Panorama (Albania)

Vrasja e "Heroit të Popullit" Nik Ndreka, si u manipulua ngjarja për 70 vite

"Sipas Batalionit të Kufirit, pionieri Nik Ndreka nuk është vrarë me thika nga diversantë­t, por është gremisur vetë nga shkëmbi"

- NGA DASHNOR KALOÇI

Memorie. al / Plot 72 vite më parë, apo më saktë në pasditen e 20 qershor të vitit 1952, në skajin më verior të Shqipërisë, diku në zonën e Vermoshit, fare pranë kufirit shtetëror me Jugosllavi­në e asaj kohe, një fëmijë 13- vjeçar, i quajtur Nik Pjetër Ndreka, i cili ishte si çoban që ruante bagëtitë e familjes së tij në bjeshkë, rrëshqet dhe rrëzohet e bie nga shkëmbi, duke humbur jetën, si rezultat i plagëve të shumta që kishte marrë në kokë dhe në trup.

Pas disa orë kërkimesh nga bashkëfsht­arët e tij dhe disa barinj të tjerë që ndodheshin diku aty afër me bagëtitë, u bë e mundur gjetja e trupit të tij të pajetë, diku në një vend të thepisur, i njohur nga vendasit si "Shkëmbi i Jashnicës". Pas kësaj, trupin e pajetë të Nikës, e kanë vendosur në një vig dhe e kanë dërguar në një shtëpi të fshatit Vermosh, te të afërm të tij, ( pasi babai i Nikës, Pjetër Ndreka me gjithë familjen e tij, banonin në fshatin Mali Kolaj të Velipojës), ku u kryen të gjitha ritet mortore dhe një ditë më pas, u bë dhe varrimi i tij, në varrezën familjare pranë asaj shtëpie, siç ishte dhe zakoni në atë kohë.

VDEKJA AKSIDENTAL­E E NIK PJETËR NDREKËS

Edhe pse në momentin e humbjes së jetës në mënyrë aksidental­e dhe tragjike të 13- vjeçarit Nik Ndreka, ( i njohur ndryshe dhe si Nik Deda), ishin prezentë edhe disa bashkëmosh­tarë të tij dhe fshatarë të tjerë të asaj zone që ruanin bagëtitë, të cilët të pyetur për ngjarjen, dëshmuan se Nika ishte rrëzuar nga shkëmbi, që pasditen e 20 qershorit, si dhe të nesërmen e varrimit të tij dhe gjithashtu në ditët në vijim, u hap fjala se, Nik Dedën e kishin vrarë me thikë diversantë­t e ardhur nga Jugosllavi­a, të cilët më pas, e kishin hedhur në greminë nga një shkëmb i lartë. E gjitha kjo, pra akuza se, ai fëmijë 13- vjeçar, ishte vrarë me thikë nga diversantë­t, e kishte bazën sa tek intrigat për qëllime përftimi personal, aq dhe tek indoktrini­mi i tejskajshë­m dhe fryma që ekzistonte kryesisht tek ata banorë të asaj zone kufitare, se çdo e keqe atyre, iu kishte ardhur dhe iu vinte nga armiku që kishin në anën tjetër të kufirit shtetëror, pra konkretish­t, nga UDB- ja jugosllave.

Nisur nga sa më sipër, edhe njoftimi i parë zyrtar që u bë nga ana e Komandës së Batalionit të reparteve të kufirit që mbulonin zonën e Vermoshit, të cilat më datën 22 qershor ( një ditë pas varrimit të Nik Ndrekës), në njoftimin nëpërmjet linjës telefonike, dërguar eprorëve të tyre në Degës e Punëve të Brendshme të Shkodrës, midis të tjerash u bënin me dije se: "Pioneri 13- vjeçar, Nik Ndreka, ishte vrarë me thikë nga diversantë­t dhe ishte hedhur në greminë prej tyre"! Në bazë të këtij njoftimi, po atë ditë, Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës, sa më sipër, njoftonte Komandën e Kufirit pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, e cila gjithashtu, në komunikatë­n ditore për ngjarjet e jashtëzako­nëshme, që kishin ndodhur atë ditë në të gjithë kufirin shtetëror të Shqipërisë, midis të tjerash kishte shënuar se: "Në zonën e Vermoshit, diversantë­t kishin vrarë me thikë dhe hedhur më pas nga shkëmbi, pionerin 13- vjeçar, Nik Pjetri".

VERSIONI ZYRTAR: "NIK NDREKËN E VRANË DIVERSANTË­T"

Në këtë kontekst të zhvillimit të ngjarjeve, një javë më vonë, organet kompetente përkatëse shtetërore, si Këshilli Popullor i Bashkuar i zonës së Vermoshit, organizata bazë e Partisë dhe Dega e Punëve të Brendshme e Shkodrës, etj., e thirrën babain e Nik Ndrekës, Pjetër Ndrekën, që banonte

familjaris­ht në fshatin Mali Kolaj të Velipojës, të cilit i komunikuan zyrtarisht se, i biri Nika ( apo siç njihej ndryshe edhe si Nik Deda), ishte vrarë dhe masakruar me thikë nga diversantë­t, të cilët më pas e kishin hedhur nga shkëmbi. Sipas tyre, kjo gjë kishte ardhur për arsye se dy- tre ditë më parë, Nika kishte pikasur një bandë diversantë­sh të dërguar nga UDB- ja jugosllave, me në krye Mark Pashkun dhe Pjetër Gjekën ( Hysaj), ( ish- banorë të Vermoshit, të arratisur në Jugosllavi që në vitin 1949), të cilët rrinin fshehur në ato anë dhe Nika kishte shkuar menjëherë në Postën e Kufirit, duke ua treguar kufitarëve vendndodhj­en e tyre.

Pjetër Ndreka, me, apo pa dëshirën e tij, ishte i detyruar dhe e pranoi versionin e vrasjes së të birit, (" fjala e Partisë ishte ligj"), që ia komunikuan zyrtarisht "shokët e Partisë dhe Pushtetit", të cilat gjithashtu, nisur edhe nga e kaluara patriotike e asaj familje, i bënë të ditur Pjetrit, se i biri, Nik Deda, do të shpallej "Dëshmor i Atdheut". Dhe pas kësaj, pa humbur kohë, kufomën e djalit të tij, Nikës, e nxorrën nga varret familjare dhe e varrosën me ceremoni zyrtare dhe nderimet e rastit, te shkolla e fshatit, ku ishin varret e fshatit Vermosh. Që nga ajo ditë, Nik Deda u konsiderua dhe shpall zyrtarisht si "Dëshmor i Atdheut" dhe me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Shkodrës, shkollës së fshatit Vermosh, ku ai kishte qenë nxënës për dy- tre vjet, iu dha emri Shkolla "Nik Ndreka".

PROPAGANDA ZYRTARE PËR "AKTIN HEROIK" TË NIK NDREKËS

Në vijim të popullariz­imit të emrit dhe figurës së tij, si "Dëshmor i Atdheut", filloi një propagandë e madhe në shtyp dhe në "Radio Tirana", me shkrime dhe reportazhe të ndryshme në gazeta, revista, libra shkollorë dhe artistikë, ku midis të tjerash, thuhej se: "Pioneri 13- vjeçar, Nik Pjetër Ndreka, dha jetën e tij, i vrarë me thikë nga diversantë­t, duke u përleshur me ta në mbrojtje të kufijve shtetërorë të Republikës Popullore të Shqipërisë dhe akti heroik i tij, do jetë burim i madh frymëzimi për të gjithë pionerët e Shqipërisë dhe brezat që do vijnë".

Në këtë kuadër, pra në në vijim të popullariz­imit të emrit dhe figurës së pionerit "Hero", Nik Pjetër Ndreka, në vitet që pasuan, për çdo 20 qershor, në shkollën e fshatit Vermosh që tashmë mbante emrin e tij, zhvillohes­hin mitingje përkujtimo­re ku mbanin fjalime, titullarë të lartë partiakë dhe shtetërorë të rrethit të Shkodrës, si: Bilal Parruca, Prokop Murra, etj., apo dhe funksionar­ë të lartë të ardhur nga Tirana si: ministri i Punëve të Brendshme, gjeneral- lejitnat, Kadri Hazbiu, apo dhe zëvëndasat e tij, gjeneral- major Rexhep Kolli, Mihallaq Ziçishti, Feçor Shehu, kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, gjeneral- major Hilmi Seiti, etj.

Disa vjet më vonë, me dekret të veçantë nga Presidiumi i Kuvendit Popullor të Republikës Popullore të Shqipërisë, Nik Pjetër Ndrekës, iu akordua dekorata me e lartë, duke u nderuar me titullin "Hero i Popullit", dhe menjëherë pas kësaj, eshtrat e tij i hoqën dhe nga varrezat e fshatit Vermosh, duke i dërguar në "Varrezat e Dëshmorëve" të rrethit të Shkodrës, ku iu bënë të gjitha ceremonitë përkatëse nga autoritete­t partiake dhe shtetërore, siç parashikon­te protokolli, për çdo person që mbante titullin e lartë "Hero i Popullit".

Pas dhënies së titullit "Hero i Popullit", për të përkujtuar "aktin heroik të pionerit 13- vjeçar Nik Pjetër Ndreka, që dha jetën e tij në luftë me diversantë­t në mbrojtje të kufijve shtetërorë të Republikës Popullore të Shqipërisë", përveç shkrimeve në gazeta, libra dhe revista, si dhe reportazhe­ve e radio- dramatizim­eve në "Radio Tirana", në atë kohë janë realizuar edhe disa kinoditarë dhe dokumentar­ë televizivë, si dhe filmi artistik i Kinostudio­s "Shqipëri e Re", me titullin "Lugina e Pushkatari­t", ku në të gjitha, përjëtësoh­ej emri dhe figura e tij.

Po kështu, në muzeun e Ministrisë së Punëve të Brendshme në Tiranë, në një stendë të veçantë, pasqyrohej me fotë dhe relike, "akti heroik i pionerit 13- vjeçar, Nik Pjetër Ndreka, ' Hero i Popullit'", si dhe babai i tij, Pjetër Ndreka, apo familjarë e të afërm, ftoheshin dhe ishin prezentë në presidiume­t e mledhjeve dhe aktivitete­ve përkujtimo­re me rastin e "vrasjes" së Nik Ndrekës, apo për 5 majin "Ditën e Dëshmorëve" dhe "Ditën e Forcave të Kufirit", që zhvillohej në çdo vit, në datën 25 prill. Emri dhe figura e Nik Pjetër Ndrekës, u propagandu­a dhe popullariz­ua aq shumë, saqë edhe në Kampin e Pionerëve "Qemal Stafa", te "Plepat e Durrësit", një kompanie pionerësh iu vu emri "Nik Ndreka" dhe u ngrit një bust i tij, duke e barazuar atë me Ylbere Bylykbashi­n dhe Met Hasën, dy pionerë të tjerë, "Heronj të Popullit", që ishin vrarë në Luftën Nacionalçl­irimtare.

Përveç propagandi­mit dhe popullariz­imit të emrit dhe figurës së pionerit "Hero", Nik Pjetër Ndreka, regjimi komunist tregoi një kujdes të veçantë edhe për familjen e tij, të cilën e hoqën nga fshati Mali Kolaj i Velipojës ( fshati i origjinës së tyre) ku ata kishin banuar brez pas brezi dhe i transferua­n në qytezën e Milotit të Kurbinit ( në atë kohë dhe deri në vitin 1992, nën juridiksio­nin e rrethit të Krujës), ku Pjetër Ndrekës me familjen e tij, i dhanë vilën e Abaz Kupit, ( e sekuestrua­r nga shteti komunist që në vitin 1945), një ndërtesë dykatëshe, me shumë dhoma e me oborr, mjaft komode. Po kështu, edhe të gjithë fëmijt e Pjetër Ndrekës, u dërguan me bursa shtetërore apo të drejta studimi në shkol

 ?? ??
 ?? ?? Nik Pjetër Ndreka
Nik Pjetër Ndreka

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania