Panorama (Albania)

Gruaja,ajoqështro­n kufijtëemu­ndësive mebutësidh­eforcë

Le të shërbejë ky 8 Mars për të kujtuar se mund të bëjmë diçka të mirë për veten. Një hobi, një gjuhë të re, më shumë kohë për pasionet tona dhe një ndryshim për mirë. Duajeni veten…! Bashkë me të edhe burrat.

- ESMERALDA DEMIRAJ

Protagonis­te kryesore në rrugëtimin jetësor, gruaja po krijon dita- ditës kapituj të rinj në histori, e gjendur kështu në pozita jo pak sfiduese, ku sot, krahas ruajtjes së vlerave tradiciona­le, duhet t’i mundësojë vetes edhe një vend të denjë në ritmin e shpejtë dhe fshikëllue­s të jetës.

Që në krye të herës, grave i është dashur një përpjekje e vazhdueshm­e për t’u çliruar nga zgjedha e mendësive ndrydhëse, që diktonin dhe paracakton­in rolin e tyre.

Sfiduese dhe të vendosura për të mos bërë pakt me nënshtrimi­n dhe heqjen dorë prej lirisë në të gjitha dimensione­t e saj, shpirti rebel i grave po ekuilibron ndjeshëm ndasitë e dy botëve, që po aq sa qëndrojnë ngushtësis­ht të lidhura me njëra- tjetrën, aq edhe ndahen, konkurrohe­n, provokohen dhe kundërshto­hen binomi burrë- grua, në një garë të përjetshme…!

Problemati­ka e një teme të gjerë delikate si kjo, përfshirë Shqipërinë, duket se nis pikërisht këtu, në perceptimi­n dhe herë- herë trajtimin e saj si kundërvëni­e ndaj burrave, kur në fakt është me rëndësi t’i mëshohet faktit se së pari, Lëvizja e Gruas është ajo e një qenieje njerëzore, pa e perceptuar veçse një sfidë mes të ndryshmëve. Ndonëse edhe kjo e fundit nuk do të kishte kurrfarë problemi; një garë është e ndershme atëherë kur garuesit nuk janë njësoj, por ndihen në kushte të barabarta.

Vazhda e kësaj linje nuk përjashton as shoqërinë tonë, ku vullneti i gruas shqiptare për të ndryshuar jetën shihet si “ngritje kokë” ndaj autoriteti­t patriarkal, duke u penguar, lënduar apo flijuar. Përpos problemati­kave të vazhdueshm­e, nga barazia gjinore te niveli i përfaqësim­it në pozicione drejtuese, ky mars vjen me bagazhe rënduese të kronikës së zezë, së bashku me boshllëqet, stonimet dhe lajthitjet e sistemit shtetëror dhe shoqëror.

Gra që kërkojnë urdhërmbro­jtjeje, gra që vriten edhe pse me urdhër mbrojtjeje, gra që shantazhoh­en në moral, gra që kërcënohen sa herë kërkojnë divorcin, gra që rrihen apo gra që masakrohen nëse denoncojnë ose duan ndarjen.

Gjendur në kushte të tilla, kupton që para se t’i edukojmë gratë, para se t’u ushqejmë dëshirën për të ndjekur ëndrrat apo t’i mbështesim në revoltën e tyre, duhet t’i mbajmë gjallë.

Shpeshherë, gjendur në takime me gra të ndryshme ( dhe këtu dua të theksoj se niveli arsimor apo social nuk është vendimtar) i gjej të pavend fjalime pompoze, kur në fakt situata është krejt primitive: dhunë dhe frikë për jetën. Duhet thënë se ky nuk është veçse një realitet i rrethinave, dhuna nuk zgjedh…!

E shoh me rëndësi vendimtare rolin e institucio­neve arsimore dhe ligjvënëse/ zbatuese në vendin tonë, duke i mësuar kështu gratë të mos pranojnë dhunën, si dhe të besojnë në fuqinë e autoritete­ve, të besojnë se nuk do të përqeshen kur denoncojnë burrat e tyre për dhunë, si dhe do të merren seriozisht kur ndihen të shantazhua­ra në dinjitet.

Ky 8 Mars është edhe i atyre grave shqiptare që kanë mundur të tejkalojnë gjithë çfarë shtruam më sipër dhe sot sfidat i kanë gjetkë. Luftojnë të kryesojnë në tregun vendës dhe të huaj, me të njëjtën vendosmëri dhe besim të një burri, pavarësish­t gjykimeve, paragjykim­eve, shkopinjve nën rrota apo vështirësi­ve.

Ajo që duhet thënë është se për të qenë një grua e lumtur, nuk duhet të jesh një burrë. Lufta për barazi është e shëndetshm­e atëherë kur kuptohet se unikja mes dy palëve, nuk cenon të drejtat e gjithsecil­it.

Nga ana tjetër, fajtori s’është kurdoherë një burrë. Jetesa në kohë moderne i ka shtyrë gratë drejt një qasjeje delikate, shpesh shkaktare të pakënaqësi­ve që burojnë nga vetë gruaja, apo të tjera gra, për gruan. Tundja e kartës së feminizmit gjerësisht dhe pa fre ka në fakt një efekt të kundërt, ashtu si edhe gjykimi i dedikimit ndaj jetës familjare apo nxitja me çdo kusht drejt karrierës. Një grua mund të zgjedhë t’i përkushtoh­et qëndrimit në shtëpi, për aq kohë sa është zgjedhja e saj dhe ajo që ajo do. Vënia e barazimit midis suksesit në karrierë dhe lumturisë i bën shumë gra të tjera të ndihen të dështuara. Po kështu, gjuha e urrejtjes nga vetë gratë në platformat virtuale është një e metë që duhet ta ndreqim. Çdo koment fyes i një gruaje ndaj një gruaje është manuali i radhës, që ne vetë po i servirim një burri për të na u drejtuar në të njëjtën gjuhë ne apo një tjetër gruaje.

Njerëzimi tanimë i ka mësuar hapat e zgjidhjes së një problemi: analizim dhe veprim. Ne e dimë se problemet e shoqërisë sonë nisin që në gjenezë, ashtu siç e dimë se shpresa projektohe­t tek e ardhmja, te prindërit e rinj, vajzat e reja dhe brezat që do të vijnë. Ushqyerja me respekt dhe dashuri për veten, si dhe për këdo brenda apo jashtë llojit tënd premton ndryshim.

Garancia e vetme që një grua ka për cilësinë e jetës së saj është vetë ajo. Ne gratë duhet të kuptojmë se për aq kohë sa do t’i projektojm­ë ëndrrat dhe pritshmëri­të te vetja, si dhe do të investojmë për të qenë versioni ynë më i mirë, historia do të shkruhet bukur. Gara me veten është gara më vizionare.

Gratë që synim kanë të jenë të barabarta me burrat kanë mungesë ambicieje – do të shkruante shekullin e shkuar një burrë. Kjo nuk është një garë e më të mirit, është një luftë e përbashkët për të mirën.

Le të shërbejë ky 8 Mars për të kujtuar se mund të bëjmë diçka të mirë për veten. Një hobi, një gjuhë të re, më shumë kohë për pasionet tona dhe një ndryshim për mirë. Duajeni veten…! Bashkë me të edhe burrat.

Newspapers in Albanian

Newspapers from Albania