Panorama (Albania)

Mirash Ivanaj, të pathënat për praninë në lozhën masonike "Grand Oriente d'italia"

Historia e përplasjev­e me ata që ofronin arsimimin fetar apo të mbështetur nga shtete të huaja

- ALBERT HITOALIAJ

Mirash Ivanaj u emërua ministër nga Zogu, por vetëm duke e pranuar detyrën me kusht ndaj Zogut: të realizonte një reformë siç mendonte, pa ndërhyrje, me qëllim për kombëtariz­imin e arsimit. Ivanaj u arsimua fillimisht në Beograd e më pas në Romë dhe u rikthye për kontribut në Shqipëri.

U dënua, në mungesë ( i larguar nga vendi) kur Noli erdhi në pushtet. Ishte i diplomuar në Itali, por nuk kishte afri me politikën e jashtme italiane ndaj Shqipërisë. Madje, ai ishte një antifashis­t, duke e shfaqur qëndrimin edhe përmes demonstrat­ave të orëve të para kundër pushtimit italian. U arratis në Turqi pas pushtimit të 1939- s, ku mezi jetonte me ndihmat e miqve. Emri i tij përmendet në një memorandum sekret amerikan për situatën në Shqipëri, si pjesëtar i mundshëm i një komiteti kombëtar ( bashkë me Nolin) që mund të ndërtohej jashtë Shqipërisë, kur kjo ishte e pushtuar nga fashizmi. Ivanaj, personi që i kishte ndërprerë bursën Enver Hoxhës kur studionte në Francë, kthehet në vitin 1945 në Shqipërinë e çliruar, për të dhënë kontributi­n e tij në të mirë të kombit. Por, u burgos si agjent anglez e amerikan, i arrestuar nga Koçi Xoxe. Vetë ky i fundit do të akuzohej si agjent jugosllav pak më vonë, ndërkohë që kleri katolik shqiptar e ka konsiderua­r edhe punën e Mirash Ivanajt kur reformonte arsimin si antikombët­are ( dikush e ka konsiderua­r edhe si agjent jugosllav). Ndër të tjera, kleri katolik e akuzonte edhe si një pjesëtar të vëllazëris­ë masone dhe për këtë detaj do të flasim më poshtë.

Por, ç'ishte ky njeri, ç'ishte Mirash Ivanaj? Nëse i referohemi prof. dr. Dritan Spahiut, Mirash Ivanaj dhe një student tjetër hebre kishin arritur rezultatet më të larta, që nuk ishin parë qysh prej një shekulli në Universite­tin Mbretëror të Romës. Në zemër ai ishte një mësues, një njeri me një kulturë shumë të gjerë dhe një individ i cili do t'i kishte dhënë shumë Shqipërisë po qe se do të jetonte më gjatë dhe po qe se do të shfrytëzoh­ej intelekti i tij në të mirë të zhvillimit kombëtar. Mirash Ivanaj njihet ende edhe sot si ministri i "hekurt" i Arsimit në kohën e Ahmet Zogut, edhe pse si për ironi të fatit, Ivanaj ishte mbrojtës i flaktë i ideve republikan­e dhe jo një monarkist. Ishte një individ me njohuri të thella, një erudit, i diplomuar dy herë me rezultate të shkëlqyera në Universite­tin Mbretëror të Romës: për letërsi dhe jurisprude­ncë, doktor shkencash, njohës i shkëlqyer i shumë gjuhëve, të gjalla e të vdekura. Në periudhën e mbajtjes së detyrës së tij si ministër i Arsimit ( 1933- 1935) ai kreu një reformë të thellë në arsimin kombëtar shqiptar. Ndikimi i tij i thellë bëri që ligji i ri i arsimit të njihej si "Ligji Ivanaj". Zelli dhe vizioni i tij bënë që të vendosej sistemi i arsimit të fillores së detyruar, i cili vijon deri në ditët e sotme. Kjo ishte një arritje e madhe, duke menduar plagën e thellë të analfabeti­zmit që gërryente zhvillimin kombëtar të Shqipërisë.

Vizioni i tij për ndërtimin e një strukture kombëtare të arsimit shqiptar ishte shumë i përparuar për kohën. Ai synonte një arsim tërësisht në gjuhën shqipe, ku shkolla kombëtare shqiptare dhe arsimimi të ishin të drejta ekskluzive vetëm të shtetit shqiptar, të ishin laike dhe të ishin për të gjithë popullsinë pa përjashtim. Ndërtimi i kësaj qytetarie të arsimuar dhe të ditur do të formonte një shoqëri atdhetare shqiptare. E parë në kuadrin e gjerë ajo do të ishte një reformë e cila, nëse do ta linin të përmbushej plotësisht, do t'i jepte një frymëmarrj­e të jashtëzako­nshme kombit shqiptar, i cili dilte nga shekuj të gjatë, ku monopolin e shkollimit të tij e kishin pasur kryesisht të huajt.

Por, kjo reformë nuk do të kishte mundësi të realizohej. Përplasjet e Mirashit me të gjithë ata që ofronin arsimimin fetar apo të mbështetur nga shtete të huaja nuk do të vononin. Reforma bazohej më tri shtylla kryesore: shkolla shqiptare duhet të jetë kombëtare, sepse shteti shqiptar nuk mund të heqë dorë nga edukimi i brezit të ri; përkujdesj­en për arsimin shteti shqiptar nuk do ta ndajë me askënd; shkolla duhet të jetë laike.

Më 11 prill të vitit 1933, Parlamenti shqiptar miratoi njëzëri argumentet e paraqitura nga Mirash Ivanaj për reformën arsimore shqiptare. Parlamenti ndryshoi dy nene të Statutit Themeltar të Shtetit, duke i ribërë kështu:

"Neni 206. Mësimi dhe edukimi i shtetasve shqiptarë janë një e drejtë ekskluzive e shtetit. Jepen vetëm ndër shkolla shtetërore shkallësh të ndryshme sipas ligjës. Arsimi fillor për të gjithë shtetasit shqiptar është i detyrueshë­m dhe jepet falas. Shkollat private të çdo kategorie qofshin që kanë veprue deri më sot mbyllen.

Neni 207. Shkollat fetare për përgatitje­n e klerit të mbajtura prej komunitete­ve fetare shqiptare, janë të lira dhe rregullohe­n me ligje".

Zbatimi i kësaj reforme arsimore të Mbretëris? Shqiptare u kurorëzua me shndërrimi­n e shkollave në shkolla shtetërore. U mbyllën shkollat fillore private t? pavarura e gjithashtu edhe ato të komunitete­ve fetare. Në këtë mënyrë, u mbyllën edhe shkollat e huaja private për shqiptarët, si dhe shkollat private të minoriteti­t grek. Reforma mbylli edhe gjimnazet jezuite e françeskan­e në Shkod? r, shkollën femërore në Shkodër, institutin privat femëror "Naim Frash? ri" në Tiranë, Shkollën "Normale Femërore" në Korçë dhe institutin privat "Kyrias", në Kamëz. U mbyll po ashtu edhe shkolla teknike "Harry Fultz", e hapur nga Kryqi i Kuq Amerikan, u mbyllën të gjitha shkollat profesiona­le italiane, por ato u zëvendësua­n me shkolla teknike qytetëse, aty ku ishin. Të gjitha këto shkolla kundërshtu­an që të punonin për shtetin shqiptar dhe që të kontrolloh­ej aktiviteti i tyre prej shtetit. Në këtë mënyrë ato u mbyllën.

Harry T. Fultz, ishte drejtori i parë i Shkollës Teknike të Tiranës, i cili u vendos në këtë detyrë në vitin 1922, nga Kryqi i Kuq Amerikan. Fultz, e mbajti detyrën deri në vitin 1932, kur shkolla u mbyll nga "Reforma Ivanaj". Ai u detyrua të lërë Shqipërinë, sepse ministri reformator i Arsimit i mbylli të gjitha shkollat e huaja në Shqipëri, të cilat i konsideron­te ndër të tjera edhe si vatra të spiunazhit e të agjitacion­it të politikës së huaj të shteteve të huaja. Në fakt, Harry T. Fultz, i cili sipas dokumentac­ionit që e vërteton sot, ishte pjesë e misioneve shtetërore amerikane dhe pjesëtar i strukturav­e të Misionit Informal të SHBA- së në Shqipëri. Gjithsesi, raportet shqiptaro- amerikane të kohës ishin miqësore, por amerikanët nuk ishin të vetmit që u detyruan të mbyllnin shkollën e tyre. Më të rrezikshme­t për kohën ishin shkollat greke, të cilat financohes­hin nga qarqet shoviniste greke dhe që kishin si objekt pune shkëputjen e territorev­e jugore të Shqipërisë, si pjesë e platformës së "Megali Idesë".

KISHA KATOLIKE, MASONERIA DHE "REFORMA IVANAJ"

"Reforma Ivanaj" prekte edhe shkollimin që ofronte kleri katolik. Me këta klerikë ai pati përplasje të forta. Ishin ankesat e tyre dhe ndikimi që patën edhe shtete të tjera, si p. sh., Greqia, për shkollat e minoriteti­t, që e frenuan "Reformën Ivanaj". Në një prej raportimev­e të klerit katolik në Lidhjen e Kombeve, si ankesë për situatën e krijuar nga "Reforma Ivanaj", Dom Frano Karma ndër të tjera, e cilëson Mirash Ivanajn si një mason të egër. Në dosjen "Minoritete­t në Shqipëri - si shtesë Peticioni i 4 marsit 1935, nga z. Fran Karma", në arkivin e Lidhjes së Kombeve, gjendet edhe një peticion i drejtuar sekretarit të Përgjithsh­ëm të Lidhjes së Kombeve, në shenjë ankimi e proteste për mbylljen e shkollave katolike në Shqipëri dhe shtetëzimi­n e arsimit nga qeveria e Zogut. Ndër të tjera, për ministrin Ivanaj, nga Dom Frano Karma, shkruhet:

"Saktësisht, zoti Mirash Ivanaj një frankmason i egër, dhe si i tillë shumë i njohur, është i interesuar për detyrën e kishës!" ( Dom Frano Karma, 1935, "Minorities in Albania", Arkivi i Lidhjes së Kombeve, Dosja 3930, nr. 4, 4876, 16877).

Lufta e kishës katolike me masonët nuk kishte të bënte vetëm me arsimin dhe me rastin e ministrit Mirash Ivanaj, por ishte më e gjerë. Dokumenti që sillet si pjesë e këtij shkrimi tregon se ministri Ivanaj ishte një mason, sepse kërkesa e tij për anëtarësim dhe emri i Felice Albanit si referencë, e dëshmojnë këtë gjë. Por, pavarësish­t se Ivanaj ishte anëtar i lozhës masonike italiane "Grande Oriente d'italia" ( GOI), ai në thelb ishte një iluminist, një njeri i dijes dhe një i pasionuar i ngërthyer pas gjuhëve të huaja, jurisprude­ncës e filozofisë, i cili jetën ia përkushtoi arsimit dhe orientimin e pati ndaj koncepteve republikan­e. Qëllimi i tij për zhvillimin e atdheut shprehet qartë si motivi

 ?? ??
 ?? ??

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania