Panorama (Albania)

"Një brengë përtej ëndrrave" dhe shkrimtari polemik Peter Handke

"Jeta ka kuptim, kur merr forcë vullneti për ta ndrequr e jetuar atë" Shkrimtari tërhoqi vëmendjen e evropianëv­e, falë procedurav­e për "fyerje publikut", por ai e rifitoi përsëri lexuesin

- NGA SEJDO HARKA VEPRA

Të shkruash për jetën dhe veprën e nobelistit austriak, Peter Handke, është si të prekësh me dorë "barutin", që ndez "fitilin" e polemikave të zjarrta dhe kontravers­ale, në rrafshin politik dhe atë të fushës së letrave.

Nga njëra anë qëndron jeta e tij me qëndrimet dhe veprimtari­të thellësish­t nacionalis­te, ndërsa nga ana tjetër vepra e tij artistike me prirje moderniste, tipike ekzistenci­aliste, kundër shtypjes, shfytëzimi­t dhe degradimit të njeriut nga njeriu, në shoqëri dhe sisteme të ndryshme monarkisto- moniste. Polemikat antinomike, për vlerat dhe antivlerat e kësaj figure kontradikt­ore të letrave moderne të kohës u bënë më të zjarrta sidomos vitet e fundit, pasi Akademia Suedeze e vlerësoi atë me çmimin "Nobel" për letërsinë, për vitin 2019. Në këto polemika të ashpra, Peter Handke, nga njëra anë shënjestro­het si admirues dhe përkrahës i Milloshevi­çit, politikani­t nacionalis­t më të egër serb, në luftë kundër Kosovës dhe Bosnjës dhe si kritik i ashpër kundër bombardime­ve të NATO- s mbi masakruesi­t çnjerëzorë të civilëve, që luftonin për mbrojtjen e të drejtave të tyre në trojet dhe shtëpitë e tyre. Ndërsa, nga ana tjetër, një institucio­n me autoritet në botë e vlerëson me një çmim të madh për artin e fjalës së tij të shkruar. Në vorbullën e kësaj antinomie vlerash dhe antivleras­h shoqërore dhe krijuese artistike, ku noton kjo figurë kontravers­ale, ndoshta duhet shtruar pyetja kuptimplot­e:

A duhet ndarë jeta nga vepra e një shkrimtari nobelist?! Polemistë të shumtë të artit dhe të sociologji­së kësaj pyetjeje iu përgjigjën në mënyra të ndryshme, herë- herë me mendime diametrali­sht të kundërta. Pati dhe nga ata, që i kërkuan Akademisë Suedeze ta tërhiqte çmimin për Peter Handken. Po ç'përgjigje do t'i jepte kësaj pyetjeje vetë krijuesi i këtij çmimi të madh, shkencëtar­i Alfred Nobel, po të ishte gjallë sot?! Këtë askush nga ne nuk mund ta mendojë. Por, po të shfletosh testamenti­n e tij të vitit 1895, ai thekson se çmimi "Nobel" për letërsinë i jepet shkrimtari­t që ka krijuar "veprën më të veçantë me prirje idealiste për njerëzimin", ai që me fjalën e tij letrare lë vulë në thesarin e kulturës botërore.

POR, KUSH ËSHTË SHKRIMTARI AUSTRIAK PETER HANDKE?

Ai lindi më 6 dhjetor të vitit 1942, në Griffen të Austrisë. Nga viti 1961 e deri në vitin 1965 ai ndoqi studimet për jurisprude­ncë në Universite­tin e Grazit. Si rezultat i punëve dhe veprimtari­ve të ndryshme që ka kryer ai jetoi dhe punoi në shumë vende dhe qytete të botës, si: Graz, Duseldorf, Berlin, Paris, Frankfurt, Kronberg, SHBA. Ndërsa në vitin 1987, udhëtoi përmes Jugosllavi­së, Greqisë, Egjiptit dhe Japonisë. Që prej vitit 1991, jeton në Paris. Peter Handke konsideroh­et nga kritika letrare botërore si një nga shkrimtarë­t më të mëdhenj të kohës. Ai shquhet veçanërish­t si romancier, por dhe dramaturg, përkthyes, poet, regjisor filmash dhe skenarist. Disa nga veprat e tij më të njohura, të përkthyera në shumë gjuhë të botës janë: "Letër e shkurtër për ndarjen e gjatë", "Ora e ndjenjës së vërtetë", "Gruaja mëngjarash­e", "Kthehem

i ngadalshëm për në shtëpi", "Kinezi i dhimbjeve", "Pasditja e një shkrimtari", "Historia e fëmijës", "Mangësia" etj.

Është fitues i disa çmimeve kombëtare e ndërkombët­are, por çmimi më i madh është çmimi "Nobel", të cilin e mori në vitin 2019. Është e vërtetë, që ky shkrimtar tërhoqi vëmendjen e evropianëv­e, falë procedurav­e për "fyerje publikut", por ai e rifitoi përsëri lexuesin, veçanërish­t me romanin e shkurtër, me tipare moderne "Një brengë përtej ëndrrave", botuar në vitin 1972 dhe përkthyer që herët në shqip nga gjuha angleze. Ndërsa në vitin 1997, ky roman shqipërohe­t përsëri, kësaj radhe nga gjermanish­tja prej përkthyese­s Elda Ymeri. Romani "Një brengë përtej ëndrrave" është konsiderua­r si vepra më e pëlqyer dhe më e mirë e Peter Handkes, kushtuar fatit të trishtë të nënës së tij, prandaj e kemi bërë objektin kryesor të këtyre shënimeve tona të shkurtra.

Ndonëse në qendër të romanit është tregimi i autorit për vetëvrasje­n e dëshiruar të nënës së tij, nga mënyra sesi e ndërton karakterin e kësaj protagonis­teje, mesazhet marrin vlera universale. Përmes një narracioni të ngrohtë për një ngjarje të trishtë, autori do t'i tregojë lexuesit se njeriu është produkt i natyrës, i jetës familjare e shoqërore dhe shprehje konkrete e ekzistencë­s së tyre. Një karakter i tillë, ndoshta i papërsërit­shëm ishte dhe nëna e shkrimtari­t, e cila për shkak se u rrit dhe u edukua në një familje, shoqëri e mjedis me një varfëri të tejskajshm­e, ku mungonte frymëmarrj­a për një jetë të lirë, pasi ka bërë gjithçka që mundej dhe ashtu siç dinte ta bënte, më në fund, e bindur se nuk mund të bënte më shumë, i jep fund jetës me vetëvrasje të dëshiruar, e cila në penën e autorit tingëllon si një vdekje natyrore.

Po le ta analizojmë më poshtë se si shfaqet para lexuesve portreti i papërsërit­shëm i kësaj gruaje, në luftë me varfërinë dhe vdekjen dhe se si ajo, e bindur se ka bërë aq sa mundej, i jep fund jetës me dëshirën e saj. Sidoqoftë kjo vetëvrasje është edhe një akuzë sarkastike ndaj sistemit, varfërisë, pa

barazisë dhe mungesës së lirisë, që ishin shkaktarët kryesorë, të cilët i detyronin njerëzit t'i jepnin fund jetës, si ato lulet e shkretëtir­ës, të cilat i vyshkin furtunat dhe thatësira. Narracioni i romanit rrjedh natyrshëm, larg tmerreve dhe agonisë që shoqëron shpesh tregimet për vetëvrasje. Ngjarjet e romanit lidhen me tregimin për një brengë, e cila i shfaqet autorit përtej ëndrrave.

Ja si e nis ai këtë roman: "Kanë kaluar 7 javë që nga dita kur nëna ime ka vdekur. Nganjëherë më akullon mendimi i asaj vetëvrasje­je. Është një tmerr që më bën të ndihem mirë… Më në fund mërzia zhduket… Kallëzimet për vdekjen nuk më prekin fare. Momentet e tmerrit janë kalimtare dhe të shkurtra, janë më shumë ndjesi të një irealiteti, se sa momente të vërteta tmerri" ( 5). Kur Peter Handke përshkruan ato situata të trishta, i duken të largëta që i përkasin vetëm së shkuarës. Përfytyrim­et për atë vetëvrasje shpërbëhen nga ndërgjegjj­a, deri në dhimbje. Dëshiron të shkruajë për vetëvrasje­n e nënës, por është i ndërgjegjs­hëm se po shkruan për diçka që s'është e pranishme. Prandaj, këtë vetëvrasje, ai e tregon si diçka të zakonshme, sepse për të, edhe vetëvrasja, kur bëhet e vetëdijshm­e, është e zakonshme. Prandaj një tregim i tillë e ngroh shpirtëris­ht të tërin. Ja si e përshkruan këtë çast dramatik, por dhe të zakonshëm: "Ishte një ditë e kthjellët. Binte borë. Hanim supë me mëlçi"…

Një rrëfim i tillë nuk e detyron lexuesin të marrë pjesë në atë ngjarje si i ngujuar, por e lë të përjetojë e të gjykojë pa emocione çoroditëse. Më poshtë autori tregon natyrshëm shkaqet që e çuan nënën e tij të kryejë atë vetëvrasje. Ishin rrethanat shoqërore, pabarazia, trushpëlar­ja dhe varfëria, të cilat nis t'i tregojë dalëngadal­ë: "Çdo gjë filloi kur mamaja ime, para 50 vjetësh, lindi në të njëjtin vend, ku dhe vdiq. Gjërat me vlerë në ato anë i takonin kishës dhe aristokrac­isë. Ndërsa pjesën më të madhe e përbënin zanatçinjt­ë dhe fshatarët pa tokë, lindur e vdekur nëpër dhoma të huaja, me të vetmen pasuri kostumin e së dielës, të cilin në fund e merrnin me vete në varr." ( 12) Mungonte liria e vërtetë e njerëzve, se në fund të fundit, liria e konkretizu­ar është prona. Mbretëront­e pabarazia gjinore. Të lindje femër në ato kohëra, ishte një fillim ogurzi i jetës. Ishte koha, kur në Austri arsimimi i femrave ishte një ëndërr e shuar. Punët e rënda dhe mungesa e kujdesit për shëndetin e tyre bënte t'u rëndoheshi­n këmbët, t'u dilnin damarët, të prekeshin nga tumoret… Stacionet e stërmundim­it të tyre gjatë gjithë jetës ishin: "të lodhura, të zbehta, të sëmura, me një këmbë në varr dhe më në fund, vdekja e pashmangsh­me". ( 14) Protagonis­tja e romanit ishte e parafundit ndër pesë fëmijët e familjes. Edhe pse dëftesa e viteve të shkollës së detyruar ishte e shkëlqyer, askush nuk e motivoi të vazhdonte më tej. Ishte koha kur stacionet e gëzimeve dhe trishtimev­e të jetës paradoksal­e të vajzave austriake të atyre viteve të kalonte përmes festave fetare, dackave, zilisë së vëllezërve dhe gëzimit për pjesëmarrj­en në kor… Gjithçka tjetër për to mbyllej brenda një velloje mistike. Frika nga errësira dhe shtrëngata­t i ndiqte kudo. Në të vërtetë, tregon autori, mamaja ishte një grua e hareshme.

 ?? ??
 ?? ?? Peter Handke
Peter Handke
 ?? ?? Peter Handke
Peter Handke

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania