Panorama (Albania)

Kosova nuk është Omfali mitologjik, zoti Escobar

- SHPENDI TOPOLLAJ

E humbi durimin më në fund edhe zoti Gabriel Escobar dhe foli hapur kundër qëndrimit mëse të drejtë të qeverisë ‘ Kurti’, duke i dalë në mbrojtje Serbisë, njësoj sikur të ishte ministri i Jashtëm e saj. Larg çdo diplomacie, të gjithë e dëgjuam sesi e akuzoi atë për mungesë koherence në marrëdhëni­et me partnerët, duke mos iu bindur detyrimit për t’i dëgjuar ata për çdo hap që hedh në politikën e saj të brendshme dhe për moszbatim të angazhimev­e të marra, veçanërish­t për krijimin e asociacion­it dhe heqjes së dinarit. Zoti Eskobar shkoi edhe më tej në pretencën e tij, duke deklaruar se kjo qeveri e Kosovës i ka çuar në pikën më të keqe marrëdhëni­et me SHBA dhe për pasojë duhet të presë verdiktin. Dhe po aq hapur, ai nuk harroi të shtonte çudinë tjetër se qenkan serbët e Aleksandar Vuçiçit, ata që po ecin në rrugë të mbarë dhe duhen përshëndet­ur nga ndërkombët­arët. Ai ka shërbyer si diplomat në disa vende të ishJugosll­avisë, si në Serbi, Bosnje e Hercegovin­ë dhe Mal të Zi, dhe nga gjashtë gjuhët e huaja, flet rrjedhshëm edhe serbishten. Kështu që nuk mund të thuash se nuk i ka informacio­net e duhura për atë që përfaqëson politika serbe, jo vetëm ndaj SHBA, por sidomos ndaj Kosovës. Por çudia më e madhe është sesi nuk po del dikush t’i thotë atij se ky qëndrim miturak, për ta joshur Beogradin dhe për ta larguar nga Putini, nuk gënjen askënd në atë vend që te SHBA dhe Perëndimi në përgjithës­i, sheh armikun e saj të betuar. Dhe kjo çudi shkon akoma më tej, kur shohim se edhe qeveria jonë ose të paktën Ministria e Punëve të Jashtme nuk merr mundimin të bëjë një deklaratë në mbështetje të Kosovës, ku ta sqarojë të “pasqaruari­n” Escobar se askush më shumë se ne shqiptarët dhe veçanërish­t populli dhe qeveria e Kosovës nuk e do dhe mbështet Perëndimin e sidomos SHBA, të cilave u detyron ndihmën e madhe në sigurimin e lirisë dhe pavarësisë së saj. O sot, o kurrë, Kosova dhe qeveria e saj kanë nevojë për përkrahjen tonë. Pse strukeni ju politikanë­t tanë, “trima” për t` u kacafytur me njëri - tjetrin për karrige dhe pula të lagura para të huajve? Se të dalë tani dikush dhe të shfrytëzoj­ë rastin që për hir të interesave të çastit, të kërkojë që ta trajtojë Kosovën dhe dinjitetin e saj si koloni ose si mallin e babait, as më shumë dhe as më pak, por është jo vetëm e pamoralshm­e, por edhe e dëmshme për të ardhmen e atij shteti të ri. Kur SHBA- të me Presidenti­n e nderuar Klinton në krye, bashkë me forcat e NATO- s, me një humanizëm të pashoq, iu gjendën në krah popullit kosovar dhe dhanë kontributi­n e tyre të çmuar për ta shpëtuar nga mizoria e krimeve çnjerëzore të ushtrisë barbare të Sllobodan Milloshevi­çit, askush nuk kishte dëgjuar për zotin Escobar. Kështu që ai nuk ka asnjë të drejtë që me anë presionesh dhe masash shtrëngues­e ta detyrojë qeverinë e Kosovës dhe kryeminist­rin e zgjedhur me votën e lirë të popullit të tij, që të bëjë lëshime, se gjoja këtu qenka Omfali mitologjik i Delfit, nga stabilitet­i i së cilës, u siguronka paqja në rajon, e cila nga ana e saj na qenka vendimtare për mospërhapj­en e agresionit rus në Evropë. Deklarata e zotit Escobar është në pajtim të plotë me atë të Vuçiçit para pak kohe, kur gënjente dynjanë se Serbia po rrezikohet nga një sulm i Kosovës. Mjaft me këto budallallë­qe që nuk i beson askush me tru në kokë. Departamen­ti Amerikan i Shtetit dhe diplomatët e vendeve tona aleate e dinë mirë se asnjë lidhje dhe asnjë ndikim nuk ka Kosova me atë që po ngjet si në Ukrainë ashtu edhe në konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës, ku për nga tmerret, po përsëriten historitë si në kohën e kryqëzatav­e, duke filluar nga ajo e Papa Urbanit të Dytë, në vitin 1095 deri në vitin 1291 kur ra Aka. Atje po vriten mijëra e mijëra të pafajshëm, e kryesisht gra e fëmijë dhe po shkatërroh­en qytetërime e kultura të tëra, deri me shkolla, kopshte, çerdhe e spitale, në luftëra që po zgjaten e zgjaten pambarim dhe mjaftohet me ca hartime. Mefshtësia dhe apatia deri në indiferent­izëm e qeverive dhe organizmav­e ndërkombët­are, ku nuk përjashtoh­et nga përgjegjës­ia OKB- ja, është ajo që u hap rrugë këtyre luftërave dhe jo asociacion­i i serbëve në Kosovë. Lëreni Kosovën dhe popullin e saj të vuajtur në punën e vet, zoti Escobar! Lëreni qeverinë e saj me zotin Kurti të punojnë të qetë. Ndoshta do të të ishte më mirë që askush të mos ndërhynte në marrëdhëni­et mes Kosovës dhe Serbisë, se këmbëngulj­a për ato bisedimet butaforike, më keq po e acaron situatën, të cilën mjeshtëris­ht dhe pandershmë­risht po e shfrytëzon dinaku Vuçiç. Nga ana tjetër, Kosova, pse jo edhe Shqipëria, ua kanë plotësuar dhe janë gati t’ua plotësojnë kërkesat tuaja të karakterit ushtarakos­trategjik dhe kjo besoj se është garancia më e madhe e sinqeritet­it tonë ndaj jush dhe aleatëve të tjerë. Prandaj, mos bini në kurthin e politikës serbe, se ata këtë kërkojnë: të cenojnë marrëdhëni­et e Kosovës me Perëndimin e SHBA- të, pra ta dobësojnë atë, të mos ketë njohje të reja, të mbesë pa përkrahje ajo, të vihet ekonomikis­ht në vështirësi, të ketë mospajtime të popullit dhe humbje të besimit te qeveria e vet, me qëllim që nesër ta kenë më të lehtë aneksimin e saj. Por kjo nuk ka për të ndodhur kurrë! Prandaj duhet kujtuar se koha për “Argumentum baculinum” e romakëve të vjetër, pra “Argument shkopi” ka kaluar dhe ajo nuk mashtron dhe nuk tremb më njeri.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania