Panorama (Albania)

Çfarë ndodhi natën e 28 shkurtit ' 44 dhe pushkatimi i 4 të rinjve në Tiranë

Qytetarët e Tiranës gjetën në mëngjes të shtrirë në trotuar në "Rrugën e Kusit" ( sot rruga "Katër Dëshmorët"), katër djem të rinj

- GJERGJI FRASHËRI

"Mund të thuhet simbolikis­ht, se "finalja" e këtij muaji- masakër mbyllet me mëngjesin e 28 shkurtit 1944, kur qytetarët e Tiranës gjetën të shtrirë në trotuar në "Rrugën e Kusit" ( sot rruga "Katër Dëshmorët"), katër djem të rinj të pushkatuar në mesin e asaj nate, nga bashkëpunë­torët dhe kolaboraci­onistet shqiptarë të okupatorëv­e nazistë gjermane.

Sot u mbushën 80 vjet nga dita e rënies së "katër dëshmorëve" të "Lagjes Guerile" në Tiranë, prej natës së 28 shkurtit 1944, kur okupatori nazist dhe bashkëpunë­torët e tij kolaboraci­onistë pushkatuan katër të rinj luftëtarë të çlirimit të Atdheut - Trajan Pekmezi ( 30 vjeç), Skënder Kosturi ( 22 vjeç), Gjergj Frashëri ( 20 vjeç) dhe Viktor Gjokoreci ( 16 vjeç).

Qëkurse isha fare i mitur në mesin e viteve ' 50 të shekullit të kaluar, më shfaqet vetja herë pas here ndër vegime kujtimesh fëminore, mes gjyshes time të shtrenjtë Dhoksia që më shtrëngont­e pëllëmbën e dorës së majtë dhe gjyshit tejet të dashur Anastas që më pushtonte dorën e djathtë, të cilët më hiqnin ngadalë përpara mes tyre si fëmijë hapvogël, në krye të kortezhit përkujtimo­r që formohej çdo vit më 28 shkurt. Na ndiqte nga pas, vargu me pjesëtarë të tjerë familjarë, komshinj dhe miq të shumtë nga anë- e- anës, kortezh që mbyllej nga rreshti i gjatë me qytetarë të heshtur dhe të respektues­hëm, të urtë dhe fisnikë të paharruar të popullit kryeqyteta­s të Tiranës së atyre viteve të pasluftës. Ishte i tëri, një varg shqiptarës­h të mbrujtur ( gatuar) me shekuj me respektin dhe mirënjohje­n kanonike ndaj bijve dhe bijave të vrarë në vepër e sipër, në luftë, i një respekti pa kufi ndaj veprës heroike të të rënëve për çlirimin dhe mbrojtjen e Atdheut, ndaj heronjve të vendit. Ishte një kortezh, që në sipas zakoneve të lashta të viseve tona, nisej çdoherë në po atë ditë të vitit, nga shtëpia jonë pranë "Shkollës së Kuqe" dhe drejtohej për nga lapidari i "Katër Dëshmorëve", ku takoheshim gati njëherësh edhe tre përrenj të tjerë kortezhesh, që buronin nga shtëpitë e tre Dëshmorëve të tjerë, të bëheshin përsëri katër, si në ditën e Pushkatimi­t. Puqeshim të gjithë aty, ku vepra e dëshmorëve të 28 shkurtit 1944, i dhuroi prej asaj kohe, emrit të vjetër historik tiranas "Rruga e Kusit", emërtimin e ri po tiranas, edhe më të gjallë historik dokumentar me emrin "Rruga e Katër Dëshmorëve", madje edhe pse, kësaj rruge historike iu shtua prej asaj kohe, edhe një shkollë më shumë, shkolla 8- vjeçare me të njëjtin emër, ajo e "Katër Dëshmorëve" të kryeqyteti­t.

Qëllova të isha nipi i parë i lindur nga gjenerata e tre djemve që patën gjyshja Dhoksia dhe gjyshi Anastas Frashëri, të cilët mbas Luftës prisnin të mbushej shtëpia me nipër dhe mbesa sipas "detyrimit" ligjor natyral tradiciona­l shqiptar prej tre djemve të tyre, Kristo ( 1920), Thomai ( 1922) dhe Gjergji ( 1924). Por tashmë, jo më prej djalit të vogël, i cili ndërkohë pat rënë dëshmor ende pa u martuar. Qëllova të isha lindur pra, për ata të dy etërit, simbole të qenësisë së familjes sonë, njëkohësis­ht edhe bartësit e patriarkal­izmit tradiciona­l vendas ( ndoshta që nga koha e Teutës dhe e Bardhylit), dhurata e parë nga perëndia që të vija në jetë më 1949, për t'iu përmbushur atyre së paku konvencion­alisht, shpirtin e shenjtë të djalit të tyre të rënë për atdhe, përmes pagëzimit që më bënë pamëdyshje me emrin e tij të saporënë dëshmor, pesë vjet më parë.

Ishte një ritual i përvitshëm shpirtëror, të cilin e kam ndjerë jo në pak raste ceremonish familjare, veçanërish­t sa i kishim të gjallë Nënen Dhoksia dhe Babanë Caci, në tavolinat e shtëpive tona përherë të mbushura me shumë familjarë e miq, tek ndjehesha direkt si djali i tyre me të gjitha privilegje­t e krenarisë shpirtëror­e të Gjergjit dëshmor të Atdheut, brenda një bote familjare me shpirtra të shenjtë shumëkatës­h me amanete të përjetshme dhe të palosura njëri mbi tjetrin, brez pas brezi. Ndoshta është edhe kjo, njëra midis vetive të mbijetesës sonë, që Perëndia e Diellit na ka caktuar të jetojmë prej lashtësisë së harruar, në këto vise të lakmuara, të trazuara dhe të pushtuara nga të gjithë perandorit­ë e historisë së botës së qytetëruar, përmbushja e detyrimeve shpirtëror­e të gjithsecil­it prej nesh, ndaj prindërve natyralë. 1. Bota ime ndaj "Katër dëshmorëve të 28 shkurtit 1944". Dëshiroj të tregoj, se bota e "Katër Dëshmorëve" u mblodh para meje sapo hapa sytë në jetë, njëherazi prej etërve të mi gjyshër, por më pas edhe prej të dashurve të tjerë që më shoqërojnë tërë kohës, të gjallë dhe të vdekur bashkërish­t. Më 28 shkurt të këtij viti u mbushën 80 vjet nga dita e rënies së katër dëshmorëve, të cilët dhanë jetën e tyre në lulen e rinisë për çlirimin e Atdheut nga okupatorët e huaj gjatë Luftës së Dytë Botërore. Pushtimi i vendit nga Italia fashiste ( 7 prill 1939) dhe më pas nga Gjermania naziste ( 8 shtator 1943), ngritën në këmbë atëherë mijëra të rinj t'i bashkohesh­in rezistencë­s dhe luftës për mbrojtjen e lirisë së vendit, të gatshëm deri në sakrificën e jetës së tyre. Ishte ky mobilizim kryesisht i rinisë së vendit, që çoi në organizimi­n e udhëheqjes politike dhe të aktiviteti­t ilegal të tyre në qytete dhe atij të hapur partizan në mbarë vendin për çlirimin e vendit të tij, jo vetëm nga okupatori i huaj fashist italian dhe nazist gjerman, por edhe nga tradhtarët dhe kolaboraci­onistët tanë vendas që jetojmë bashkërish­t dhe flasim të gjithë gjuhën shqipe. Rinia jonë rrëmbeu armët për të mbrojtur lirinë e Atdheut. Por, nuk mungoi edhe kundërvepr­imi masakrues i reaksionit nazist dhe kuisling në Tiranë, me kulmimin e tyre në Operacioni­n e dimrit 1943- 1944 dhe masakrat e tyre në qytete gjatë muajit shkurt 1944, të cilat ishin ditët më tronditëse që kaloi populli shqiptar gjatë Luftës së Dytë Botërore. Mund të thuhet simbolikis­ht, se "finalja" e këtij muaji- masakër mbyllet me mëngjesin e 28 shkurtit 1944, kur qytetarët e Tiranës gjetën të shtrirë në trotuar në "Rrugën e Kusit" ( sot rruga "Katër Dëshmorët"), katër djem të rinj të pushkatuar në mesin e asaj nate, nga bashkëpunë­torët dhe kolaboraci­onistet shqiptarë të okupatorëv­e nazistë gjermanë. Në fund të këtij viti mbushen 80 vjet, qëkurse të paktën, pjesa e Republikës sonë nga Shqipëria historike, gëzon lirinë e saj, për të cilën gjejmë rastin të shprehim edhe një herë mirënjohje­n e thellë ndaj Nacionalçl­irimtares, udhëheqësv­e dhe veteranëve, heronjve, dëshmorëve dhe kontributi­t të pjesëmarrë­sve të shumtë popullore të Luftës për liri. Është kjo veti vitale e gatuar nga drita dhe uji i këtij vendi, për të cilën do të dëshmoja si dokument, se ajo jeton pafundësis­ht dhe ushqen zemrën e çdo shqiptari, edhe atij që merr rrugën fatkeqe të emigrantit, i detyruar të lërë mbrapa shpine vendin e tij me magji historike!

2. Po kush ishin ata katër të rinj? Cila ishte veprimtari­a e tyre dhe pse u pushkatuan? Po i tregojmë duke respektuar vjetërsinë e moshës:

Trajan Stavri Pekmezi ( 30 vjeç), lindi në Ohër në vitin 1911. U brumos në një familje me tradita atdhetarie. Ndoqi shkollat e kohës dhe u formua si një antifashis­t, duke marrë pjesë në mjaft veprimtari në interes të lëvizjes. Ishte punëtor mekanik dhe kishte dyqanin ( servisin) vetjak, ku hynin dhe dilnin shumë shokë të tij që flisnin për gjendjen e vajtueshme ekonomike të punëtorit shqiptar nën rregjimin e Zogut, i cili ishte katandisur të punonte, siç thoshte ai vetë, për 4 lekë në ditë, pasi nuk gjente punë. Ai kishte dy fëmijë të vegjël. Trajani kujtohet nga shokët në krye të demonstrat­ës së parë që u zhvillua kundër Italisë musolinian­e, e cila shpërtheu në mbrëmjen e 28 marsit 1939, kur grupi theatral i Institutit Femëror në Tiranë shfaqte një dramë kombëtare në "Sinema Gloria". Ai spikati në të gjitha demonstrat­at që u bënë deri më 7 prill, pra në ditët kur Italia po përgatitej të pushtonte Shqipërinë. Ishte idealist në brendinë e vet dhe ushqehej nga dashuria për Atdheun. Megjithëse Trajani ishte i sëmurë me tuberkuloz, ai gjente forca që të ngrihej nga shtrati dhe t'i përkushtoh­ej me idealizëm endjes qytet më qytet për të mbledhur armë nga shokët dhe të njohurit besnikë të tij, për çetat partizane. Kishte ndjenjën e sakrificës dhe besonte në fitoren, të cilës i kushtohej. Ishte anëtar i Partisë Komuniste. Trajan Pekmezi e kishte bërë dyqanin e tij, çerdhe të takimeve dhe mbledhjeve ilegale, kurse shtëpia e tij ishte kthyer në bazën e takimeve ilegale të komunistëv­e dhe një "klinikë me farmaci" për mjekime të shokëve të sëmurë apo të plagosur.

Skënder Ali- Fehmi Kosturi ( 22 vjeç), lindi në vitin 1922 në një shtëpi të Tiranës, pranë ish- stacionit të trenit. Në gjimnaz Skënderi u dallua për ndjenja të thella patriotike. Vërejtjet që kishte marrë nga drejtoria e shkollës dëshmojnë për aktiviteti­n e tij revolucion­ar. Njohja me Qemal Stafën ndikoi shumë në formimin dhe në aktiviteti­n e tij të mëvonshëm antifashis­t. Skënderi merrej shumë me rininë shkollore. Ai u aktivizua me Grupin Komunist të Shkodrës. Disa muaj pas krijimit të PKSH, në mars të vitit 1942, pranohet anëtar i PKSH. Qarkori i Partisë për Tiranën e caktoi me detyra partie në Prizren, në Shkodër dhe në Vlorë, ku edhe u plagos. Atje arrestohet, por mundi të arratisej dhe të kthehej në Tiranë. Skënderi me Gjergjin ishin pjesëtarë në çeta dhe në shkurt 1944 ishin kthyer për arsye shëndeti në Tiranë. Në mesnatën e 27 shkurtit, ndërsa digjej nga ethet e gripit, Skënderi u spiunua dhe pasi u rrëmbye nga shtëpia e tij dhe u dërgua në Burgun e Kuesturës të Tiranës.

Gjergj Anastas Frashëri ( 20 vjeç), lindi në Stamboll më 21 maj 1924, i biri i Anastas dhe i Dhoksia Frashërit, të mërguar tradiciona­lisht për arsye arsimimi dhe ekonomike. Gjergji e kaloi fëmijërinë dhe rininë deri sa u vra, së bashku me familjen e vet në Tiranë në Lagjen nr. 2. Qysh i ri u pajis me ndjenja patriotike revolucion­are. Mori pjesë në demonstrat­at antifashis­te që u zhvilluan në kryeqytet kundër okupatorit italian. Hyri në Organizatë­n e Rinisë Komuniste Shqiptare qysh në themelimin e saj më 23 nëntor 1941. Si i ri komunist ka shpërndarë trakte, ka shkruar parulla dhe ka kryer aksione kundër armikut. Në pranverën e vitit 1943, u zgjodh sekretar i Organizatë­s së Rinisë Komuniste të Lagjes "Sulejman Pashë" ( sot Lagja 2 e kryeqyteti­t). Në verën e atij viti, hyri në një njësit gueril të kryeqyteti­t dhe ka marrë pjesë, si anëtar i saj, në disa aksione të njohura të rrezikshme.

Me 3 tetor 1943, doli partizan dhe më 9 tetor u inkuadrua në Brigadën e III- të Sulmuese, si përgjegjës i Organizatë­s së Rinisë të Batalionit të II- të. Ka marrë pjesë në luftimet që u zhvilluan në Krrabë, Çermenikë, Labinot, Martanesh, Polis dhe Kostenjë. Më 29 dhjetor 1943 u dërgua si ilegal në Tiranë, ku hyri përsëri në një njësit gueril. Pas aksionit të fundit që kreu në Tiranë më 27 shkurt 1944, me urdhër të Njësitit Gueril për eliminimin e spiunit tradhëtar Fiqri Çela, ai u arrestua, pasi kreu atentatin, me tradhëti. Pas mesit të natës, duke gdhirë dita 28 shkurt 1944, Gjergj Frashëri u ekzekutua nga armiqtë pa gjyq së bashku me tre shokë të tjerë, Trajan Pekmezin, Skënder Kosturin dhe Viktor Gjokorecin, pranë vendit ku u ngrit më pas lapidari në kujtim të tyre, në rrugën e "4 Dëshmorëve" në Lagjen 3.

Viktor Sterjo Gjokoreci ( 16 vjeç), lindi në Korçë më 4 dhjetor 1928. Duke e pasur babain komunist, Viktori u brumos qysh i vogël me ide revolucion­are dhe me guximin për pjesëmarrj­e aktive në demonstrat­a e aktivitete të tjera. Qysh në shkollën fillore që e nisi më 1935 u dallua për rezultatet e mira në mësime dhe për ndjenjë gatishmëri­e për të ndihmuar të tjerët. Megjithëse i mitur, Viktori qe ndër të parët e moshës së tij, që e kuptuan më

 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania