka Qendrore Europiane. Por, vitin e kaluar raportet ndryshuan. Banka Qendrore Europiane ndërmori një rritje agresive të normave të interesit deri në nivelin maksimal historik prej 4.5%. Ndërkohë, Banka e Shqipërisë e ngadalësoi rritjen dhe e mbylli vitin në nivelin 3.25%.

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania